Studimi, meshkujt “me lekë” kanë më shumë të dashura
zirina llambro
Femra materialiste apo meshkuj që joshin me fasada? Përgjigjet për këtë pyetje janë krejtësisht relative. Fundja kujtdo i pëlqen komoditeti e luksi, ndonëse kaq nuk mjafton për të qenë i lumtur në jetë. Në një shoqëri jo pak të sipërfaqshme si kjo e jona (dhe jo vetëm...) mesazhi përcillet më së miri. Nëse portofolin e ke plot, mund të kesh gjithçka që do. Madje shpesh nuk ka rëndësi as mosha, as pamja e mbi të gjitha as niveli intelektual. Nuk ka nevojë të lodhesh shumë për femra, oferta është më e lartë se kërkesa. Këto fakte i dëshmon edhe studimi i fundit demografik e shëndetësor. Sipas të dhënave të tij, sa më i kamur të jesh, aq më shumë të dashura ke. Nëse mesatarisht meshkujt e moshës 25-49 vjeç numërojnë 2.7 partnere seksuale, studimi diferencon meshkujt me të ardhura të larta. Mesatarja për ta është 3.7 partnere, sigurisht deri në momentin që është bërë anketimi. Të privilegjuar janë edhe meshkujt me shkollë të lartë. Ata kanë mesatarisht 3.1 partnere. Nga sa raportojnë femrat, numri mesatar i partnerëve është disa herë më i ulët. Shifrat flasin për 1.1 partnerë për grupmoshën 25-49 vjeç. Jo fort bindëse këto të dhëna, sidomos për metropolin, ku së fundmi pasja e vetëm një partneri ka nisur të shihet si problem. Studimi tregon se 5% e meshkujve dhe rreth 1% e femrave raportojnë se kanë pasur dy ose më shumë partnerë në 12 muajt e fundit. Sjelljet seksuale ndryshojnë nga vendbanimi. Në zonat urbane, numri i femrave që kryejnë marrëdhënie seksuale me shumë partnerë është më i lartë. Prevalenca e marrëdhënieve seksuale me risk është më shumë në Tiranë, me përkatësisht 9% e femrave dhe 28% e meshkujve. Mes meshkujve që kanë pasur më shumë se dy partnere vitin e fundit, vetëm 50% e tyre raportojnë se kanë përdorur prezervativ gjatë marrëdhënies së fundit seksuale. Por edhe në këtë kontingjent duket se ka diferenca. Burrat e pamartuar janë disa herë më të prirur se të martuarit për të përdorur prezervativët gjatë marrëdhënieve seksuale. Kështu 56% e meshkujve të pamartuar, që kanë pasur më shumë se dy partnere në vitin e fundit, raportojnë se kanë përdorur prezervativin kundrejt 15% të burrave të martuar. Sa i përket asaj që raportojnë femrat, vetëm 1/4 e tyre pohojnë se partneri ka përdorur prezervativ gjatë aktit seksual. Vetëm 1 për qind e femrave dhe meshkujve të moshave 15-24 vjeç raportojnë se kanë bërë seks për herë të parë para moshës 15 vjeç. Shifrat rriten ndjeshëm në harkun 18-24 vjeç, ku 15% e femrave të anketuara, kundrejt 23% të meshkujve, pohojnë se kanë kryer marrëdhënie seksuale. Vajzat e reja me arsimim të ulët 8-vjeçar janë më të prirura të bëjnë seks para moshës 18 vjeç, sesa ato me arsim të mesëm e të lartë. Shifrat tregojnë se 19 % e femrave me arsim tetëvjeçar, kundrejt 15% të tyre me arsim të mesëm dhe 8% me arsim të lartë, pranojnë se kanë pasur marrëdhënie seksuale për herë të parë rreth moshës 18 vjeç. Të dhëna jo fort bindëse jep studimi sa i përket marrëdhënieve seksuale para martese. Rreth 89% e femrave të pamartuara, të moshës 15-24 vjeç, raportojnë se nuk kanë kryer kurrë marrëdhënie seksuale, krahasuar me 65% të meshkujve.
1 per qind
e meshkujve të anketuar, nga mosha 15-49 vjeç, pohojnë se kanë kryer seks me pagesë në vitin e fundit. Nga këta meshkuj, tre në katër pranojnë se kanë përdorur prezervativ gjatë aktit seksual. Seksi me pagesë konsiderohet me risk shumë të lartë, për t’u infektuar nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
6 gra
nga 10 pohojnë se tërheqja është mënyra që përdorin për planifikimin familjar. Një në nëntë gra të martuara, të moshës 15-49 vjeç, përdor një metodë moderne të planifikimit familjar. Përdorimi i metodave moderne kontraceptive është më i lartë në zonat urbane sesa në ato rurale (12% kundrejt 10%, përkatësisht).
