Berisha akuzon Prokurorinë: “Plan B për grushtin e shtetit”
Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar ashpër dje Prokurorinë e Përgjithshme, duke u shprehur se ky institucion ka bërë gati planin B për vazhdimin e grushtit të shtetit. Sipas kreut të qeverisë, plani B i Prokurorisë është pikërisht lëshimi i urdhër-arresteve ndaj drejtuesve të Gardës së Republikës, të cilët, sipas kryeministrit, mbrojtën institucionet e shtetit. Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë se një hetim i ndershëm dhe i paanshëm i zhvillimeve para Kryeministrisë më 21 janar, është i domosdoshëm. Berisha tha se u ka kërkuar vendeve mike të ndihmojnë me ekspertë të tyre në hetimin e plotë të të gjitha rrethanave. Gjithashtu, kryeministri garantoi qytetarët shqiptarë se Edvin Kristaq Rama, i cili tregoi se është i gatshëm të djegë gjithçka për të marrë karrigen e kryeministrit, si dhe çdo puçist tjetër do të marrë përgjigjen e merituar të puçistit.
Akuza
“Prokurorja e Përgjithshme, në një hark kohor prej 6 orësh, pa asnjë hetim, ka urdhëruar dje vënien nën arrest të të gjithë zinxhirit të Gardës së Republikës, sot ka urdhëruar ndjekjen në gjendje të lirë të njërit prej kryeterroristëve dhe kryebanditëve, të personit që është filmuar dhe fotografuar nga media, shqiptare dhe e huaj, me revolver në brez te dera e Kryeministrisë. Pas dështimit në fazën A të grushtit të shtetit, unë dua t’u them shqiptarëve se ky është skenari B. Nga dje deri sot vazhdon skenari B i puçit, por ky është më i trishtë, më i mjerë, më i pafat, më i dështuar sesa skenari A”, - është shprehur Berisha. Sipas tij, “në skenarin A puçistët ishin të mirëpërgatitur, ishin të armatosur, të droguar, të stërvitur dhe me besim të plotë se do të pushtonin institucionet, se do të merrnin pushtetin që nuk ua dha populli, ndërsa plani B janë përpëlitjet e turpshme”.
Më tej ai iu drejtua kryeprokurores Ina Rama, duke thënë se Garda e Republikës ka për detyrë të mbrojë institucionet e shtetit, duke përfshirë dhe vetë atë. “Unë dua t’i them zonjës prokurore të Përgjithshme se ajo Gardë Republike që ti kërkon ta dekapitosh për qëllime të tua, ka për detyrë të të mbrojë dhe ty, të ka mbrojtur dhe do të të mbrojë sërish, të jesh e sigurt, derisa të mbash atë post”, - është shprehur kryeministri.
Ndryshe nga Rama, i cili i cilësoi punonjësit e Gardës horra, kryeministri i cilësoi ata heronj të vendit. “Dua t’i them Edvin Krisaq Ramës që u deklaroi shqiptarëve se do të thërriste për protestën kundër horrave të gardës, se ata janë heronjtë e këtij vendi. Ata policë që ti i gjuaje me gurë, me hunj, me zjarr, janë heronjtë e vërtetë të këtij vendi”, - është shprehur Berisha, ndërsa theksoi se puçistët nuk kanë asnjë të ardhme.
“Unë dua të garantoj qytetarët shqiptarë se puçistët nuk kanë të ardhme. Ftoj çdo të ri shqiptar të kuptojë se mbi Policinë e Shtetit dhe mbi Gardën e Republikës çdo gur, çdo plumb, çdo shishe molotov nuk u hodh nga askush tjetër përveçse nga Edi Rama, i cili rrinte prapa xhamave të zinj të klubit të Fidelit dhe komandonte banditët në shesh teksa sulmonin njerëzit e rendit, njerëzit e jetës, njerëzit e sigurisë. Dua t’i kujtoj Edvin Kristaq Ramës se në rast se vazhdon kështu, do t’i ketë kohërat më të vështira që mund të imagjinojë. Unë dua ta garantoj atë se ai dhe çdo puçist tjetër do të marrë përgjigjen e merituar të puçistit”, - është shprehur Berisha.
Berisha flet për ANSA-n: “Urdhër-arrestet ndaj gardistëve nuk do të zbatohen”
“Urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme për gjashtë drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës nuk do të zbatohen në mënyrë absolute, në bazë të Kodit të Procedurës Penale”. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve “ANSA”, duke iu referuar urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria. Organi i akuzës lëshoi urdhër-arreste për gjashtë zyrtarë të lartë të Gardës, lidhur me sulmin e 21 janarit. Në intervistë, Berisha thekson se nëse kryetari i opozitës vendos të sulmojë sërish ndërtesën e qeverisë, ai do ta presë aty. “Unë do të jem këtu dhe nuk do të lejoj askënd të marrë me forcë pushtetin”, - u shpreh kreu i qeverisë, duke shtuar se nëse do të ketë incidente, gjithçka do të varet nga Rama. “Detyra ime është të qëndroj në zyrën time”, - është shprehur për agjencinë italiane të lajmeve “ANSA”, kryeministri Berisha.
