CEZ: Kontrolli i KE për konkurrencën, rrjedhojë e rritjes së kompanisë
Pas lajmit se Komisoni Evropian ka nisur hetim ndaj grupit CEZ, për shkelje të konkurrencës, ka ardhur edhe reagimi i çekëve. Pronarët e rinj të OSSH në Shqipëri, me anë të një njoftimi kanë sqaruar pozicionin e tyre. Sipas deklaratës zyrare, që mban firmën e Josef Hejsek. Menaxherit të CEZ Albania, në datë 24 nëntor në orët e para të mëngjesit në zyrat e drejtorisë CEZ në Pragë dhe në adresën zyrtare të shoqërisë së minierave të Çekisë Veriore të grupit CEZ, u paraqitën punonjësit e inspektimit të Komisionit Evropian, duke i dorëzuar përfaqësuesit të kompanisë urdhrin e komisionit. Komisioni Evropian e justifikoi kontrollin duke dhënë arsyen se ka informacion që CEZ mund të ketë tentuar të kufizojë zhvillimin e konkurrencës midis kompanive në tregun e energjetikes. "Me konkretisht u tha se CEZ mund të kishte krijuar pengesa në projektet e prodhueseve konkurrentë të energjisë dhe që mund të jetë i implikuar në kufizimin e tregtisë së qymyrgurit ose që mund të ketë manipuluar çmimet në tregun çek të energjetikës. Ky kontroll vjen si rrjedhojë logjike e rritjes së CEZ, i cili sot është pjesë e kompanive më të mëdha të energjetikës dhe për këtë arsye ndodhet nën një mbikëqyrje të rreptë", theksohet në njoftimin zyrtar. Përfaqësuesi i CEZ në Shqipëri sqaron se, Komisioni Evropian në të njëjtën mënyrë ka ushtruar kontroll dhe mbi 20 kompani të tjera energjetike në 6 shtete, së fundmi në mars të vitit 2009 realizoi kontrollin e rreptë në gjigantin Electricité d'France në France. Para një viti u inspektua gjithashtu, kompania gjermane EON. "Më 1 dhjetor para orës 15:00 punonjësit e inspektimit të Komisionit Evropian lanë ndërtesën e drejtorisë së përgjithshme të CEZ në Pragë. Me këtë u mbyll dhe kontrolli lokal në CEZ. Punonjësit e inspektimit morën me vete disa dokumente të printuara për kontroll. Jemi të bindur që të gjitha veprimet tona në tregun e energjetikës janë në përputhje me të gjitha ligjet, rregullat dhe etikën. Duke marrë në konsideratë se Komisioni Evropian disa herë është shprehur se tregu në Republikën Çeke është nga më të hapurit në Komunitetin Evropian, mendojmë se edhe ky inspektim do të dalë me të 0njëjtin përfundim". Por në deklaratën zyrtare, theksohet se hetimi për konkurrencën mund të ketë lindur pikërisht nga konkurrentët e grupit. "Prandaj këtë kontroll e mirëpresim dhe e shohim si një mundësi për t'i dhënë fund spekulimeve të përhapura nga konkurrentët tanë dhe nga kompanitë me të cilat jemi në kontradikta tregtare. Besojmë se Komisioni Evropian do t'i marrë të gjitha faktet në shqyrtim. Punonjësve të kontrollit, CEZ i ofroi bashkëpunim maksimal dhe është i gatshëm që këtë bashkëpunim ta vazhdojë edhe në të ardhmen", thekson në deklaratën e tij, Josef Hejsek, menaxheri i CEZ Albania.