Berisha dhe dy kombet më të vjetër të planetit: Shqipëria dhe Ish roe El-i (Izraeli)
Gjatë vizitës të tij të suksesshme në SHBA kryeministri Sali Berisha vizitoi edhe Holocaust Memorial Museum, ku mori pjesë me bashkëshorten e tij znj. Liri Berisha, në ceremoninë e prezantimit të filmit dokumentar “Besa”. Evenimenti zhvillohej për herë të parë në Uashington dhe vinte si një akt vlerësues për kombin shqiptar që arriti të shpëtonte dhe ndihmonte rreth 2000 hebrenj. Pasi i dorëzoi zonjës Neumann çmimin e mirënjohjes të akorduar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, kryeministri shqiptar nënvizoi se “nuk ka asgjë më të keqe, sesa diktatorët, sepse ata kanë një fuqi negative mbi njerëzit, për t’i transformuar si qenie njerëzore”. Më tej duke folur për Shqipërinë theksoi se Shqipëria “ra nën diktaturën më të keqe që Europa ka njohur, ra nën shtypjen më të egër. Shqiptarët e kanë të nevojshme të lënë sa më shpejt të jetë e mundur mbrapa këtë kohë. Për shqiptarët, diktatura e Hoxhës ishte një errësirë e madhe”. “Jam i lumtur që shqiptarët sa herë që janë takuar me hebrenjtë, në historinë e tyre të gjatë, e të dy janë ndër kombet më të vjetër në planet, janë takuar si miq. Vërtet nuk kanë pasur komunikim intensiv, por sinagoga më e vjetër në Ballkan është gjetur në Shqipëri. Përgjatë historisë, hebrenj nga vende të ndryshme u strehuan në Shqipëri dhe kjo nuk ishte rastësi”.
Dy kombe nga më të vjetrit në planet, dy kombe që janë takuar si miq. Në fakt, emri i Izraelit citohet edhe në Librin e Gjenezës ku shkruhet episodi në të cilin Zoti i ndërron emrin Jakobit duke e quajtur pikërisht Izrael. Ka shumë të tjerë që mbështesin idenë se emri rrjedh nga bashkimi i fojles śarar që do të përkthehej “qeverisje” ose “të kesh autoritet” me mbaresën (el) që do të përkthehej “Zot”. Që do të ishte “Zoti qeveris”. Sipas shumë të tjerëve akoma, prejardhja vjen nga emri Jakob, pra Izrael, Ish roe El, që e përkthyer do të thotë “njeriu që pa ëngjëllin”. Sidoqoftë Izraeli i sotëm ka një popullsi që i kalon 7 milionë banorët, sipas regjistrimit të viti 2010, me hebrenj afro 76% të popullsisë dhe minoranca arabe, kristiane dhe druze. Që prej 14 majit 1948, kur mbaroi Mandati britanik i Palestinës dhe sipas Ligjit Themelor të 1980, sepse Izraeli nuk ka një Kushtetutë, ku shkruhet se kryeqyteti është Jeruzalemi por që në fakt pothuajse të gjitha ambasadat e huaja janë të vendosura në Tel - Aviv. Pikërisht një javë më parë, Benzion (i biri i Sion-it) Netanyahu ka vdekur në moshën 102 vjeçare. Ishte një historian i periudhës mesjetare dhe një studiues i madh i inkuizicionit spanjoll i cili e “shikonte historinë hebraike si një histori holokausti” - kështu shkruante NY Times në nekrologjinë e bërë enkas për të. Benzion ishte edhe sekretar politik i Ze’ev Jabotinsky, lideri i revizionizmit sionist të djathtë. Që prej planit të ndarjes territoriale të OKB të vitit 1947, i kushtoi jetën kundërshtimit të një shteti palestinez. Sipas tij shpëtimi i vetëm do të vinte nga një Izrael vigjilent dhe i armatosur. Plot një javë më pas, djali i tij Benjamin (Bibi) Netanyahu do të shpallte zgjedhjet e parakohshme në Izrael. Ndoshta këto zgjedhje mund të zhvillohen në fillim të shtatorit përpara festës hebraike. Natyrisht nuk ka asnjë lidhje mes zgjedhjeve dhe vdekjes të Benzionit sepse djali i tij e kishte menduar prej kohësh