Rama: “Demonstrata e 28 janarit do të jetë paqësore dhe kundër dhunës”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, garantoi dje se demonstrata e njoftuar e opozitës për datën 28 janar do të jetë paqësore dhe europiane. Ai tha se kjo do të jetë një demonstratë kundër dhunës së pushtetit dhe një homazh për tre personat që humbën jetën të premten e kaluar. Kreu i PS-së shtoi gjithashtu se nëpërmjet kësaj demonstrate synohet t’i tregohet botës, “e cila na sheh këto ditë të rënda prej objektivit të kamerave të të gjitha stacioneve televizive të planetit, se një popull i tërë mes Europës vritet, plagoset, rrihet, arrestohet, dhunohet psikologjikisht për të ulur kokën e pranuar një mbretëri të pashpallur kusarësh e matrapazësh”. Gjatë fjalës së tij Rama hodhi akuza kundër Policisë së Shtetit, e cila, sipas tij, është bërë palë me pushtetin dhe nuk zbaton urdhrat e Prokurorisë. Më tej Rama e akuzoi Berishën dhe qeverinë e tij për dhunën e ushtruar gjatë demonstratës së të premtes.
Qëndrimi
“Të premten, 28 janar, ne do të jemi në demonstratën homazh për të vrarët nga dora barbare e regjimit të kusarisë dhe matrapazllëkut. Të premten, 28 janar, ne do të nderojmë të vrarët në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe para syve të mbarë botës, që do të jenë fiksuar mbi ne, do të dëshmojmë qytetarinë e vendosmërinë tonë. Të premten, 28 janar, kur bëhen të shtatat shqiptare, që sipas traditës janë dita e rënkimit të fundit për jetën që iku dhe e frymëmarrjes së re për jetën që vazhdon, ne do të jemi të gjithë në bulevard për ata të tre që s’do mund të jenë më aty, për Shqipërinë Europiane, për çdo njeri të zakonshëm të këtij vendi, për fëmijët e çdo shqiptari, pa dallim”, - është shprehur Rama.
Sipas Ramës, “retorika fashiste e Saliut ndaj opozitës nuk çudit askënd dhe nuk tremb as pulat në Vuçidol, jo më popullin opozitar”. Kryesocialisti e akuzoi Berishën për presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shërbimit Informativ Shtetëror. “Retorika fashiste e presioni i paligjshëm ndaj institucioneve të Prokurorisë së Përgjithshme e SHISH-it, që ky satrap i marrë e i marrë fund nuk ka arritur dot t’i fusë nën sqetullën e qelbur të regjimit të kusarisë, për të përndjekur pastaj çdo qelizë opozitarizmi në Shqipëri, si edhe kërcënimet mafioze, në kor, për prokuroren e Përgjithshme, tregojnë se sa e drejtë është beteja jonë për shpëtimin e demokracisë në Shqipëri dhe se sa të fuqishme janë arsyet që të premten, 28 janar, demonstrata-homazh të dëshmojë papërkulshmërinë tonë në këtë betejë”, - është shprehur Rama. Më tej, lideri opozitar theksoi se më 28 janar opozita do t’i përcjellë një apel të fuqishëm komunitetit ndërkombëtar, tek i cili kërkon mbështetje në kushtet kur, sipas Ramës, ekzekutorët e vrasjeve mbrohen nga qeveria dhe kur Policia e Shtetit nuk zbaton urdhrat e Prokurorisë. “Kur Policia e Shtetit nuk u përgjigjet kërkesave detyruese të organeve të Drejtësisë, por urdhrave të pushtetit, vendi nuk është në demokraci, po nën një regjim që bota demokratike nuk mund ta njohë si mik e partner, Europa e Bashkuar nuk mund ta pranojë si një qeveri demokratike, populli nuk mund ta mbajë në kurriz si një fakt të kryer me pushkët e Gardës Republikane”, - është shprehur kryetari i Partisë Socialiste.
Takimi Rama-Topi
Presidenti: “Vendosja e dialogut politik, i rëndësishëm për stabilitetin në vend”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim rreth 90 minuta me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, me kërkesën e këtij të fundit për të diskutuar lidhur me situatën e rëndë të krijuar në vend. Gjatë këtij takimi, presidenti Topi shprehu shqetësimin e madh për gjendjen e tensionuar në vend dhe nënvizoi se “në situatën e krijuar bëhet mëse e domosdoshme vendosja e dialogut politik institucional si mjaft e rëndësishme për stabilitetin e vendit, rendin publik, jetën e qytetarëve dhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”. Kryetari i shtetit nënvizoi nevojën urgjente të mbizotërimit të maturisë e dialogut, duke kërkuar nga faktorët dhe aktorët politikë të gjejnë vullnetin e duhur dhe të përmbushin përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre duke vënë interesat e vendit dhe të popullit shqiptar mbi gjithçka tjetër. “Në këto momente, më shumë se asnjëherë tjetër na duhet qetësi, maturi dhe përgjegjësi politike dhe individuale, për t’i lënë kohën dhe hapësirën e nevojshme funksionimit të shtetit të së drejtës dhe institucioneve të pavarura ligjore të tij”, - u shpreh Topi. “Institucionet e shtetit dhe punonjësit në detyrë janë të shenjtë e të paprekshëm, ashtu sikurse është edhe mbrojtja dhe kujdesi për jetën e qytetarëve. Në çdo rrethanë, e drejta legjitime për të demonstruar paqësisht duhet administruar me përgjegjësi maksimale”, - theksoi presidenti.
Gjithashtu, kreu i shtetit mbështeti edhe një herë zhvillimin e një hetimi tërësor, të paanshëm, profesional dhe transparent të ngjarjeve të datës 21 janar, duke nxitur bashkëpunimin mes institucioneve të zbatimit të ligjit. “Vetëm shteti ligjor është garancia e një vendi demokratik dhe ai duhet të respektohet nga cilido” - u shpreh presidenti Topi.
Ajtyresa: “Kuvendi u mblodh si në regjimin komunist”
Selia rozë ka komentuar dje seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit të Shqipërisë në të cilën u miratua ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për demonstratën e 21 janarit. Zëdhënësja Megi Ajtyresa u shpreh se Kuvendi u mblodh ashtu siç mblidhej gjatë regjimit komunist, për të duartrokitur udhëheqësit e dikurshëm. “Dje, i madh e i vogël, pa përfaqësuesit e këtij pushteti matrapazësh e kusarësh, teksa jepnin në Parlament shfaqjen e turpshme të radhës, duke i kujtuar çdo shqiptari ditët e fundit të regjimit komunist, kur Kuvendi Popullor mblidhej për të duartrokitur udhëheqësin, për të hedhur vrer mbi të vrarët e për të ngritur në qiell vrasësit. Po, po, pikërisht ata ekzekutorë që qëlluan me plumba mbi protestues paqësorë, të paarmatosur, njëri më larg se tjetri gardhit të të ashtuquajturave institucione. Dëgjuam dje të ashtuquajturin kryeministër, pikërisht atë që sot konsiderohet nga çdo shqiptar si padrinoja i ekzekutorëve dhe urdhëruesi i ekzekutimeve, bashkë me hajdutin me bllok në dorë, që flisnin për mbrojtje të institucioneve, kur në fakt po këta zotërinj, gjatë ditës së djeshme gjetën kurajën për të sulmuar ashpër, në mënyrë të paprecedentë, edhe ato të pakta institucione të mbetura të pavarura nga tutela e Saliut: Prokurorinë e Përgjithshme dhe Shërbimin Informativ”, - është shprehur Ajtyresa.
25 Janar 2011