E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Erdogan presin shiritin

26/06/2009  Festë për përurimin e “rrugës së kombit” që lidh Shqipërinë me Kosovën

Tashmë për 3 orë në Kosovë falë projektit më të madh jo vetëm në rajon

Me mijëra njerëz kanë asistuar në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve të aksit më të rëndësishëm dhe strategjik rrugor që lidh qendrën e Shqipërisë me Kosovën. “Rruga e kombit”, e cilësuar si ëndrra e shqiptarëve, tashmë është e kalueshme për automjetet që udhëtojnë drejt Kosovës. Ceremonia e zhvilluar paraditen e djeshme ishte organizuar për ti dhënë fund punës për ndërtimin e një ndër projekteve inxhinierike më të mëdha jo vetëm në rajon, por në të gjithë Europën. Premtimi i qeverisë së koalicionit të djathtë tashmë u shndërrua në realitet në një kohë rekord. Vendi ku vetëm tre vjet më parë do të duheshin rreth dhjetë orë të mbërrije duke u nisur nga Tirana, tashmë mund të bëhet për rreth 3 orë udhëtim. Ceremonia e djeshme u parapri nga një koncert festiv, pasi dita ishte e tillë. Flamujt blu të Partisë Demokratike, të Bashkimit Europian, të NATO-s dhe të Kosovës ishin lehtësisht të dallueshëm, por edhe flamuri kombëtar kuqezi mbizotëronte në tubimin e organizuar me rastin e ceremonisë së përurimit të arteries më të rëndësishme të kombit.

Përurimi

Në mesdite Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij turk Taip Erdogan prenë shiritin e përurimit të autostradës. Në fjalën e tij kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se dita e djeshme do të hyjë në analet e historisë së mbarë kombit. Ai i ka shprehur falënderimet më të përzemërta kompanisë turko-amerikane “Bechtel & Enka”, por dhe të gjithë punëtorëve, të cilët realizuan ndërtimin e kësaj vepre gjigante. “Inaugurojmë korridorin e kombit, autostradën Rrëshen–Kalimash, cila përbën veprën më të madhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësisë së Kosovës për mbarë kombin shqiptar. Korridori i kombit është korridori që i jep fund ndarjes mes trupit të kombit shqiptar. Korridori i kombit është nderimi më i madh për ata qindra mijë burra e gra shqiptare që ranë për të pushuar përjetë në altarin e lirisë së kombit, që flijuan jetën e tyre për liri, dinjitet e bashkim kombëtar”, - tha Kryeministri Berisha. Ai theksoi se kjo autostradë, “korridori i kombit”, është vepra më e madhe e ndërtuar nga ky komb në tërë historinë e tij. Berisha theksoi se kjo rrugë i jep Kosovës daljen në detet e shqiptarëve dhe kthen kombin shqiptar në të gjitha trojet ku ndodhen drejt detit dhe deteve të veta. Ai nënvizoi se korridori është gjithashtu korridori i miqësisë dhe bashkëpunimit. Shefi i ekzekutivit falënderoi homologun e tij turk Taip Erdogan për mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë. Nga ana e tij kryeministri i Turqisë, duke vlerësuar ndërtimin e kësaj rruge të përmasave vërtetë të mëdha, tha se ndihej i emocionuar në këtë ceremoni inaugurimi. “Unë dëshiroj të falënderoj, të përshëndesë dhe të përgëzoj në praninë tuaj mikun tim Sali Berisha, ministrat shqiptarë dhe të gjitha ata që punuan për këtë vepër. Unë kam bindjen e plotë se kjo rrugë nuk do të bashkojë vetëm vendet, vetëm qytetet, por do të bashkojë zemrat tona, do të afrojë më shumë njerëzit me njëri-tjetrin. Unë besoj me gjithë zemër se kjo rrugë do të ndikojë së tepërmi në forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës, të cilën kemi nderin dhe kënaqësinë tani ta kemi pranë nesh, si një shtet të pavarur”, - deklaroi kryeministri Erdogan. Ai nënvizoi se ndihma e Turqisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Duke folur në këtë ceremoni ai inkurajoi biznesin turk të investojë akoma më shumë në vendin tonë. Erdogan premtoi se së bashku me kryeministrin Berisha ka bërë projekte që përmes Shqipërisë të kalojë transit tubacionet e gazit natyror. Ndërkohë në këtë ceremoni ishte i ftuar është kryeministri kosovar Hashim Thaçi. Burimet bënë të ditur se mungesa e tij erdhi për faktin se sot do të niset së bashku me Presidentin Fatmir Sejdiu në Shtete e Bashkuara të Amerikës, kështu që e kishte të pamundur pjesëmarrjen në këtë ceremoni.