këtë. Kryeministri Netanyahu do të shpallë zgjedhjet e parakohshme rreth një vit përpara skadencës natyrale për legjislaturën në Knesset sepse kërkon të jetë i sigurtë për të fituar sërish dhe për të forcuar pushtetin. Sepse të udhëheqësh Izraelin nuk është diçka e lehtë. Qeveria kërkon të injorohen palestinezët, mos t’i jepet rëndësi e madhe Pranverës arabe madje kjo e fundit të shihet si një kërcënim dhe aksioni ushtarak të shihet si një opsion i mundshëm përkundrejt bërthamores iraniane duke vazhduar me të vetmen bindje: “Bota na urren”. Edhe pse ka një shumicë absolute dhe një pakicë që nuk ekziston, Netanyahu kërkon zgjedhjet në shtator sepse Barak Obama do të jetë shumë i angazhuar në zgjedhjen e tij për president për t’u impenjuar edhe për ato të Izraelit dhe për të kryer një fushatë kundër. Edhe Bill Klinton flitet se urrente Bibin, gënjeshtrat e tij, falsitetin, retorikën boshe dhe sabotimin e përditshëm të procesit të paqes. Në vitin 1999, Klinton nuk kishte zgjedhje në Amerikë dhe kishte një rol themelor në zgjedhje. Ndoshta situata e sotme është tërësisht e ndryshme sepse edhe sikur të ishte në fushatë zgjedhore, Obama nuk do të kishte kohën e mjaftueshme për t’i kushtuar Izraelit sepse presidenti amerikan kërkon të punojë për daljen nga kriza, të rrisë punësimin, dhe të kryejë reforma sociale. Presidenti amerikan është i lodhur me Bibi Netanyahu-n por ndoshta do të lodhej edhe më shumë për të gjetur një kundërshtar tjetër dhe për ta mbështetur atë. Në panoramën politike të Izraelit shfaqet baza e Kadimës, që është partia e parë e opozitës e cila ka zgjedhur një lider të ri që quhet Shaul Mofaz, që vjen pas Tzipi Livni, dhe ndoshta është më djathtas dhe më anti palestinez se Benjamin Netanyahu, por që në të njëjtën kohë nuk ka karizëm. Me të partia do të humbasë disa vende por ajo që i intereson Mofaz-it është që të mbajë kontakte me Benjamin Netanyahun për të hyrë në qeveri dhe për të marrë postin e ministrit të Mbrojtjes, që në Izrael është i dyti për nga rëndësia. Objektivi i tij i parë është që të mënjanojë Ehud Barak-un, pa një parti të fuqishme dhe të bëhet zotëria i forcave të armatosura, në të cilat ka qenë angazhuar edhe më parë. Kush do të kundërshtojë Netanyahu-n, pushtetin e kolonëve dhe rritjen e rabinëve kombëtarë? Ndoshta fenomeni Yair Lapid, një gazetar i suksesshëm që ka themeluar një parti të qendrës së majtë, Yesh Atid, ka një të ardhme. Kush do ta shpëtojë Izraelin? Po Palestinën? Sepse në këtë të fundit kriza fiskale është e mprehtë sepse aty gjithçka varet akoma nga sektori publik dhe nga projektet infrastrukturore që të dyja të financuara fuqishëm nga ndërkombëtarët. Ndoshta kjo mund të shihet si një shenjë alarmi që i përket stabilitetit të ekonomisë palestineze. Kështu flitet edhe në zyrat e studimit të Bankës Botërore. Kështu shkruhet gjithashtu edhe në një dokument që Ministria e Jashtme e Izraelit ka dërguar në Bruksel në takimin e fundit mes organizatave ndërkombëtare dhe vendeve donatore. Izraeli shqetësohet se për shkak të krizës globale bashkësia ndërkombëtare ka reduktuar ndihmat finaciare për Palestinën. Ministria e Jashtme e Izraelit ka një objektiv të cilin nuk e fsheh madje deklaron: “Kjo dëshmon nevojshmërinë e reformave në mënyrë që Autoriteti palestinez të arrijë standardet e një Shteti që funksionon”. Një ekonomi e tillë nuk mund të mbajë një Shtet të pavarur.