E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha bën të mërziturin me Ramën: Nuk ia fal 21 janarin

Gjatë takimit të djeshëm mes kryeministrit Berisha dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta

Skerdilajd Zaimi

Partitë e shumicës në pushtet kanë përkufizuar dje konceptin e tyre për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Pas një serie takimesh me aleatët e vet, LSI-në, PDIU-në dhe PR-në, kryeministri Sali Berisha ka theksuar dy kritere bazë nga i cili kalon detyrimisht procesi për zgjedhjen e kreut të Shtetit: negociatat në Parlament dhe kushtetutshmëria. Kështu, brenda vetëm një dite, kryeministri i vendit i ka dhënë përgjigje negative kërkesës së socialistëve për një takim dypalësh mes tij dhe Edi Ramës, duke preferuar të përforcojë klimën e besimit brenda vetë koalicionit qeveritar.

Konfirmohet vazhdimësia me LSI-në

Provë e tatimit të pulsit ishte takimi me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, me të cilin Berisha ka ndarë sikundër u shpreh vetë mendime të njëjta. Ishte një takim me përputhshmëri të plotë mendimesh me udhëheqjen politike të LSI-së, që është aleati kryesor i PD-së dhe koalicionit të saj. U ra plotësisht dakord që të bëhet çdo përpjekje, në mënyrë që Presidenti i Republikës të zgjidhet me konsensusin më të gjerë të mundshëm, tha Berisha. Terminologjia çelës e Presidentit konsensual, që kërkohet me ngulm nga selia rozë, është zhgraduar, pra në mënyrë thelbësore nga qëndrimi i partive të shumicës, për të sjellë në tryezë togfjalëshin President sa më konsensual. Këtë gjë e ka pohuar edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili duke folur pas takimit me kryeministrin ka zbardhur qëndrimin e tij se konsensusi i kërkuar duhet të mos kthehet në një kusht bllokues për zgjedhjen e Presidentit. Ne shprehëm vendosmërinë e LSI-së për t’i kontribuar këtij procesi që të jetë sa më konsensual, të bëhen të gjitha përpjekjet që Presidenti të zgjidhet që me raundin e parë dhe të jepet një mesazh i pjekurisë politike, në radhë të parë për qytetarët shqiptarë, por edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë që në vjeshtën e këtij viti do të bëjnë një vlerësim për ne”, tha ai.  Sipas burimeve nga takimi, bëhet e ditur se kreu i LSI-së ka këmbëngulur për të shmangur zgjedhjen e Presidentit me vetëm 71 vota, pasi një gjë e tillë do të dëmtonte rëndë klimën e bashkëpunimit politik në vend. Në fakt kjo kërkesë nuk ngre shumë peshë në këtë moment. Me hapjen e negociatave, kryeministri Sali Berisha ka marrë iniciativën politike për këtë temë delikate dhe diskutimi me aleatët ka rindërtuar formalisht një proces dialogu që nuk lë vend për akuza.