Sali Berisha

“Korridori i kombit i jep Kosovës daljen në detet e shqiptarëve, korridori kthen kombin shqiptar në të gjitha trojet ku ndodhen drejt detit dhe deteve të veta. Korridori është gjithashtu korridori i miqësisë dhe bashkëpunimit. Të gjithë ata që të nisur nga shqiptarofobia bënë çdo gjë për të penguar ndërtimin e tij, dua ti siguroj se shqiptarët udhëhiqen dhe do të udhëhiqen nga fryma e miqësisë dhe bashkëpunimit dhe se ky korridor do tu shërbejë jo vetëm shqiptarëve, por të gjithë popujve të rajonit: maqedonasve, serbëve, boshnjakëve, bullgarëve e gjithë të tjerëve.”

Taip Erdogan

“E them me sinqeritet se gëzimi i Shqipërisë është gëzim edhe për ne, gëzimi për Kosovën është gëzim edhe për ne. Turqia është vendi që do të ndjejë kënaqësinë më të madhe nga zhvillimi i mëtejshëm Shqipërisë dhe Kosovës, si vende të fuqishme, të lira, demokratike. Kjo rrugë është tepër e rëndësishme, sepse është një kryevepër shumë madhe, sepse, në fund të fundit, çdo rrugë është një qytetërim dhe ne jemi kombe të qytetëruara. Jemi shumë të lumtur që në ndërtimin e kësaj autostrade ka marrë pjesë një firme turke. Për këtë jemi edhe shumë të gëzuar.”

Politika përballë rrugës

Klasa politike shqiptare është përfshirë në një debat të gjatë e të ashpër në lidhje me ndërtimin e rrugës Durrës–Kukës–Morinë. Partitë e majta në opozitë, në mënyrë të veçantë Partia Socialiste, kanë mbajtur një qëndrim tepër kritik për ndërtimin e saj. Eksponentë të PS-së, duke filluar nga kryetari Edi Rama, kanë akuzuar qeverinë “Berisha” për shpërdorim fondesh në ndërtimin e këtij aksi tejet të rëndësishëm për kombin. Pasi ka sulmuar për një kohë të gjatë ndërtimin e rrugës, PS-ja është shprehur se nuk ka qenë kundër ndërtimit të saj, por kundër mënyrës së punës të përdorur për këtë. Opozita ka bërë përgjegjëse qeverinë për korrupsion. Nga ana e saj qeveria i është përgjigjur po me tone të ashpra pozicionit të opozitës. Vetë Kryeministri Berisha ka deklaruar shpeshherë se të majtët janë shndërruar në armiqtë e rrugës. Berisha ka ftuar kryesocialistin Rama që të vizitojë rrugën e të shohë me sytë e tij veprën gjigante. I vetmi kryetar i partive të majta që ka vizituar ndërtimin e rrugës ka qenë drejtuesi i LSI-së Ilir Meta, i cili e ka vlerësuar këtë vepër. Pas debateve të ashpra politike ka ndërhyrë Prokuroria, e cila ka ngritur akuzë kundër ish-ministrit të Transporteve, sot ministër i Jashtëm, Lulzim Basha, për shpërdorim fondesh. Megjithatë, organi i akuzës nuk arriti të faktojë pretendimet e ngritura. Në kohën kur Prokuroria e Përgjithshme ngriti akuzën, ajo u vlerësua si thellësisht me prapavijë politike nga ana e Kryeministrit Berisha.

