Berisha dhe Ruçi i veshur si grua
Ka një dallim thelbësor në strategjinë politike mes mazhorancës dhe opozitës. Më mirë, mes kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe rivalit të tij në opozitë, Edi Rama. Berisha, në fjalimet e tij, u flet ndjenjave të simpatizantëve, militantëve, siç ka bërë gjithnjë; Rama, vitet e fundit, ka bërë një kthesë te forte në krahasim me fjalimet e tij në fillimet politike, duke i folur arsyes, logjikës së njerëzve, simpatizantëve, militantëve. Eshtë më e lehtë dhe efikase të komunikosh me ndjenjat se me logjikën, kjo është e verifikuar. Në Kuvend, në seancën e parë për 2011, Berisha nuk e braktis oratorinë e tij që e karakterizon e që ngacmon drejtpërdrejtë ndjenja si turpi, terbimi, urrejtja, perqeshja, ironia, tallja. Duke përdorur të gjitha mjetet si gënjeshtra, hiperbola, të spërkatura aty këtu me pak të vërteta. Ai thotë gjera që nuk kanë lidhje aspak me politikën duke prekur gjëra personale si familja apo jeta private e kundërshtarëve politikë, sidomos të kryetrarit të PS Edi Rama, duke shmangur totalisht vëmendjen nga skandalet reale të politikës e korrupsionit. Për të parë menjëherë se si reagon elektorati apo simpatizantët e Berishës ndaj fjalimeve të tij, duhet parë znj. Jozefina Topalli. Kënaqësia e papërmbajtur që shpreh kryetarja e Kuvendit, është ajo që mund të shihet në çdo shtëpi shqiptarësh që votën e tyre tradicionalisht ja japim Partisë Demokratike. Berisha arrin të shprehet me një fjalor që deri më sot nuk ka të dytë në politikën shqiptare. Eshtë një fjalor që do ta kishte zili dhe më intriganti skenarist i telenovelave amerikano-latine. Sa I takon opozitës, duhet të rishikojë qëndrimin e saj përballë kësaj strategjie. Qe Gramoz Ruçi është larguar me minifund nga Shqipëria në vitin 1997, nuk e thotë një shtëpiake e dëshpëruar e telenovelave, por kryeministri i vendit. Heshtja e Ruçit, është një zhytje pakthim në harresë e betejës oratorike të opozitës.
(BalkanWeb)
(BalkanWeb)