Berisha: Zgjedhjet t’i hetojnë 100 prokurorë
ADI SHKEMBI
Maxhoranca kon-kretizon ofertën e saj për opozitën, lidhur me hetimin e zgje-dhjeve të përgjithshme. Pak ditë pas votimit në Parlament të komisionit hetimor, kreu i Qeverisë Sali Berisha ka rikonfirmuar qëndrimin për të bërë transparencën e procesit elektoral nëpërmjet Prokurorisë. Duke folur pas vizitës në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, Kryeministri tha se propozimi i tij është kontraktimi i 100 prokurorëve dhe vënia në dispozicion të një buxheti të mjaftueshëm për hetimin e kutive të 28 qershorit. “Ky 22 mars i gjen shqiptarët më të bashkuar se kurrë. Por në qoftë se transparencës i themi transparencë, propozimi im për angazhimin e 100 prokurorëve me mandat të plotë për transparencë në çdo qelizë, skutë, proces, fletë votimi të procesit zgjedhor, angazhimi i një buxheti të mjaftueshëm për të përmbushur plotësisht këtë detyrë, mendoj se është zgjidhja totale e problemit në rast se kërkohet transparenca. Refuzimi i tyre dëshmon se ka vetëm zero fakte. Ka zero fakte, sepse prokurori funksionon mbi bazën e fakteve konkrete”, tha dje kreu i ekzekutivit. I pyetur se si do të funksionojë komisioni në kushtet kur opozita nuk do të jetë e pranishme, Berisha tha se “Komisioni i jep fakte prokurorëve. Unë premtova 100 prokurorë, në mënyrë që të mos ketë vonesa në proces”. Por sipas tij, kreu i opozitës, Edi Rama nuk ka fakte për të hetuar zgjedhjet. “Imagjino nëse zoti Rama ka 100 fakte dhe 100 prokurorë fillojnë njëherazi hetimin e tyre. Pra, me një shpejtësi shumë më të madhe nga çdo mund ta bënin 15 anëtarë komisioni dhe me një kompetencë e profesionalizëm shumë më të madh, por edhe në respekt të plotë të Kushtetutës së vendit, që përcakton ndarjen e pushteteve, si një nga 2-3 shtyllat themelore të sistemit demokratik; në respekt të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat nuk i lejojnë politikanët që të marrin në dorë kompetenca të pushtetit gjyqësor”, vijoi më tej Kryeministri. Në fund ai ftoi sërish opozitën që të marrë pjesë në komision për të bërë transparencën e zgjedhjeve. “Pra, unë mendoj se kjo nuk refuzohet. Uroj dhe shpresoj që ata që janë të interesuar për transparencë, ta pranojnë këtë ofertë. Oferta është më e ndershmja dhe më e sigurta për transparencë të plotë”, u shpreh Berisha. Maxhoranca vendosi në seancën e fundit në Parlament të ngrejë komisionin hetimor, sipas kërkesës së opozitës, por pa pranuar kushtin kryesor të saj, hapjen e kutive të votimit. Në debatin që zgjati dy ditë, dhe përkoi me vizitën e komisionarit për zgjerimin Stefan Fule, PS u tërhoq nga nisma e saj, por atë e votuan 73 deputetët e maxhorancës, madje duke përcaktuar edhe anëtarët e saj në këtë komision. Vendimi saktëson se opozita do të ketë kryetarin dhe maxhorancën në këtë komision. Por pakica nga e saj kundërshtoi menjëherë të nesërmen ngritjen e këtij komisioni, duke u shprehur se shumica përdori forcën e kartonëve. “Sipas Kushtetutës, komisioni hetimor ngrihet me kërkesën e 28 deputetëve dhe për ngritjen e tij ka një procedurë të përcaktuar shumë qartë. Kurse në Parlament ndodhi ajo që ndodhi në KQZ, për shpalljen e rezultatit zgjedhor, kur me dhunën e kartonëve u mohua një e drejtë e ligjshme për transparencë dhe rinumërim. Dje me dhunën e kartonëve u dhunua një e drejtë kushtetuese, u mohua një e drejtë ligjore, u asgjësua një e drejtë procedurale. Njësoj si në Ruzhdie”, tha një ditë më vonë kreu i PS-së, Edi Rama.
Ilir Meta
“Jeni në dijeni të iniciativës më të fundit të Kryeministrit Berisha, për të mbështetur Prokurorinë, në mënyrë që ajo të ketë kapacitetet e duhura njerëzore, pra me fonde, pasi këto gjëra i zgjidh vetë Prokuroria që është e pavarur nga Qeveria, në mënyrë që ajo të ketë një task-force vetëm për hetimin e zgjedhjeve, sipas pretendimeve që ngre, apo mund të ngrejë Partia Socialiste. Pra është e qartë se nga ana e maxhorancës janë bërë të gjitha lëshimet e duhura dhe janë krijuar të gjitha mundësitë, të cilat kanë të bëjnë me një rol konstruktiv të opozitës për të verifikuar pretendimet e saj”.
Jozefina Topalli
Duke folur në takimin e djeshëm me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se komisioni bazohet në parimin e respektimit të Kushtetutës dhe transparencën e plotë. “Ky komision për transparencën e plotë të zgjedhjeve më të mira, të lira dhe të ndershme, bazohet në dy parimet themelore që Komisioneri për zgjerim Fule theksoi në deklaratën e tij: Transparencë e plotë dhe respekt i Kushtetutës. Si Kryetare e Kuvendit, unë i kam ftuar dhe shpresoj që deputetët socialistë të vijnë në komisionin hetimor të zgjedhjeve dhe të bëhen pjesë e transparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit”.