E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Politika e sotme nuk bazohet te vota e lirë

26/08/2011  Kreu i PSD-së propozimin e Mediut e sheh si shmangie e vëmendjes nga thelbi i problemit

“Çdo sistem është demokratik nëse zbatohet drejt dhe zgjedhjet bëhen sipas standardit”

Propozimi i hedhur dy ditë më parë nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në lidhje me ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri në proporcional rajonal preferencial, për kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, përbën një tërheqje e vëmendjes nga thelbi i problematikës në politikën shqiptare. Dhe sipas Gjinushit thelbi i kësaj mbetet zbatimi i rregullave të lojës të vendosura në sistemet zgjedhore. “Çdo lloj sistemi është aq demokratik nëse zbatohet drejt dhe zgjedhjet bëhen sipas standardit. Defekti qëndron tek shkelja e sistemeve. Ne duhet të ndryshojmë politikën që nuk bazohet tek vota e lirë. Ka nevojë për përmirësime, ndonëse si me sistemin gjerman ashtu dhe me atë spanjoll ne votat i kemi me sistemin alla-Sali. Sistemi i zgjedhjeve nuk mund të përfaqësohet nga ky sistem politik, nga kjo qeveri”, deklaroi dje Skënder Gjinushi në një prononcim për mediat gjatë ditës së djeshme. Ndërsa duke komentuar debatin sa i përket e diskutimeve të këtyre ditëve për kandidatët e mundshëm që do të zënë postin e Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, Gjinushi theksoi se të tilla diskutime janë të parakohshme. “Shqipëria është në krizë ekonomike e sociale dhe kriza e ka emrin “qeveri”. Nuk është problemi se cili do të jetë presidenti i ardhshëm. Kjo është një taktikë për largimin e vëmendjes nga problemet kryesore. Kushdo që të zgjidhet President, me Berishën nuk mund të ketë bashkëpunim”, nënvizoi Gjinushi. Kreu i socialdemokratëve u shpreh i palëkundur në qëndrimet tashmë të njohura se opozita nuk duhet të bëhet palë me Kryeministrin Berisha në reforma, të cilat edhe nëse ndërmerren nuk sjellin rezultat. “Tani nuk bëhet fjalë për opozitë radikale, por për një qeveri radikale, që krahasohet me një fashizëm oriental. Opozita nuk mund të bëhet palë me të dhe të thotë se kjo vjen nga mungesa e reformave. Nëse opozita thotë se me reforma mund të ndryshojë këtë qeveri, atëherë mashtron shqiptarët dhe ndërkombëtarët”, u shpreh dje Skënder Gjinushi. Dy ditë më parë aleati më i hershëm i selisë rozë kritikon ashpër ndërprerjen e bojkotit parlamentar të opozitës. Kryesocialdemokrati theksoi se nuk e mbështet PS-në që si forca më e madhe e opozitës po bëhet palë me qeverinë dhe po merr përgjegjësitë e kësaj të fundit për kolapsin që ka mbërthyer vendin. “Qëndrimet tona tani ndryshojnë sepse PS sa më e rëndë aq më e urtë bëhet ajo dhe çuditërisht krizat dhe mëkatet i bën PD-ja, përgjegjësitë në thonjëza, kërkon t’i mbajë PS-ja. PS dhe opozita kanë një detyrim sot. Të thonë kush është shkaktari për gjendjen në cilën ndodhet Shqipëria. Kush është zgjidhja reale dhe jo zgjidhja e rreme. PS-ja në vend të thotë këtë të vërtetë po bën një veprim të gabuar, duke krijuar idenë që me kthimin në Parlament, apo me një rihapje të dialogut për gjoja reforma, Shqipëria do të dalë nga kjo krizë totale në të cilën ndodhet”,-tha Gjinushi.

Mediu: Të ndryshojë sistemi

Referuar ndryshimit të ligjit elektoral, Mediu u shpreh që të ndryshohet thelbi i kodit në tërësi. “Sistemi aktual zgjedhor ka atrofizuar politikën shqiptare. Në gjykimin tim personal dhe të Partisë Republikane edhe po të mbetemi brenda proporcionalit rajonal ne duhet të zhvillojmë një proporcional rajonal preferencial duke parë të gjithë mundësitë për konkurrim të gjithë individëve atyre që janë brenda politikës dhe atyre që duan të përfshihen në politikë për mos ta lënë këtë monopol individëve të caktuar”, tha Mediu.

