E Diel, 1 Nëntor 2026

Klubet, të kënaqura me marrëveshjen ‘Digit-Alb’ – FFK

Drejtuesit e klubeve të Raiffeisen Superligës e kanë përshëndetur marrëveshjen ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kompanisë mediatike ‘Digit–Alb’, e cila i fitoi të drejtat televizive për transmetimin e ndeshjeve të Superligës për sezonin 2012/2013.

Me 110 mijë euro të ofruara, ‘Digit–Alb’ e ka bindur shtëpinë e futbollit kosovar se e meriton t’i transmetojë drejtpërdrejt ndeshjet e elitës së futbollit kosovar në vendin tonë, ashtu siç do t’i transmetojë edhe duelet më të rëndësishme të kampionateve më të forta evropiane nëpërmjet ‘Super Sport Kosova’.

“Janë vetë klubet ato që kanë vendosur, kjo është një vazhdimësi nga sezoni i kaluar. Por, kjo marrëveshje duket të jetë më profitabile, ngase deri dje nuk kemi fituar asgjë, ndërsa sot 5-6 mijë euro janë të mirëseardhura në këto momente krize”, theksoi kryetari i Besës, Bakir Burri.

Edhe drejtori i Trepçës ’89, Abedin Zeka, e ka mirëpritur këtë marrëveshje në bazë të së cilës do të përfitojnë më së shumti klubet kosovare të futbollit. “Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë të gjitha klubet, dikush më shumë e dikush më pak, sidomos ato që kanë më pak shikueshmëri. Në krahasim me vitin e kaluar, kur klubet tjera s’kanë marrë para, kjo marrëveshje nuk është e keqe”, deklaroi ai.

Për dalim nga viti i kaluar, këtë herë do të përfitojnë të gjitha klubet nga kjo marrëveshje, pasi që një pjesë e parave do t’i jepen secilit klub, përkatësisht nga 5-6 mijë euro. Ndërkaq, kampioni do të paguhet me 20 mijë euro, nënkampioni me 10 dhe ekipi që renditet i treti do t’i përfitojë 5 mijë euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›