Imzot Zef Simoni: Të hapen dosjet, e vërteta duhet njohur
Në debatin për domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve është përfshirë dje edhe imzot Zef Simoni. Kleriku, i cili ka kaluar shumë vjet në burgjet e diktaturës komuniste, në një prononcim për TVSH-në, u shpreh kategorik që ky proces katarsisi duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. “Dy pushtimet më të mëdha që ka patur Shqipëria janë pushtimi turk, i cili zgjati 500 vjet, por tersi nuk iu nda Shqipërisë edhe për 50 vjet të tjera, kur ajo u pushtua nga komunizmi, tha imzot Simoni. Hapja e dosjeve eshte nje gjë shumë e mirë, tha kleriku i lartë katolik. Ne nuk duhet te hakmerremi, ne i kemi falur ata, por qëndrimi i tyre në poste të larta shtetërore, është një gjë e llahtarshme. Nëse një komb do të ecë përpara, ai duhet ta njohë te vërtetën, theksoi ai. Ne duam të ecim përpara, prandaj e vërteta duhet njohur”, përfundoi prononcimin e vet për TVSH-në, kleriku Zef Simoni. Më herët, në mbështetje të hapjes sa më të shpejtë të dosjeve të diktaturës, duke vlerësuar edhe nismën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë ishte shprehur për mediat edhe Imzot Rrok Mirdita, mitropoliti i Ipeshkvisë “Tiranë-Durrës” dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare.
...