Qeveria, OK kufirit detar. Ekspertët: Edhe ky ligj, i pasaktë

Ministrat Nishani, Imami e Haxhinasto dje ne Komisionin e Sigurise
Luis Tanushi
Komisioni i Ligjeve miratoi me konsensus të plotë rikthimin e kufijve detarë të vitit 2001. Si asnjë herë tjetër, në mbledhjen e djeshme ishin të pranishëm tre ministra të kabinetit qeveritar, Nishani, Imami dhe Haxhinasto. Ky veprim ishte edhe pranim i gabimit të bërë në vitit 2008 me shfuqizimin përcaktimeve të kufijve tanë detarë.
Nishani: Tani ligji i 2001-it
Pas shfuqizimeve që iu bënë ligjit të 2001-it dhe posaçërisht pas miratimit nga Parlamenti në vitin 2003 të Konventës së OKB-së, Nishani deklaroi se Shqipëria përmes Ministrisë së Jashtme ka arritur marrëveshje me të gjithë vendet fqinje. Marrëveshja me Greqinë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe natyrisht deri në zëvendësimin me një marrëveshje tjetër, jemi plotësisht dakord që të rikthehet ai parashikim i kufirit detar që ka qenë në vitin 2001, deklaroi ministri i Brendshëm. Duke shprehur qëndrimin pro ndryshimeve të ligjit, ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes u shprehen se nevojitet një ekspertizë ligjore dhe teknike e specialistëve të këtij dikasteri.
Kundërshton eksperti Myslim Pashaj
Prof.Myslim Pashaj, përmes gazetës Shekulli u bën sot apel specialistëve gjeografë dhe ligjorë, të demonstrojnë sëbashku ndaj këtij ligji, sipas tij, të hartuar në kundërshtim me Kushtetutën. Më tej Prof. Pashaj vazhdon: Deti Jon i shqiptarëve nuk mbaron deri tek Kepi i Sarandës, or kuvendarë! Nuk ka as kep të Sarandës dhe ju keni bërë një shkelje të rëndë në përshkrimin e ujërave të brendshme duke ia hapur derën e detit për negocime të reja shtetit fqinj gjersa na keni bashkuar një vijë të drejtë kepin e Qefalit dhe kepin e Sarandës. Vijat bazore që keni përcaktuar e kanë nxjerrë në treg detin tonë. E gjithë pika (1) dhe (2) e nenit 3 janë të pasakta, në terma ligjorë ndërkombëtarë dhe nuk japin vijën bazore të cilën duhet ta përkufizojë Ligji Detar i Brendshëm. Nuk mund të ketë kufij pa një vijë bazore të saktë. Përfytyroni se është lënë edhe emërtimi i kufirit shqiptaro-jugosllav ( Mali Zi) me një shtrirje që smund të kuptohet dot. Ky Ligj nuk duhet të kalojë në Parlament, mbasi ai nuk ka përkufizuar vijat bazore, emërtimet e sakta të kepeve, koordinatat e sakta të vijëdrejtave bazë nga nis matja dhe llogaritja e vijës së mesme të Ngushtesës së Korfuzit, e cila për të dy shtetet është brenda 12 md ( miljeve detare) çka ka të bëjë edhe me mëvetësinë territoriale të të dy vendeve fqinjë. Emërtimet që janë dhënë janë çorjentime të mëdha e të duken sikur i kanë hartuar ata që nuk kanë qenë kurrë në këtë vend dhe jo specialistë shqiptarë. Nuk janë ndarë gjiret që përmbushin kushtin gjeometrik si gjiri i Tetranisit as Kanali i Butrintit
Ndryshimet në ligjin për kufijtë detarë
Ligji ekzistues Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror i paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë si projektligj më 24 janar të 2008 mori miratimin e deputetëve dhe hyri në fuqi në datën 1 mars të vitit 2008. Por, sipas deputetëve socialistë, në Ligjin Nr. 9861, datë 24. 01. 2008, nuk ka asnjë nen që të lidhet me ujërat territoriale, ndërsa lidhur me kufirin në përgjithësi ka vetëm një nen (neni 3), sipas të cilit: Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi, si dhe të traktateve dypalëshe apo shumëpalëshe të lidhura me vendet e tjera. Në gjykimin e deputetëve që kërkonin ndryshimin e këtij ligji, një përcaktim i tillë krijon pasoja të rënda për integritetin territorial të Shqipërisë, pasi me shfuqizimin e Ligjit Nr. 8771, të vitit 2001 në tërësi dhe në mënyrë të veçantë shfuqizimin e nenit 3 të tij, Shqipëria ka shfuqizuar vijën e drejtë bazë të Republikës së Shqipërisë, koordinatat e së cilës përcaktoheshin nga ky nen. Konventa e OKB-së Mbi të Drejtën e Detit 1982 (UNCLOS 1982), përcakton se vija bazë e një shteti bregdetar publikohet pa nevojën e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe depozitohet te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Republika e Shqipërisë, pavarësisht se ka ratifikuar NNCLOS 1982, nuk ka vijë bazë të miratuar, pasi ligji Nr. 9861, datë 24.01.2008 ka shfuqizuar Ligjin Nr. 8771, date 19. 04. 2001 Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë.
