E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos me armë kushëririn, në kërkim



SARANDE - Konflikti ndërmjet kushërinjve ka çuar në përdorimin e armës dhe plagosjen e njërit prej tyre. Ngjarja ndodhi në afërsi të fshatit Janjar, në komunën e Markatit, rreth 65 kilometra larg qytetit të Sarandës. Sipas policisë, Refat Hasani, 58 vjeç dhe Halit Hasani, 49 vjeç, prej vitesh kanë pasur konflikte me njëri-tjetrin e për rrjedhojë ata nuk kishin pasur marrëdhënie të mira as mes familjeve. Mësohet se mbrëmjen e së dielës, Refat Hasani është grindur përsëri me kushëririn e tij. Sipas policisë, dy kushërinjtë Hasani në momentin kur janë konfliktuar ndodheshin secili në mjetin e tij. Për t'iu larguar grindjes, 49-vjeçari është nisur në drejtim të fshatit Janjar. Por në fillim të fshatit, 58-vjeçari ka qëlluar me armë mbi mjetin e Halit Hasanit dhe më pas është larguar me shpejtësi për t'i shpëtuar prangave të policisë. Për pasojë, viktima ka marrë plagë. Ai është ndihmuar nga bashkëfshatarët e tij, të cilët e kanë dërguar me urgjencë në spitalin e Sarandës. Policia mbërriti menjëherë në vend, pas sinjalizimit të dhënë dhe nisi hetimet. Blutë morën në pyetje disa persona që mund të kishin dijeni për ngjarjen dhe shkakun e saj. Pasi identifikuan si autor të plagosjes Refat Hasanin, policia e Sarandës e shpalli atë në kërkim. Por gjer në orët e mbrëmjes së djeshme, ende nuk ishte lokalizuar vendndodhja e të kërkuarit. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›