GJERMANI – Partitë kryesore politike në rënie të lehtë, AfD rritet 1%

BERLIN, 21 shkurt /ATSH-DPA/ – Nga sondazhi i fundit i publikuar sot, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve të parakohshme gjermane, del që blloku konservator dhe socialdemokratët pësuan një rënie të lehtë, ndërsa partia e ekstremit të djathtë ”Alternativa për Gjermaninë” u rrit me 1%.
Opozita e qendrës së djathtë, CDU, dhe partia e tyre motër bavareze, CSU, të cilët kanë qenë vazhdimisht në vend të parë në muajt para zgjedhjeve, ranë me një pikë në 29%, sipas sondazhit të kryer nga ”Forsa” në emër të transmetuesve RTL/ntv.
Partia Social-demokrate (SPD) e kancelarit Olaf Scholz gjithashtu humbi një pikë, duke rënë në 15% – që do të thotë se kampet kryesore politike të Gjermanisë nuk kanë gjasa të mbledhin vota të mjaftueshme për të formuar një “koalicion të madh” tradicional që përbëhet nga CDU/CSU dhe SPD.
Të gjelbrit, partneri i vogël në qeverinë aktuale të pakicës së qendrës së majtë të Scholz, ishte i palëvizshëm në 13%, sipas sondazhit, një rezultat që gjithashtu do t’i përjashtonte ata si partnerin e vetëm të koalicionit për CDU/CSU.
Ndërkohë, ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD) e ekstremit të djathtë rriti pjesën e saj me një pikë në 21%, duke çimentuar mbajtjen në vendin e dytë.
Mbështetja për partinë ”Die Linke” gjithashtu u rrit me një pikë në më shumë se 8%.
Demokratët e Lirë (FDP) pro biznesit dhe Aleanca populiste e Sahra Wagenknecht (BSW), e cila bën fushatë për një përzierje të politikave ekonomike të krahut të majtë dhe pikëpamjeve kundër imigracionit, mund të mos arrijnë të hyjnë në parlament këtë herë, me sondazhin e ”Forsa”-s, që i vendos ato respektivisht në 5% dhe 3%./ a.jor.