Noka: Bllokimi i imunitetit, dështim për të tretën herë i statusit

Mosvotimi i heqjes së imunitetit do të bllokojë për herë të tretë statusin e vendit. Kështu ka deklaruar gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare ku po diskutohet kufizimi i imunitetit, ministri i Brendshëm Flamur Noka, ku u shpreh se është koha që me votë deputetët t`i thonë po heqjes së imunitetit.
“Kryetari juaj kur ka parë që PD pranoi draftin me propozimet tuaja paraqiti pretendime të reja, edhe më të forta, duke zbuluar më në fund arsyen e vërtetë pse ju nuk votoni dot heqjen. E para, dëshira e kryetarit për të bllokuar statusin dhe kjo siç e dinë të gjithë nuk është se ndodhë për herë të parë, është hera e tretë që ai bën përpjekjet për të bllokuar statusin. E dyta, tendenca që ka kryetarit për të rrëzuar pushtetin e shumicës dhe për të imponuar vullnetin e pakicës”, u shpreh Ministri.
Ndër të tjera Ministri Noka theksoi se shumica e deputetëve të opozitës kanë marrë urdhër që të mos ndryshojnë asgjë nga qëndrimi i vjetër.
“Edhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar ka një njeri që nuk ka ndryshuar fare, është kryetari juaj, i cili vazhdon të jetë i ndukur thellë në bunkerin e vetizolimit, vazhdon të fshihet sa më thellë në guaskën e imunitetit. Më vjen keq që shumë prej jush po e vazhdoni në të njëjtën linjë e kur vjen puna që ju themi hiqni imunitetin, ju ktheheni pas e thoni jo nuk e heqim imunitetin. Ky mur është pengesa kryesore në luftën kundër korrupsionit që ju herë pas here edhe flisni”, theksoi ai.
Ministri i Brendshëm shtoi më tej se shqiptarët do i japin përgjigjen e merituar për qëndrimin që opozita do të mbajë sot në lidhje me heqjen e imunitetit.