Kryeministri – opozitës: Keni marrë fund o xhaketat e vjetra të Partisë Socialiste

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë fjalimi të mbajtur ditën e djeshme gjatë seancës parlamentare, kritikoi ashpër opozitën e cila nuk ka përshëndetur aktin historik të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga Presidenti i SHBA-së Xhorxh Bush, gjë që sipas Kryeministrit Berisha është një tregues i fortë i marrëdhënieve të mira mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Në të njëjtën kohë kreu i shtetit nuk ka lënë pa përmendur dhe vizitën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini i cili garantoi se në qershor të 2009 do të bëhet liberalizimi i plotë i vizave.
Reagimet e fundit të opozitës dhe kritikat e saj të vazhdueshme kreu i shtetit i ka cilësuar publicitet demaskues dhe keqdashje për të prishur imazhin pozitiv të Shqipërisë.
“Jeni futur në një krizë të thellë, në një krizë të tmerrshme në një krizë të pashpresë. Shterimet shpirtërore, shterimet emocionale që keni shfaqur gjatë tetorit, do të mbahen mend gjatë në historinë e këtij parlamenti, prisja që në sallë ju sot të përshëndesnit, ngjarjen historike të 24 tetorit, si një nga aktet më madhore në tërë episodin tonë kombëtarë. Por ju merreni me gjëra boshe”, ju drejtuar Kryeministri Berisha deputetëve të opozitës.
Duk ju rikthyer ngjarjes historike të fillimit të prillit të këtij viti, Berisha denoncoi përpjekjet dizinformuese të medieve të lidhur ame opozitën, për të përhapur lajme ët rreme të mosmarrjes së ftesës për në NATO nga Shqipëria. Berisha u ndal edhe një herë te protesta e opozitës, një ditë pas marrjes së ftesës për në NATO.
“Kemi një mënyrë tmerrësisht demaskuese, të ndjekim pak çfarë ndodhi në tiranë në datën 4 prill. Çfarë ndodhi në Tiranë më datën 3 prill, 30 minuta para se të votohej ftesa për në Shqipëri. Mediat tuaja, të vetmet në botë, u deklaronin shqiptarëve se Shqipëria nuk do të pranohet. Kishin futur një reporter si fotograf që mashtronte çdo sekondë se nuk do të miratohet. Dhe mbi këtë bazë, në një kohë udhëheqja politike e Zagrebit ishte e ftuar në Zagreb, nga presidenti Bush për të festuar aktin madhor të historisë, votëbesimin që mori Shqipëria nga 26 vende anëtare¸ Edi Rama thirri mitingun në të cilën u kapën edhe portretet e Enver Hoxhës, flamujt të rreckosur të internacionales dhe çdo gjë tjetër përveç flamujve vendimtarë të NATO. Ka një memorie filmike ky komb, nuk është më si në kohën e qepës, i ka të filmuara të gjitha”.
Më pas Kryeministri Berisha, renditi dhe denoncoi veprime e sjellje të tjera jo të denja të opozitës, në data të caktuara historike për Shqipërinë.
“Më datën 9 korrik, përfaqësues të 26 vendeve anëtare të NATO, së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Shefer firmosën protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kurse ju u morët me misra dhe kollomoqër dhe në këtë parlament nuk shqiptuat asnjë fjalë mirënjohjeje apo përshëndetjeje, u bëtë vet si misri vetëm sa nuk përdorët mustaqet e tij për flokë. Në shtator, duhej të ratifikohej në Seanatin e SHBA, i cili kishte një axhendë të stërngjeshur për shkak të krizës financiare¸dhe të zgjedhjeve, por miqtë e mëdhenj të Shqipërisë, në krye të misionit të lartë, bënë një akt të jashtëzakonshëm, e futën në rendin e ditës të komisionit të jashtëm, po ju kishit në atë kohë. Në atë kohë ju manipulonit të vdekurit, shpallni të vdekurin të ekzekutuar, ju profanuat, keni kryer aktin madhor të profanisë kolektive, dhe një akt i tillë nuk është parë në asnjë vend të botës së qytetëruar, askush nuk ka manipuluar të vdekurit, askush nuk ka shpallur të ekzekutuar njeriun që vdiqa nga aksidenti automobilistik, dhe e bëtë këtë pasi u bë i pakorruptueshëm nga ju. S’ju ndatë as për së vdekuri këtij njeriu, keni shkelur një kod, kodin më të hekurt të njeriut të qytetëruar, para tij ka vetëm, heshtje, nderim, respekt kurse ju e manipuluat e bëtë këtë vetëm për të errësuar dhe zhurmuar aktin madhor dhe historik të kongresit të SHBA. Edhe pasi u konfirmua katërçipërisht nga ekspertë të pavarur nga më të shquarit në botë, asnjë nga ju që deklaruat se kush flet vdes, ju që deklaruat se kjo ishte vrasja e shekullit nuk morët përsipër të kërkonit të falur si aktin më minimal që mund të bënit. Cili është ky moral, që s’gjeni dot forcën më minimale që edhe përpara gafave të tilla për të kërkuar të falur. Në momentin kur pritej ekspertiza, në mënyrë të papërgjegjshme, me prokurorinë, u përpoqët të kapnit mediat dhe u thatë se nuk do të njohin sipas tyre ekspertizën e ekspertit amerikan sepse kemi ekspertin tonë, i cili i përkiste klanit të ‘Hakmarrjes për Drejtësi’. Nuk kërkuat dot ndjesë para shqiptarëve, por shpikët dhe trilluat një seri historish”, vazhdoi Berisha denoncimin e tij. Më pas, Kryeministri nuk la pa përmendur edhe vizitën e suksesshme të Ministrit të Jashtëm të Italisë, bashkë edhe me garancitë që ai dha për integrimin e Shqipërisë.
“Sot është një ditë e madhe sepse sot në Tiranë ministri i punëve të jashtme të Italisë u tha shqiptarëve se në vitin 2009 do të liberalizohen vizat. Me çfarë doni ju o ish-ët e mi, a e keni kuptuar ju që udhëheqja ime ju konsideron ish-ët e mi sepse ka pështirosje ndaj jush. Politikanë jeni ju, hajdeni dhe përshëndesni momentet historike këtu, mos u llapacisni, mos u përbaltni krejt në të cilën ai që gjoja ju drejton, ai u zhyt çdo ditë e më thellë. O xhaketat e vjetra të Partisë Socialiste”, ka përfunduar fjalimin e tij në parlament, kryeministri i vendit, Sali Berisha.
...