Berisha çel sezonin turistik në Shëngjin

Sali Berisha / Foto arkiv
Sezoni turistik në Shëngjin është çelur nga kryeministri Sali Berisha me inagurimin e përfundimit të rrugës autostradë – Ishull Shëngjin, si edhe fillimin e punimeve të shëtitores së Shëngjinit.
Komuna e Shëngjinit, prej vitesh është fituar nga të majtët, po ashtu edhe në zgjedhjet e 2011-s. Berisha çel pikërisht sezonin në një komunë të majtë, e cila e nderoi edhe me titullin Mirënjohja e Qytetit për kontributin e tij në zhvillimin e Shëngjinit nëpërmjet vëmendjes me investime të mjaftueshme dhe tepër të rëndësishme.
Kryeministri Berisha theksoi se turizmi është sektori më i zhvilluar në vend dhe prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare si dhe risolli si rritje të këtij sektori 10-fishimin e numrit të turistëve. Sipas tij, në 2004-n kishte 300 mijë turistë, ndërsa vitin e kaluar 4 milion turistë.
Kreu i ekzekutivit nënvizoi faktin se vetëm në Lezhë dhe Shëngjin ka pasur aq shumë turistë vitin e kaluar, sa ka pasur në të gjithë Shqipërinë në vitin 2004.
Ndërkaq, kreu i qeverisë shqiptare vuri theksin se bukuritë natyrore të Shqipërisë, që po eksplorohen nga të huajt, kanë edhe problemet e saj siç janë mbeturinat, që madje janë evidentuar nga të huajt. Berisha është shprehur optimist se dhe ky problem do të gjejë zgjidhje, ndërsa ka apeluar që të gjithë të kontribuojnë për mbajtjen pastër të mjedisit.
Sezoni turistik është i rëndësishëm për të rritur të ardhurat e komunës. Sipas Berishës, vetëm në Shëngjin janë në proces dhe priten të investohen 1 miliard lekë. Berisha premtoi sërish rrugën e Kunes, e cila sipas tij pas 10 ditësh do të fillojë ndërtimin.
Berisha premtoi shumëfishim të investimeve në të gjithë qarkun e Lezhës në vitin e ardhshëm. Ai ftoi kosovarët që të bëjnë pushimet në bregdet, ndërsa nxiti qytetarët shqiptarë të vizitojnë trevat e Kosovës.
Projekti i inaguruar nga kryeministri Berisha është Rikualifikimi urban dhe shëtitorja e qytetit Shëngjin, me vlerë 109.8 milionë lekë, i financuar nga qeveria shqiptare dhe Komuna e Shëngjinit, pritet të përfundojë sipas kontratës brenda 160 ditësh.
Ndërkohë, pas 10 ditësh, sipas Berishës, do të fillojë edhe rruga e Kunes, çka do të thotë se sezoni turistik këtë vit do të bashkëshoqërohet me një kantier ndërtimi. / Lindita Kokaj