Mendimet mbi ndryshimet në Kushtetutë dhe zgjedhjen e Presidentit

PD, Berisha: Jo ndryshime në Kushtetutë për interesa të Ramës

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha ka deklaruar se mazhoranca do refuzojë çdo kërkesë të opozitës për ndërhyrje në nenet e Kushtetutës. Sipas Kryeministrit, nuk është normale që Kushtetuta t’i nënshtrohet ndryshimeve çdo 3 vjet, për interes të Edi Ramës. “Nuk do të kishte asgjë më qesharake dhe jo serioze në këtë vend, sesa të ndryshojë Kushtetuta çdo tre vjet, siç mendon ai që i vjen për shtat. Nuk po e personalizoj aspak çështjen me zotin Edi Rama, por e them për cilindo kush mund të jetë ky person dhe çfarëdo të jetë”,- ka thënë Berisha.

PSD, Gjinushi: Problem zbatimi i ligjeve, jo ndryshimi i tyre

Duke iu referuar kërkesës ende jo zyrtare të Edi Ramës për amendim të ligjit themeltar të shtetit, kryetari i PSD-së, Gjinushi, ka theksuar se “Zgjidhja nuk është ndryshimi i ligjeve. Ne e kemi sqaruar pozicionin tonë. Shkaktare e krizës politike nuk është mungesa e deputetëve socialist në Parlament, por shpërfillja që iu bën mazhoranca. Futja e socialistëve në sesionin e ri parlamentar, do të ishte absurde dhe pranimi i nënshtrimit nga Berisha”,- u shpreh Gjinushi.

LSI, paralajmërimet e Metës

“LSI-ja ka mbajtur qëndrimet më të kristalta në momentet më kritike të demokracisë, të jetës politike, të stabilitetit të vendit, kur ai është vënë në pikëpyetje nga faktorë të caktuar, deklaroi lideri i LSI-së. Sot ata që bënë kodin thonë që e bënë gabim, por në fakt ne e thamë këtë para se ata ta bënin një gjë të tillë. Sot ata që nxitën ndryshimet kushtetuese në mënyrë jostransparente thonë që i bëmë gabim, por në fakt ne u thamë përpara se t’i bënin dhe nuk i morën në konsideratë sugjerimet tona”, është shprehur kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një takimi me të rinjtë e LRI-së në Jalë ku deklaron se e kishte paralajmëruar Edi Ramën për gabimet me ndryshimet kushtetuese.

Tritan Shehu: Jo ndryshimeve

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, në një prononcim dhënë për mediat theksoi se në ndryshimin që iu bë Kushtetutës, një propozim ky i Partisë Socialiste, në vitin 2008 u provua sistemi zgjedhor dhe rezultoi i suksesshëm. Por, sipas Shehut, këto ndryshime nuk janë vënë në provë sa i përket çështjes së debatuar kohët e fundit atë të zgjedhjes së Presidentit. Mënyra e zgjedhjes së kreut të shtetit është e vetmja pikë e ndryshuar në Kushtetutë, e cila ende nuk është bërë efektive deri më sot dhe për këtë Tritan Shehu i qëndron bindjes se Presidenti duhet të zgjidhet sipas mënyrës së përcaktuar në vitin 2008 nga opozita.

Arjan Starova: Të jetë grua

Arjan Starova, kreu i Partisë Bashkimi Liberal Demokratë, është shprehur se ky vend ka shumë kandidatura, ku mes meshkujve është koha kur Shqipëria të provojë në drejtimin e saj një president femër. “E rëndësishme është që ky vend ka kandidatura. Nuk ka vetëm një ose dy, por ka shumë kandidatura, të cilat mundet që të përfaqësonin vërtet me dinjitet presidencën shqiptare në pesë vitet që vijnë. Gjithmonë do të jetë mundësia, shanset janë të barabarta si për femrat dhe për meshkujt”,- tha Starova.

Ekrem Spahia: Duam mbretin

Ekrem Spahia, drejtuesi i Partisë Lëvizja e Legalitetit, bën me dije se alternativa e tyre është që në krye të shtetit të jetë Leka i Parë. “Partia Lëvizja e Legalitetit është një parti me specifikë shumë të veçantë sepse ne jemi mbretërorë dhe ne kemi alternativën tonë. Demokraci do të thotë edhe alternativë dhe alternative jonë është që në krye të shtetit të jetë mbreti Leka I”,- tha Spahia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›