E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha bashkëbisedim me sportistë: Në 4 vitet që vijnë, mbështetje të fuqishme sportit

TIRANË - "Në 4 vitet që vijnë ne do t’i japim një mbështetje të fuqishme zhvillimit të sportit në Shqipëri". Kështu theksoi sot kryeministri Berisha gjatë një bashkëbisedimi me sportistë dhe studentë të Universitetit të Sporteve në Tiranë.

Kryeministri premtoi se qeveria do të krijojë kushte optimale që të rinjtë të stërviten dhe performojnë me dinjitet në gara kombëtare dhe ndërkombëtare.

"Përpjekje janë bërë këto vite për zhvillimin e sportit. Pak vite më parë ne përuruam këtë universitet duke besuar se ai ka një rol thelbësor në formimin e mësuesve e pedagogëve, nxënësve e studentëve. Ne kemi rritur financimet për federatat sportive, për stadiumet dhe terrenet sportive. Disa arritje janë të lakmueshme, por të tjera janë plotësisht të mundshme për tu realizuar në 4 vitet që vijnë",- tha kryeministri Berisha.

Sipas shefit të qeverisë, në programet shkollore, edukimi fizik nuk ka ende vendin themelor që duhet të ketë. "Ne do të bëjmë gjithçka për ta vendosur kurikulën e kësaj lënde, si një kurikul themelore”- tha ai.

Kryeministri Berisha ftoi studentët që të japin sugjerimet e tyre për hartimin e një programi për sportin që të jetë në lartësitë e ambicieve të tyre.
"Strategjia jonë për mbështetjen e sportistëve do të jetë së pari një subvencionim më i fuqishëm i të gjithë veprimtarive të federatave. Ne besojmë se shtrirja e terreneve sportive në mbarë vendin, pajisja e të gjitha shkollave me palestra moderne, krijimi i terreneve sportive në çdo lagje dhe komunë të vendit, do të bëjë të mundur një pjesëmarrje më masive, nga e cila do të dalin më të mirët", - tha kryeministri Berisha.

Ai siguroi se qeveria do të garantojë një mbështetje akoma dhe më të madhe për kampionët. "Nëse ka një fushë në të cilën ne do të përqendrohemi në 4 vitet që vijnë do të jetë sporti", - tha Berisha.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›