Berisha deputetëve të PS: Çlironi shpirtin, votoni imunitetin

Në vazhdim të diskutimeve dhe debateve të nxehta me akuza dhe kundërakuza në Parlament, Kryeministri Berisha ka akuzuar dhe njëherë opozitën se është kontradiktore në deklaratat e saj dhe se po bllokon heqjen e imunitetit. Sipas Berishës nuk mund të ecet me”ne heqim imunitetin, por nuk votojmë imunitetin”. Në këtë kontekst ai ka ftuar opozitën të clirojë shpirtin, sic u shpreh ai, dhe të thyejë murin e pabarazisë me qytetarët shqiptarë.
“Edhe kur revolet tona imunitare shtrin përdhe në jetë apo në gjysmë jetë të këtij vendi ne nuk jemi vrasës, revolet tona nuk janë vrasëse janë revole imunitare. Ne na pëlqen pluhuri i bardhë dhe veturat që e transportojnë atë nuk preken se janë vetura imunitare. Pallatet tona janë imunitare, mund ti japë të gjitha thotë Sadri Abazi por imunitetin nuk e lëshoj. Ne bëjmë gjithçka por nuk dënohemi se kemi ligj që na mbron. Ju po përdorni çdo retorike për të bllokuar dhe mbajtur peng statusin. Unë luftoj nga mëngjesi në darkë për transparencë në këtë vend, nëse kompanitë tuaja s`bëjnë evacion votoni heqjen e imunitetit. Clironi shpirtin, unë sdua t`ju askuzoj, por ju akuzoni veten me qëndrimet tuaja. Mos vendosni mur të pabarazisë me qytetarët, mur me integrimin”.
Berisha gjithashtu u kërkoi deputetetëve të opozitës ta shndërrojnë seancën për imunitetin në një seancë të të vërtetave dhe jo hipokrizisë dhe maskave. Ndërsa sa i përket akuzave të socialistëve, për përdorje të imunitetit nga ana e Kryeministrit për kapital politik, ai e ka mohuar një gjë të tillë duke u shprehur se” ju më jepni kapital politik me cdo fjalë që thoni”.
“Si parlamentar kemi votuar në këtë sallë me mijëra ligje, të cilat kanë pasur pasqyrim të gjerë në jetën e çdo qytetari shqiptar, ligje të cilat kanë patur si qëllim të organizojnë më mirë, të konsolidojnë liritë dhe të drejtat e tyre. Në emër të atij parimi universal që është barazia para ligjit kemi miratuar ligje dhe marrëveshje, sot këtu jemi për të miratuar ligjin për veten tonë. Kjo është seancë historike në të cilën ne nuk mund dhe nuk duhet që një çështje të tillë që pasqyrohet direkt mbi moralin tonë dhe mbi vullnetin tonë ta shndërrojmë në një seancë ku përpiqemi të mashtrojmë për të mbrojtur veten në çdo gjë dhe në çdo skaj. Dorëzova tek ju 10 vite më parë, kur isha në opozitë draftin për heqje të imunitetit, ne nuk vimë këtu për kapital politik. Sapo bëmë marrëveshjen për reformën elektorale, avancova procesin e imunitetit e cila është pika 8 e detyrimeve ndaj BE. Korrupsioni është armiku kryesor i shoqërive të lira. Sali Berisha nuk e ka ndërmarrë këtë seancë për kapital politik, pasi ju më jepni kapital politik me çdo fjalë që thoni. Rama po mban një qëndrim që ka mbajtur gjithnjë, por sot në ndryshim ne jemi këtu pasi kemi pranuar cdo propozim tuajin” tha Berisha.
Më tej në kundërpërgjigje të akuzave të Kryeministrit, deputeti socialist Fidel Ylli, i cilësoi deklaratat e tij demagogji para shqiptarëve, duke shtuar se deputetët e PS i kanë të deklaruara të ardhurat e tyre dhe nuk kanë cfarë të fshehin.