Lushnja, dëshmi për trukim në FSHF
Lushnja-Bylis nuk ka fund. Pas verdiktit të fushës ka rinisur një përballje tjetër jashtë fushe me akuza e kundërakuza nga të dy klubet lidhur me mundësinë e trukimit të kësaj ndeshje. Klubi i Lushnjës ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka parashtruar pesë pika të cilat akuzojnë Bylisin për manipulim të ndeshjes. Para zhvillimit të takimit, sipas drejtuesve të klubit ka pasur përpjekje për trukimin e rezultatit të ndeshjes. Për këtë i është vënë në dispozicion FSHF-së numri i celularit, ku zbardhja e tabulateve jep të vërtetën. Një rol përcaktues sipas tyre kanë luajture dhe arbitrat me vendimet e tyre të njëanshme. KF Lushnja ka dënuar sjelljen dhe qëndrimin e trajnerit të ekipit të Bylisit, të cilat ishin provokative dhe irrituese për gjyqtarët dhe publikun. Më tej denoncohet ngritja sipas drejtuesve lushnjarë, e një sistemi manipulimi të opinionit futbollistik nëpërmjet moviolave në studio të ndryshme sportive, ku opinioni i specialistëve kërkohet të jepet vetëm me rastet e servirura, pa treguar dinamikën e gjithë takimit. Dhe në fund i është kërkuar FSHF-së, të hetojë dhe të marrë masat e duhura për trukimet dhe veprimet manipuluese të denoncuara në media ku objekti kryesor është ekipi i Bylisit, si në ndeshjen e sezonit të kaluar Shkumbini-Bylis, ashtu dhe në ndeshjet e këtij sezoni: Turbina-Bylis, Bilishti-Bylis, Lushnja-Bylis, Burreli-Bylis dhe Skrapari-Bylis.