Refuzimi i takimit me Ramën

Loja politike për përjashtimin de facto të PS-së nga ky proces nuk ka munguar të shfaqet dhe ajo dëshmon se në thelb Presidenti i ri do të jetë vullnet i shumicës. Në fjalën e tij pas takimit me Ilir Metën, Berisha ka theksuar qartë se takimi i shumëpërfolur me Edi Ramën nuk do të zhvillohet. Arsye për këtë është zhvendosja e negociatave në Parlament ku kreu socialist nuk bën pjesë. Me PS-në takimi do të jetë në Parlament. Ftoj z. Rama të tregojë besim te bashkëpunëtorët e tij; të mandatojë 2 bashkëpunëtorët e tij në këtë drejtim. Unë kam mandatuar z. Astrit Patozi dhe Edmond Spaho për kontakte me PS-në. Synojmë një proces civil të qytetëruar, të përgjegjshëm kushtetues, u shpreh kryeministri. Pavarësisht të gjithave është disi jashtë logjikës më elementare që për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, kreu i shumicës të shmangë dialogun direkt me kundërshtarin kryesor në emër të mosqenies së tij deputet. E thënë troç, Berisha ka deklaruar zyrtarisht si për Presidentin ai do të takojë gjithkënd përveçse Edi Ramës. Nga ana e vet, ky i fundit ka reaguar në profilin e vet në rrjetin social Twitter, duke u shprehur se për takimin me palën demokrate nevojitet paraprakisht qartësimi i modaliteteve. Kryeministri mund të takojë të tjerët për teatrin e tij, jo Partinë Socialiste. Nëse do negociata me ne, duhet të biem dakord paraprakisht për modalitetet, shprehet Rama. E panjohur mbetet në këtë zhvillim të ri qëndrimi i vërtetë i LSI-së dhe pesha e saj si gur balance në krizën që duket se po afron. Edhe në këtë drejtim, Berisha nuk ka lënë pa shfrytëzuar rastin duke komentuar se sot ishte një konfirmim i plotë i vlerësimeve maksimale të të dy palëve për koalicionin e firmosur në vitin 2009 dhe qëndrueshmërinë e tij në përputhje me marrëveshjen.  Që këtej manovra e mbetur e PS-së për të kompensuar këtë shfaqje uniteti të koalicionit qeverisës, do të ishte vetëm zbardhja e konceptit të vet për Presidentin, si individ dhe si institucion përgjegjës për ruajtjen e ekuilibrit politik.

Petrit Vasili: Dje nuk është folur për asnjë emër

Negociatat brenda koalicionit qeverisës do të vijojnë edhe ditën e hënë. Kryeministri Sali Berisha pas takimeve me republikanin Mediu dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka theksuar se kontaktet do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Ndërkohë, i pyetur nga Shekulli Petrit Vasili, pjesëtar në takim, shprehet se Berisha dheMeta nuk kanë diskutuar për emra kandidatësh. Në këtë drejtim edhe kryeministri theksoi se për emra do të flitet në takimet e ditës së hënë.

Raundi quhet i rregullt edhe pa kandidatë në garë

Kandidatët e interesuar për President të Republikës do të duhet të ishin regjistruar që në datën 24 maj kur u hap procesi në Kuvend. Megjithë këtë, sipas deputetit socialist Damian Gjiknuri, që flet për Shekullin,  dispozitat e reja në Kushtetutë nuk e pengojnë regjistrimin edhe gjatë raundeve të tjerë, pasi po sipas tyre, do të konsiderohet raund edhe nëse në të nuk merr pjesë asnjë kandidat. Pra, nëse në datën 30 maj, kur edhe është caktuar raundi i parë, në garë nuk regjistrohet asnjë emër, juridikisht ky proces konsiderohet si raund i parë i ezauruar.

Berisha, drekë me ambasadorin Arvizu

Menjëherë pas takimit me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një drekë pune me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu.  Mendohet se temë e diskutimit ka qenë dhe zgjedhja e Presidentit të ri të vendit dhe procesi i negociatave me partitë politike. Të pranishëm në takim kanë qenë edhe anëtarët e delegacionit të KiE-së të cilët kanë zhvilluar takime me zyrtarët më të lartë të vendit.  Ditët e fundit, trojka e ambasadorëve ka shpeshtuar takimet me kryeministrin Berisha dhe me kryesocialistin Edi Rama.

Patozi letër Ruçit

Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi i ka dërguar një letër kreut të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ku i kërkon nisjen e takimeve për të negociuar për Presidentin e ri. Pasi e ka njohur zyrtarisht me të mandatuarit e selisë blu për të negociuar, Patozi i kërkon kolegut socialist që të nisin bisedimet për të eksploruar, sipas tij, të gjitha mundësitë e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit me një konsensus sa më të gjerë. Për këtë qëllim, ne jemi të hapur, që duke filluar nga nesër paradite, të takohemi me negociatorët Tuaj, thuhet në letër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›