Oketa përplaset me ministrin Nishani
Ish ministri Mbrojtjes i kabinetit Berisha dhe njëkohësisht drejtuesi i Partisë Fryma e Re Demokratike, Gazmend Oketa kërkoi futjen në fuqi të menjëhershme të ligjit të vjetër. Në fjalën e tij, deputeti Oketa theksoi se për shkak të nevojës urgjente të përcaktimit të kufijve detarë për të shmangur rreziqet eventuale ndaj integritetit të vendit. Por, propozimi i ish ministrit të Mbrojtjes, do të kërkonte më parë miratimin paraprak nga Presidenti Bamir Topi, rrjedhimisht komunikimin e Kuvendit me Kreun e Shtetit. Kur themi, një përcaktim i tillë referuar ndryshimeve ligjore të mëparshme krijon pasoja për integritetin territorial të Shqipërisë, janë disa pika, njëra nga të cilat thotë se Shqipëria ka humbur vijën ndarëse të ujerave territoriale, koordinatat e të cilës përcaktohen nga ky nen. Gjykoj se në rast se këto konstatime janë të vërteta dhe nuk i vë në dyshim, besoj se hyrja në fuqi e ligjit, duhet të jetë e menjëhershme. Nuk mund të lidhim një ligj të tillë me këtë rëndësi me faktin se kur botohet në Fletore Zyrtare, theksoi në fjalën e tij anëtari i Komisionit të Sigurisë, Gazmend Oketa. Deklaratat se Shqipëria ka humbur vijën ndarëse të ujërave territoriale, janë kundërshtuar nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, sipas të cilit nuk pa pasur asnjë shkelje të integritetit territorial të vendit. Nuk kam për të folur për çështjen e teknikës se i takon Kuvendit për ta propozuar dhe Presidentit për të marrë vendimin. Por, unë desha të qartësoj apo të shpjegoj para kolegëve deputetë se konstatimi i zotit Oketa nuk qëndron, aq më tepër referimi në relacion. Në asnjë rast, integriteti territorial i Shqipërisë nuk është cenuar dhe nuk është vënë në pikëpyetje. Regjimi i kontrollit të kufijve ka qenë gjatë gjithë kohës, absolutisht i pacenuar dhe i menaxhuar në të gjithë aspektet e saj, u shpreh ministri Nishani.
Incidentet në Korfuz
Opozita kërkoi sqarime nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani rreth incidenteve në kufirin detar me Greqinë ku mediat kanë raportuar për incidente midis peshkatarëve tanë dhe flotës greke. Por, për Ministrinë e Brendshme, rastet e ngritura në media nga peshkatarët e Sarandës nuk qëndrojnë. Sipas ministrit Nishani, janë mbajtur kontakte të vazhdueshme me fqinjët tanë jugore dhe nuk ka pasur asnjë njoftim për incidente të cenimit të kufijve detarë. Raste të anijeve tona që mund të jenë gjobitur nga Greqia nuk ka pasur, pavarësisht se iu referoheni mediave. Autoritet e kufirit kanë marrë kontakt me ato të kufirit dhe nuk kanë njoftuar asnjë rast. Pretendimi i tyre ka qenë që gjatë udhëtimit për në Korfuz për tu furnizuar me naftë, kanë pasur kontakte. Për kufirin detar, policia e kufirit kryen takime të përmuajshme me rojen kufitare greke dhe në asnjë rast nuk është ngritur ky pretendim, u shpreh ministri i Brendshëm Nishani.
Të zgjidhen njerëz besnikë në negociata
Kolonel Kostandin Koliqi
Kufijtë shtetërorë të një vendi caktohen me Konventë Ndërkombëtare, e cila e ka zanafillën mbas Luftës se I Botërore, në vitin 1919, në mos e gaboj, kur u caktuan edhe k