E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha do edhe më shumë

Besart Berisha e ka konsideruar sezonin e tij të parë në Australi si më të mirin në karrierë, pasi e ndihmoi ekipin Brisbane Roar të shpallej kampion. Mirëpo, sulmuesi kosovar pret të ketë ngritje në nivelin personal, derisa synon që me skuadrën e tij ta fitojë sërish titullin në A-League.

Besart Berisha e ka kujtuar fitoren në finalen e madhe ndaj Perth Gloryt, ndërsa beson se karriera e tij ka ndryshuar rrënjësisht, që kur u transferua në Brisbane Roar. Sulmuesi kosovar nuk dëshiron të ndalet.

Pas sezonit të mrekullueshëm, ku realizoi 19 gola në sezonin e rregullt dhe dy të tjerë në finale, Berisha nuk e ka ndërmend të ndalet. Ai do të mundohet që ta ngritë nivelin personal dhe të jetë edhe më i dobishëm për Roar sezonin që vjen.

Përfaqësuesi shqiptar, i cili më parë kishte luajtur në Gjermani, Danimarkë, Angli, Norvegji dhe tash në Australi, po punon fort në mënyrë që të jetë i gatshëm për fillimin e sezonit në muajin tetor.

“Kisha sezon të mirë vitin që shkoi, por tash dëshiroj ta arrij nivelin tjetër. Dëshiroj që tifozët e futbollit ta shohin Besart Berishën më të mirë dhe për këtë dëshiroj të jem më i suksesshëm. Dua të fitoj më shumë ndeshje dhe ta ndihmoj ekipin edhe më shumë në lojën e përgjithshme. Dëshiroj ta arrij këtë duke punuar shumë në stërvitje dhe në ndeshje. Nuk do të mbetem asnjë sekondë pa u angazhuar”, deklaroi ish futbollisti i Hamburgut për mediat australiane.

“Finalja e madhe ishte njëra prej arritjeve më të mëdha në karrierën time. Ta fitoj finalen e madhe dhe t’i shënoj dy gola ishte diçka speciale, sepse nuk jam shumë i mirë në finale. Isha mjaft i lumtur dhe mund të them se kjo do të mbetet në kujtesën time. Mirëpo, dëshiroj të arrij më shumë suksese”, vazhdoi ai.

Prishtinasi e pranon se ishte befasuar me largimin e trajnerit Ange Postecoglou, të cilin e konsideron fantastik, ndërsa e ka mirëpritur emërimin e trajnerit të ri Rado Vidosic.

Qëndrimi i lojtarëve në fazën përgatitore e ka bindur Berishën që Brisbane ka mundësi të mira që ta regjistrojë rekordin historik prej tre titujsh rresht në A-League. Mirëpo, ai përmendi ekipet si Melbourne Victory, por edhe të tjerat, që do t’i shkaktojnë Brisbanes probleme sezonin e ardhshëm, ndërsa pret një kampionat mjaft interesant.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›