Qeveria, kontroll karburantit pa akcizë për kompanitë e naftës

Gjate nenshkrimit te Marreveshjes se Hidrokarbureve per vendburimin e Visokes
Emirjon Senja
Kompanitë që ushtrojnë aktivitet në fushën e kërkimit apo shfrytëzimit të pasurive nëntokësore në Shqipëri, gëzojnë shumë lehtësi fiskale, të cilat qeveritë ia kanë ofruar me qëllim stimulimin e investimeve të huaja në këtë drejtim. Një ndër këto lehtësi është edhe mos vjelja e akcizës për karburantin e përdorur nga këto kompani gjatë gjithë aktivitetit të tyre për kërkimin apo nxjerrjen e hidrokarbureve në vend. Nëse për çdo litër naftë apo benzinë të blerë, qytetarët paguajnë 37 lekë akcizë, qeveria ia kursente këtë detyrim kompanive në fjalë duke bërë që një litër naftë ato ta siguronjnë me një kosto maksimumi, 156 lekë/litri. Por ashtu siç ndodh rëndom, lehtësira të tilla shfrytëzohen për qëllime përfitimi personal duke detyruar ekzekutivin që të ndërmarrë masat për parandalimin e abuzimeve.
Ekzekutivi ka vendosur sëfundmi që ta kufizojë këtë lehtësi duke i mundësuar kompanive pa akcizë, sasinë e naftës së nevojshme për aktivitetin e tyre me qëllim shmangien e abuzimeve. Udhëzimi i nxjerrë në fillim të këtij muaji nga ministrat Ridvan Bode dhe Nasip Naço i detyron kompanitë që të marrin autorizim për përjashtimin nga detyrimi për të paguar akcizën duke i dhënë autoriteteve edhe të dhëna në lidhje me sasinë e nevojshme, kohën në të cilën do të përdoret, vendin ku do të depozitohet etj. Shoqëritë e kërkimit të naftës dhe të vënies në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse, të cilat mund të importojnë nënprodukte të naftës, për nevojat e veta, të përjashtuara nga tatimi i akcizës, duhet të pajisen me autorizimin e përjashtimit nga akciza nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, – përcaktohet në pikën 1 të Udhëzimit.
Për marrjen e autorizimit, shoqëritë e kërkimit të naftës dhe të vënies në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse, duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim dhe kopje të marrëveshjes me shtetin shqiptar. Por ajo që pritet të kufizojë përdorimin pa kufi të naftës pa akcizë nga kompanitë e naftës, është detyrimi për të arsyetuar nevojat për naftën apo benzinën që duan të përdorin por edhe periudhën, në të cilën i nevojitet ajo. Qëllimi i udhëzimit është parandalimi i abuzimit me qëllimin real të përdorimit të naftës pa akcizë.
Destinacioni i të gjithë sasisë së naftës apo benzinës të futur në vend nga kompanitë do të verifikohet nga organet doganore që pritet të marrin administrimin e akcizës nga korriku 2012. Kushti tjetër për kompanitë e naftës lidhet me afatin e përdorimit të karburantit të futur pa akcizë. Ato duhet ta shfrytëzojnë karburantin brenda afatit të përcaktuar në dokumentacion, në të kundërt, organet shtetërore do ti vjelin akcizë për pjesën e mbetur pa konsumuar jashtë afatit të parashikuar. Nëse sasia e karburantit, e përjashtuar nga akciza, nuk shfrytëzohet brenda periudhës kohore
të përcaktuar nga kompania, pjesa e pashfrytëzuar i nënshtrohet tatimit të akcizës, – thuhet në Udhëzim.
Aktualisht në Shqipëri ushtrojnë aktivitet katër kompani që kanë Marrëveshje Hidrokarbure me qeverinë dhe tre kompani që kanë marrëveshje kërkimi. Të gjitha mjetet që ato përdorin duke filluar nga autoveturat e deri tek makineritë e rënda përdorin naftë pa akcizë. Në këtë mënyrë, shteti subvencionon kompanitë me jo pak para, të cilat mund të hynin në buxhetin e shtetit.