E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama nuk do që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale



Partia Demokratike akuzoi dje Partinë Socialiste se nuk po pranon hetimin parlamentar, pasi nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Duke folur në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli tha se kjo është arsyeja përse kreu i opozitës, Edi Rama refuzon ofertën e maxhorancës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit përmes një grupi të Prokurorisë. “Edvin Kristaq Kriza apo Kryetar 2 K, sërish i tmerruar nga transparenca e hapjes së kutive, pas ofertës së shumicës për hetim të çdo gjëje me ndihmën e 100 prokurorëve e hodhi poshtë këtë ofertë. Partia Demokratike informon qytetarët shqiptarë se nuk është transparenca ajo që kërkon zoti Rama, por vazhdimi i këtij seriali trillimesh dhe mashtrimesh, për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale, ku sigurisht që e pret një disfatë e plotë”, tha dje zëdhënësja e PD-së. Në të njëjtën kohë, ajo theksoi se Partia Socialiste nuk kërkon hetim nga organi i akuzës, pasi nuk disponon asnjë provë për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. “Sot Kryetar Kutia nxori për të shpifur dhe trilluar ndrikullën e organizatës terroriste “Hakmarrja për drejtësi”, ku kërkoi sërish që të marrë në dorë vendimet e gjykatave, refuzoi hetimin e komisionit parlamentar të kombinuar me atë të prokurorisë dhe kjo vetëm se nuk disponon qoftë dhe një provë apo fakt të vetëm për të vërtetuar pretendimet e tij”, tha më tej Mëhilli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›