Dade: Do përdorim çdo mjet për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit
Partia Socialiste nuk heq dorë nga transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputetja socialiste, Arta Dade, përsëriti qëndrimin se opozita nuk do dorëhiqet nga kauza që ajo e quan kushtetuese dhe ligjore, për hetimin e plotë të zgjedhjeve në funksion të transparencës dhe shpëtimit të procesit të ardhshëm zgjedhor nga korrupsioni elektoral. “Partia Socialiste është e vendosur në kërkesën për hetimin e zgjedhjeve. Ne do të përdorim çdo mjet demokratik, përfshirë protestat dhe manifestimet masive për të arritur një të drejtë kushtetuese dhe ligjore, atë të hetimit të plotë të zgjedhjeve në funksion të transparencës dhe shpëtimit të procesit të ardhshëm zgjedhor nga korrupsioni elektoral”, u shpreh Dade. Sipas sekretares socialiste, miratimi nga Parlamenti të premten, i ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet, me votat vetëm të maxhorancës është antikushtetuese dhe antiligjore. “Në shkelje flagrante të rregullores, me forcën e kartonit, të një grupi parlamentar të përbërë jo nga përfaqësues të lirë të popullit, por nga puthadorët e Saliut e Jozefinës, kjo maxhorancë vendosi që hetimin e Ruzhdies ta shndërrojë në një Ruzhdie tjetër, këtë herë parlamentare, ku i pandehuri heton vetveten, ku i akuzuari bën hetuesin, prokurorin, e gjykatësin, vendos rregullat e lojës, vendos se çfarë do të hetojë e çfarë jo”. Dade përsëriti qëndrimin e djeshëm të dalë nga grupi parlamentar i PS-së, se veprimi jo vetëm që nuk zgjidh krizën por e thellon atë. Socialistët akuzojnë Kryeministrin Berisha për “tallje” ndaj shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, të cilët kërkuan zgjidhje përmes transparencës dhe në respekt të Kushtetutës. “Të premten Sali Berisha nuk u tall vetëm me shqiptarët, por dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kërkesës së faktorit ndërkombëtar, vetëm pak orë përpara atij votimi të paprecedent, të shprehur qartë përmes komisionerit Fule për një zgjidhje përmes transparencës e në respekt të Kushtetutës, pushteti i Ruzhdies iu përgjigj me brutalitet duke tjetërsuar e vjedhur nismën e deputetëve socialistë e duke e shndërruar atë në një farsë që mund të jetë çdo gjë, përveçse hetim”, u shpreh Dade. Partia Socialiste refuzon komisionin hetimor për zgjedhjet dhe deklaron se do të përdorë të gjitha mjetet demokratike, përfshirë këtu dhe protestat masive për të arritur qëllimin e transparencës së zgjedhjeve. Sipas sekretares socialiste, maxhoranca refuzoi ofertën e dhënë nga opozita për gjetjen e një zgjidhje serioze të krizës politike në vend. “Ky veprim i Sali Berishës, jo vetëm që nuk e zgjidhi krizën, por me guximin për të vjedhur votat e opozitës, aty në Parlament, e thelloi atë edhe më tej. Ofertat serioze të kompromisit, u hodhën poshtë me arrogancë e papërgjegjshmëri, nga kryeministri e maxhoranca e Ruzhdies, çka e zhveshi Kuvendin e Shqipërisë edhe nga ajo fasadë e brishtë legjitimiteti që i kish mbetur, dhe i tregoi botës mbarë fytyrën e tij të vërtetë: të korruptuar, ilegjitime, anti-demokratike”, u shpreh Dade. ar.lu