E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoron drejtuesit e komuniteteve fetare

Presidenti i Republikës nderon drejtuesit e komuniteteve fetare në vend me titullin "Gjergj Kastriot Skënderbeu"


TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të dekorojë ditën e hënë me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" përfaqësuesit e katër komuniteteve fetare për kontributin e tyre në ushtrimin e besimit, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Kreu i shtetit do të dekorojë me këtë urdhër secilin prej krerëve të komuniteteve fetare, duke nisur që nga kryetari i komunitetit mysliman, Hafiz Selim Muça, kryetarin e komunitetit katolik, arkipeshkvi i Durrësit dhe i Tiranës, Monsijor Imzot Rrok Mirdita, kreu i komunitetit bektashi, Haxhi Dede Reshat Bardhi, si dhe Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos. Sipas burimeve nga Presidenca, të katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend do të priten në paraditen e ditës së hënë nga kreu i shtetit në selinë e Presidencës, i cili do t'i dekorojë edhe me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu". Të katër këto komunitete që pas ringritjes së tyre pas shembjes së regjimit komunist janë karakterizuar nga një harmoni e bashkëjetesë fetare, duke e zhvilluar dialogun ndërfetar drejt tolerancës dhe mirëkuptimin, si dhe duke shmangur në të njëjtën kohë të gjithë precedentët për konflikte të mundshme fetare midis besimtarëve të këtyre komuniteteve. Presidenti Topi është i pari president shqiptar që e ndërmerr këtë hap, për të dekoruar përfaqësuesit e katër komuniteteve në vend, gjë që nuk është bërë nga asnjë president paraardhës. Dekorimi i përfaqësuesve të komuniteteve fetare është edhe një vlerësim që u bëhet atyre, në një kohë kur politika interesohet për këto komunitete dhe bashkëjetesën ndërmjet tyre vetëm në rastet e festave fetare. Ndërkohë, për kryepeshkopin Janullatos, ky është titulli i dytë që i jepet, sigurisht, jo nga Presidenti i Republikës. Një vit më parë, kryepeshkopi Janullatos u nderua nga Universiteti i Korçës, "Fan S. Noli", me titullin "Honoris Causa". Motivacioni i këtij titulli ishte "për kontribut të shquar në fushën e teologjisë, kontribut për bashkëjetesën fetare midis qytetërimeve, si dhe kontributin në shkencë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›