Kryeministri përgëzon Gardën dhe Policinë e Shtetit
Kryeministri Berisha ka zhvilluar dje takime me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, të cilët i ka përgëzuar për ndërhyrjen më 21 janar në demonstratën para selisë së qeverisë. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Berisha vlerësoi se “më 21 janar, forcat e policisë, në mënyrën më të pamerituar, u përballën me një sulm barbar të rreth 200-300 personave të paguar dhe të droguar, që synonin të realizonin një skenar puçi, skenar që dështoi në mënyrën më të turpshme”. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se “çdo lloj proteste paqësore e organizuar në Shqipëri, ka pasur mbrojtjen e Gardës së Republikës”. Sipas Berishës, Policia e Shtetit dhe Garda nuk bëri gjë tjetër veçse “mbrojtën çdo qytetar shqiptar, dalluan qytetarin nga krimineli, ndërsa Kryeministrinë e mbrojtën si heronj, ndërsa Rama komandonte falangat e krimit”. Më tej Berisha dhe njëherë theksoi se demonstrata e 21 janarit ishte një grusht shteti dhe se populli nuk iu përgjigj pasi nuk donte të dilte mbi Kushtetutën.
PDU: “Dënojmë çdo akt dhe deklaratë dhunënxitëse”
Partia Drejtësi dhe Unitet kërkoi dje bashkimin e të gjithë qytetarëve që të dënojnë dhunën e shfaqur në demonstratën e 21 janarit. Sipas kësaj partie, duhet unitet kombëtar dhe shmangie e acarimit të mëtejshëm të të dyja palëve politike. “Në këto çaste, më shumë se kurrë nevojitet respekt dhe mbështetje për institucionet shtetërore dhe duhet që të gjitha palët t’i hapin rrugën drejtësisë, që të zhvillojë punën e saj në mënyrë të pavarur dhe të pakërcënuar”, - thekson në një deklaratë për shtyp PDU-ja. Më tej thuhet se “çdo akt dhunënxitës, çdo deklaratë që acaron edhe më tej klimën e nderë në vend, dëmton shtetin shqiptar, ekonominë e qytetarëve, shpresën e tyre, imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, çështjet kombëtare shqiptare dhe çdo qytetar që dëshiron që Shqipëria të eci në rrugën e mirëqenies ekonomike, integrimit europian dhe kohezionit social”. Partia e çamëve kërkon që të gjithë të distancohen nga dhuna fizike dhe verbale duke i lënë hapësirë institucioneve të shtetit shqiptarë për të zbardhur ngjarjen.
Zgjedhjet lokale, KQZ-ja miraton pa opozitën tetë projektvendime
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar pa praninë e përfaqësuesve të opozitës, tetë projektvendime në kuadër të përgatitjes së infrastrukturës për zgjedhjet e ardhshme lokale. Me katër vota pro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi modelin e kutisë së votimit, modelin e dhomave të fshehta, modelin e kodeve të sigurisë, modelin e vulave të Komisioneve Zgjedhore, modelin e zarfeve të sigurisë, si edhe karakteristikat e bojës matrikuluese që do të përdoret në zgjedhjet e 8 majit. Thuajse në të gjitha projektvendimet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi modelet që u përdorën edhe në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Kështu, kutitë e votimit do të jenë kryesisht ato që u përdorën në zgjedhjet e kaluara, ndërsa do të blihen të tjera nëse do të lindë nevoja, pasi në zgjedhjet e 8 majit vetëm në kryeqytet do të ketë katër kuti votimi në çdo qendër. Një kuti për kryetarin e Bashkisë, një tjetër për kryetarin e njësisë bashkiake, një kuti për Këshillin e Bashkisë dhe këshillin e njësisë bashkiake. Në fund, përfaqësuesi juridik i PD-së, Kosovrasti, kërkoi sqarime nga kreu KQZ-së, Arben Ristani, për mungesën e tre anëtarëve të opozitës.
TIA: Partitë gënjejnë për financimet
Transparency International Albania ka bërë të ditur dje gjatë një tryeze diskutimi se partitë politike gënjejnë për deklarimin e financimeve të tyre. Sipas TIA-s, asnjë institucion nuk ka bërë hetime të financimeve apo dhurimeve që u bëhen atyre në fushatat elektorale. Në një tryezë të organizuar nga Transperency International për transparencën e financimit të partive, kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor, Arben Ristani, deklaroi se është kryer një hetim, por kërkohet që ai të bëhet më i thelluar. “Në fakt, nuk është se shkeljet e konstatuara ishin të rënda, kishin të bënin me mungesën e deklarimit të numrit të llogarisë, por që nuk ishin të rënda si shkelje dhe ndoshta kjo solli uljen e ankimeve në KQZ. Sigurisht që ka vend për një hetim më të specializuar”, - tha Ristani. Ndonëse Ristani nuk ka deklaruar shkelje të konsiderueshme, përfaqësues të shoqërive civile nga hetimet e tyre dëshmuan se partitë politike kanë fshehur financimet dhe dhurimet e bëra, duke i zvogëluar me disa herë shifrat që kanë deklaruar krahasuar me ato reale. “Synojmë një paraqitje të detajuar në sytë e publikut të aseteve, financimeve të kandidatëve dhe të fushatës elektorale”, - deklaroi Lutfi Dervishi, drejtor i TIA-s. Sipas Dervishit, duhet të ketë institucione të pavarura mbikëqyrëse që të bëjnë hetimin e financimeve të partive.
25 Janar 2011