Berisha: Zgjerojmë frontin opozitar, negociata me PDIU

TIRANË, 21 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se PD do të bëjë aleancë me këdo që kërkon largimin e Edi Ramës.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha vlerësoi se Shpëtim Idrizi (PDIU) është aleat i çmuar, ndërsa Basha është i Ballës.
“Shpëtim Idrizi është një aleat dhe ne do të zhvillojmë negociata serioze. Ne e vlerësojmë partinë e Idrizit si një aleate të çmuar. Do të bëjmë gjithçka për të zgjeruar frontin opozitar edhe me parti të tjera”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se nuk përjashton asnjë.
Berisha ftoi partitë e tjera, edhe ato që janë të pavendosur,a që të bashkohen në një front për të larguar Edi Ramën nga pushteti.
Duke folur për votimin elektronik, Berisha u shpreh se elektronikën në zgjedhje e rrëzoi PS, ndërsa shtoi se nuk është në dijeni të ndonjë propozimi të KQZ-së për projekt pilot.
Berisha siguroi po ashtu se krimi më i rëndë do të konsiderohet shkelja e ligjit elektoral.
“Në qoftë se ne nuk ndëshkojmë krimin elektoral, ne me duart tona i hapim gropën, varrin demokracisë shqiptare. Dhe absolutisht nuk ka mjet më të fuqishëm se ky”, tha ai.
Gjatë konferencës për shtyp, Berisha foli po ashtu edhe për çmimet e larta të banesave, ndërsa shtoi se në programin e PD-së parashikohet ndërhyrje pasi kjo është bërë një problematikë shumë e mprehtë.
“Atëherë qeveria ka një zgjidhje, një mundësi, përveç zbutjes me mënyra të ndryshme, qeveria duhet të ndërtojë ndërtesa sociale, të cilat duhet të kenë një synim, çmimet reale, shitjen me çmime reale. Dhe nuk është e dëshirueshme, por absolutisht do ndërhyj, ne do ndërhyjmë me ndërtesa sociale, të cilat qytetarëve do t’u shiten me çmime pak mbi kosto, por me çmime të pakrahasueshme me çmimet që shesin narkotrafikantët në këto monumente të korrupsionit. Kjo i detyron të gjithë të zbresin edhe me çmime”, tha ai.
Duke folur mbi shëndetësinë, Berisha tha se “shëndetësinë e kanë shkatërruar koncesionet e Edi Ramës dhe ato do të marrin fund”.
“Shëndetësia do një dyfishim të buxhetit. Është e domosdoshme një investim i veçantë për imazheri dhe laboratorë, për të pasur teknologjitë më të fundit. Mund të jetë më shumë se 100 milionë, se nuk rrinë çmimet siç kanë qenë, por sado të kushtojë, duhet një investim në këto shërbime, në mënyrë që të ketë një shërbim të shpejtë. Nuk mund të diskutohet që të mungojnë më ilaçet”, tha ai.
/m.m/r.e/