8998 familje
përkatësisht 7584 femra dhe 3013 meshkuj të moshës 15-49 vjeç, janë bërë pjesë e studimit demografik shëndetësor. Studimi ofron një bazë të mirë të të dhënave dhe vlerësimeve statistikore të treguesve socialë, të cilët do të përdoren nga politikëbërësit, kërkuesit, organizatat joqeveritare dhe akademikët.
Vajzat e reja, seks me partnerë mbi 10 vjet më të rritur
Pjesë e studimit janë edhe vajzat e reja që kanë marrëdhënie seksuale me burra shumë më të rritur në moshë. Sipas mjekëve infeksionistë këto eksperienca seksuale mund të çojnë në përhapjen e SIDA-s dhe të Sëmundjeve të tjera të transmetueshme. Kapitulli i veçantë i studimit demografik ekzaminon prevalencën e akteve seksuale ndër partnerët me diferenca të mëdha moshe. Femrat e moshës 15-24 vjeç, që kanë bërë seks me rrezik të lartë gjatë 12 muajve që i paraprinë studimit, u pyetën për moshën e të gjithë partnerëve të tyre. Në rastin kur ato nuk e dinin moshën e saktë të partnerit, u pyetën nëse ai ishte më i ri ose më i rritur se ato dhe nëse ky partner ishte 10 ose më shumë vjet më i madh se ato. Përgjithësisht, 3 për qind e të rejave të moshës 15-24 vjeç dhe 6 për qind e të rejave të moshës 15-19 vjeç kanë kryer marrëdhënie seksuale me rrezik të lartë me një mashkull 10 ose më shumë vjet më të madh në moshë. Ndërkohë që pjesë e studimit demografik shëndetësor ka qenë edhe përfshirja në një akt seksual nën ndikimin e alkoolit i cili mund të dëmtojë gjykimin, të cenojë raportin e pushtetit dhe të shkaktojë sjellje të rrezikshme seksuale. Të intervistuarit që kryenin marrëdhënie seksuale gjatë 12 muajve përpara projektit, u pyetën (për çdo partner) nëse ato ose partneri i tyre kishin pirë alkool herën e fundit që bënë seks me partnerin dhe nëse ato ose partneri i tyre ishin të dehur gjatë seksit.
Kondomi, në marrëdhënien e parë
Vetëm 50% e meshkujve të anketuar pranojnë se kanë përdorur prezervativ gjatë aktit të parë seksual. Këto shifra janë më të ulëta te femrat. Vetëm 19% e tyre thonë se partnerët kanë përdorur kondom në momentin që ato kanë kryer marrëdhënien e parë seksuale. Femrat në zonat urbane janë shumë më të prirura të përdorin prezervativ gjatë aktit të parë seksual se ato në zonat rurale. Përkatësisht janë 37% në qytete, kundrejt 6% në zonat rurale. Mjekët këshillojnë se marrëdhëniet seksuale të mbrojtura janë të rëndësishme, për të pasur një aktivitet seksual të shëndoshë.
Sëmundjet e seksit, të prekurit nuk trajtohen
Mjekët kanë ngritur disa herë alarmin për rritje të numrit të personave që vuajnë nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Sipas studimit demografik, 11% e meshkujve dhe 5% e femrave raportojnë se kanë pasur një sëmundje seksualisht të transmetueshme në vitin e shkuar. Problem mbetet trajtimi mjekësor. Studimi tregon se 49% e femrave dhe 88% e meshkujve që kanë pasur shenja të një infeksioni seksual, nuk kanë marrë asnjë trajtim dhe nuk kanë kryer asnjë vizitë te mjeku. Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë sëmundje që shkaktohen nga bakterie të cilat transmetohen përmes kontaktit seksual. Këto sëmundje janë ndër infeksionet më të përhapura në botë. Shqiptarët janë të painformuar për rrezikun e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Por edhe kur i njohin, nuk dinë si të trajtohen. Më të rrezikuarit janë të rinjtë, të cilët kryejnë marrëdhënie të pambrojtura me disa partnerë. Alarmi është ngritur disa herë nga specialistët e ISHP-së, të cilët kanë bërë apel për më shumë sensibilizim dhe përdorim të kontraceptivëve nga popullata.