E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhja e Presidentit, Mediu: PD po konsultohet me aleatët

08-05-2012 / Gazeta 55

Kreu i PR: Fatos Nano mbetet një kandidaturë e mirëpritur, por mazhoranca do ketë kandidatin e saj


Mazhoranca ka nisur brenda vetes konsultimet për kreun e shtetit, ndonëse jo publikisht. Fatmir Mediu, kreu i republikanëve e pohoi këtë lëvizje për median, duke deklaruar se nuk kanë munguar takimet lidhur me këtë çështje mes tij dhe kryeministrit Berisha. “Synimi është që mazhoranca të ketë kandidaturën e saj dinjitoze në garën e re presidenciale, duke e parë si më të rëndësishëm procesin si moment konsultimi në traditën e dy zgjedhjeve të fundit presidenciale, para gjendjes së numrave aktualë të mazhorancës dhe opozitës në Kuvend. Është e domosdoshme dhe besoj që mazhoranca të ulet e të diskutojë për emrat dhe figurat që ajo do të propozojë. Ajo që është e rëndësishme është që ne të arrijmë në një zgjedhje të qenësishme, që qytetari i parë i vendit te jetë garant i Kushtetutës” - u shpreh Mediu, i cili thekson se “para se Partia Demokratike të nxjerrë në tavolinë kandidaturat e saj, duhet të konsultohet me të gjithë aleatët e djathtë”. Pas turit të takimeve me krerët e partive parlamentare për të mbështetur kandidaturën e tij për president, Fatos Nano mbetet një kandidaturë e mirëpritur edhe nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Kreu i republikanëve ka konfirmuar se është për një president që vjen si rezultat i konsultimeve mes të gjitha forcave, por pa devijuar nga hapësirat që parashikohen me Kushtetutë. “Patjetër që do ta takoj zotin Nano. Unë kam qenë për dialogun politik, është më se i domosdoshëm, sidomos për çështjet e interesit kombëtar. Unë besoj një president që do të vijë si fryt i diskutimeve dhe debateve brenda forcave politike dhe një vendimmarrje që qartësisht duhet të jetë kushtetuese mbas një fryme diskutimi konstruktiv” - shprehet Mediu. Në 15 maj konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare miraton nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri. Konkretisht, afatet për mbledhjen e 20 firmave të nevojshme për të kandiduar për të kryesuar shtetin.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›