Tuneli Thirrë–Kalimash

Pjesë e rrugës që lidh portin e Durrësit, më të madhin në vendin tonë, është edhe tuneli Thirrë–Kalimash, i cilësuar si një ndër kryeveprat e mendimit inxhinierik në Ballkan dhe në Europë. 5.6 kilometra rrugë kalon nëpër dy tunelet paralele, të ndara nga njëri-tjetri. Për këtë pjesë të rrugës, e cila përbënte dhe vështirësinë më të madhe, janë gërmuar masa shkëmbore, nga të cilat janë gërmuar rreth 33 milionë metra kub. Të dy tunelet janë të pajisura me pajisjet e duhura, oxhakë ajrimi, që përbëjnë një sistem modern dhe tepër të fuqishëm për qarkullimin e ajrit. Po ashtu dy tunelet, duke respektuar normat dhe standardet ndërkombëtare, janë të pajisura me dhoma të ndara si masa sigurie për strehim në raste zjarri. Po ashtu, me zbatimin e projektit është ndërtuar edhe një tunel tjetër shpëtimi në rast rreziku. Tunelet kanë një lartësi prej 10 metrash e gjerësi 13 metra secili. Të dy tunelet janë të ndriçuara gjatë gjithë kohës dhe në to janë ndërtuar trotuare. Po ashtu janë vendosur edhe linja telefoni dhe kamera për vëzhgimin e trafikut.

Ndërtimi i rrugës

Punimet për ndërtimin e rrugës Durrës–Kukës–Morinë kanë zgjatur për më pak se tre vjet. Në vjeshtën e vitit 2006 kompania turko-amerikane “Bechtel & Enka” nisi punimet për ndërtimin e rrugës, përurimi i së cilës u bë mesditën e djeshme nga Kryeministri Berisha dhe ai i Turqisë, Taip Erdogan. Pjesë e rrugës Durrës–Kukës–Morinë është tuneli Thirrë–Kalimash, 5.6 kilometra. Rruga është e ndarë në dy karexhata, me dy korsi secila. Pjesë e kësaj rruge, 4.5 kilometra gjatësi, kalon në 29 ura të ndërtuara. Struktura më e lartë e këtij aksi që kalon në këto ura arrin deri në 80 metra lartësi. Projektuesit dhe më pas ndërtuesit e rrugës, e cila në pjesën më të madhe të saj kalon nëpër male, kanë bërë të mundur që malet të gërryhen për të siguruar që të mos ketë asnjë rrëshqite toke. Gjatësia e kësaj autostrade llogaritet 170 km, ndërsa gjatësia e re e rrugës për tu ndërtuar rezultoi 111 km. Segmenti Durrës–Vorë–Fushë-Krujë–Milot është gjithsej 59 km dhe konsiderohet ekzistuese dhe pjesë e korridorit Veri–Jug.

Rëndësia rrugës

Rruga Durrës–Kukës–Morinë përbën një ndër segmentet rrugore më të rëndësishme në Shqipëri, mbi të gjitha për lidhjen që ajo bën me Kosovën. Ndërtimi i kësaj rruge është përshëndetur dhe vlerësuar maksimalisht pikërisht për vlerën e saj të jashtëzakonshme në këndvështrimin e zhvillimin e biznesit vendas dhe atë të Kosovës. Por ndërtimi u kësaj rruge i jep mundësi dhe jep lehtësira shkëmbimeve tregtare edhe të vendeve të tjera të rajonit, të cilat deri dje për shkak të rrjetit të keq rrugor preferonin ti drejtoheshin portit të Selanikut. Po ashtu ndërtimi i këtij aksi të rëndësishëm rrugor pritet të zhvillojë në mënyrë të ndjeshme edhe turizmin malor në zonën veriore dhe verilindore të vendit tonë. Më 31 maj të këtij viti, kur tuneli Thirrë–Kalimash u bashku në të dyja anët e tij, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se ky tunel me shërbimet që ofron në fushën e transportit dhe të qarkullimit bashkon më shumë shqiptarët me kombe të tjera të rajonit: maqedonasit, serbet, bullgarët dhe të gjitha kombet e këtij rajoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›