Berisha: Zgjedhjet arritën standardet Rama: U deformua vullneti i popullit

Kryeministri Sali Berisha dhe lideri i opozitës, Rama, "përplasen" për zgjedhjet në 1-vjetorin e anëtarësimit në NATO
TIRANË - Në 1-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, opozita dhe mazhoranca janë ndeshur midis tyre mbi çështjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 Qershorit. Në këtë 1-vjetor të anëtarësimit, mazhoranca qeverisëse i ka cilësuar zgjedhjet si arritje të standardeve ndërkombëtare, ndërkohë që opozita nga ana e saj, argumentoi se demokracia në Shqipëri është e rrezikuar për shkak të refuzimit të kryerjes së transparencës së plotë të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Në konferencën jubilare me rastin e 1 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se zgjedhjet e fundit parlamentare arritën standardet e kërkuara për një vend që tashmë është anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Këto zgjedhje, sipas Kryeministrit, janë kushti themelor i funksionimit të lirisë dhe organizmave demokratikë. Për këtë arsye, sipas tij, Shqipëria ka marrë edhe votëbesimin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të përfituar në të ardhmen statusin e vendit kandidat. "Në vitin e parë të anëtarësimit në NATO, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të mira në historinë e saj. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht themelor i funksionimit të lirisë dhe institucioneve të një vendi demokratik. Në vitin e parë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ne merituam të votëbesoheshim nga qeveritë e 27-të vendeve anëtare të Bashkimit Europian për statusin e vendit kandidatit për në BE. Vendimi i datës 16 nëntor në raport me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian është, pothuajse, siamez me vendimin e 2 prillit të vitit 2008, me ftesën për t'u bërë anëtarë të NATO-s", - tha dje Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje se Shqipëria është e angazhuar për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian, në të njëjtën mënyrë siç u bë anëtare e Aleancës ushtarake një vit më parë. "Shqipëria u angazhua dhe është e angazhuar në reforma të gjithanshme. Autoritetet e këtij vendi do të punojnë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian me të njëjtin seriozitet dhe vendosmëri që punuan për anëtarësimin e saj në NATO", - u shpreh ai. Por, nga "selia rozë", në një bashkëbisedim me gazetarët, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, theksoi se 1-vjetori i Shqipërisë në NATO, e gjen vendin në protesta për shkak të deformimit të zgjedhjeve të Qershorit, ku demokracia dhe liria, sipas tij, janë të kërcënuara. "Sot, ky përvjetor i parë i hyrjes në këtë aleancë të madhe, të popujve të lirë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, e gjen Shqipërinë në protestën e popullit opozitar, pikërisht, sepse liria, demokracia, drejtësia dhe ekonomia, janë nën një kërcënim të përditshëm. Ky është bilanci i përvjetorit të parë të hyrjes në NATO, një bilanc që lidhet me një zhvillim jashtëzakonisht dramatik dhe shqetësues për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit, që i ka rrënjët te deformimi i vullnetit të popullit në zgjedhje dhe pastaj shtrihet në një proces degradimi të qeverisjes", - tha dje Rama.