E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha dorëzon Pyetësorin. Fule: Zgjidhni krizën

Berisha deklaroi nga Brukseli se kutitë nuk hapen. Ndërsa Komisioneri për Zgjerimin apeloi se Kuvendi dhe situata aktuale politike në Shqipëri nuk është në të njëjtën linjë me atë që kërkon KE


BRUKSEL - Shqipëria dorëzoi dje në Bruksel përgjigjet e 2284 pyetjeve të Pyetësorit për marrjen e statusit kandidat për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Kryeministri Sali Berisha gjatë dorëzimit të Pyetësorit komisionerit për Zgjerimin Europian, Sfetan Fyle, theksoi se ky është një moment historik, duke harruar faktin se kriza politike mund të ketë pasoja për finalizimin e këtij procesi.


Kreu i qeverisë shqiptare gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me komisionerin Fyle vuri në dukje se Shqipëria pret tashmë një vlerësim pozitiv nga ana e Komisionit Europian edhe pse kreu i këtij institucioni i specifikoi kreut të ekzekutivit shqiptar se realiteti politik ka mospërputhje me atë që kërkohet nga institucionet e Bashkimit Europian.


"Tani vendi im solli këtu sot (dje) këto përgjigje me shpresën më të madhe për një vlerësim pozitiv. Fillimet e reja i konsideroj si një moment energjie të re. Jam i sigurt se në muajt që do të vinë ne do të hapim dialogun me Komisionin në transparencë të plotë.


Do të bëjmë gjithçka mundemi për të pasur një vlerësim pozitiv të kësaj pune", - tha dje Berisha. Ndërsa komisioneri Fyle tha se Komisioni Europian tani e tutje do të analizojë përgjigjet e dhëna nga administrata shqiptare dhe se në muajit në vazhdim do të ketë konsultime me ekspertët shqiptarë dhe aktorë të tjerë, për të marrë vlerësime shtesë për Opinionin që do të përgatisë institucioni që ai drejton.


Ky opinion, sipas Fyles, do të jetë në përputhje me atë çka realisht ofron Shqipëria dhe kritereve të vendosura nga BE-ja si dhe kriteret e Kopenhagenit. Ndërsa koha e që do të jepet vlerësimi i KE-së, sipas Fyles, do të jetë në varësi të analizës që do t'u bëhet përgjigjeve që ka dhënë vendi ynë.


Me gjithë plotësimin e Pyetësorit, komisioneri Fyle vuri në dukje se ajo që mbetet një shqetësim serioz për Bashkimin Europian është situata aktuale politike e cila nuk po gjen zgjidhje.


Kjo situatë, sipas tij, është në përpjesëtim të zhdrejtë me atë që ka kërkuar Komisioni Europian dhe vetë BE-ja, duke filluar që nga problemet me respektimin e Kushtetutës, transparencës dhe stabilitetit politik. "Koha kur do të jepet ky vlerësim do të varet në kohën e analizimit të informacionit që ne kemi marrë.


Ndërsa hapat e mëtejshëm do të vendosen nga Këshilli. Desha t'i rikthehem shqetësimit tim për sa i përket situatës aktuale politike në Shqipëri. Parlamenti dhe situata aktuale politike në Shqipëri nuk është në të njëjtën linjë me atë që kërkon Komisioni Europian dhe institucionet evropiane për sa i përket respektimit të Kushtetutës, transparencës dhe funksionimit politik.


Shteti i së drejtës, përfshirë këtu lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për një demokraci funksionale, si dhe ekonomia kanë shënuar progres. Por, sfidat përpara për vendin tuaj mbeten të mëdha", - u shpreh Fyle.


Zgjedhjet


Lidhur me krizën politike, Kryeministri Sali Berisha përsëriti qëndrimin e tij të njohur se zgjedhjet arritën standardet e kërkuara dhe se ai së bashku me qeverinë që drejton është i hapur për çdo lloj hetimi, por jo ato që, sipas tij, prekin ndarjen e pushteteve.


Sipas tij, vendi ynë ka mundësinë për të kryer transparencën e plotë të zgjedhjeve, por duke respektuar institucionet e drejtësisë që objektivisht do të thotë transparencë pa hapjen e kutive të votimit. Ndërkaq, Fyle bëri edhe një herë apel për zgjidhjen e krizës politike, duke kërkuar që aktorët politikë shqiptarë të marrin përsipër përgjegjësitë dhe të sigurojnë zgjidhjen e ngërçit politik.


"Mesazhi që transmetuam drejt Tiranës është ende i vlefshëm. Ka ende shumë për të bërë. Ka ende një dritare mundësie për të gjithë ata që janë të përfshirë dhe për të gjithë ata që kanë një pjesë të përgjegjësisë për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që opinioni t'i referohet kësaj çështje në kohën e shkuar", - apeloi Fyle.


Me gjithë këtë mesazh të qartë të komisionerit të KE-së, Berisha e ka injoruar apelin e tij duke thënë se tashmë ai do të vazhdojë punën e tij dhe nuk do të merret me ankesat e opozitës përderisa në Shqipëri çdo gjë është transparente, gjithmonë, sipas tij, duke iu përmbajtur procedurave ligjore.


"Presidenti i Komitetit të Këshillit të Europës erdhi me vullnet shumë të mirë unë pranova gjithçka ai tha, por u hodh poshtë nga opozita. Por tani kam për qëllim të vazhdoj punën time, sepse nuk ka asgjë, nuk ka asnjë dokument i cili nuk mund të bëhet transparent qoftë ky fletë votimi apo jo. Por duhet të ndiqen procedurat dhe këto procedura janë shkruar në ligjet e vendit", - shtoi Berisha.


Por Fyle, i adresoi sërish një thirrje të qartë se nëse Komisioni Europian do të marrë parasysh krizën politike në hartimin e Opinionit të tij, atëherë do të ketë pasoja që do të ndikojnë edhe në vendimin e shteteve anëtare të Bashkimit Europian në dhënien e statusin të vendit kandidat Shqipërisë si dhe në hapjen e negociatave me BE-në.


"Opinioni i Komisionit do të jetë i kuptueshëm dhe objektiv. E vetmja pyetje që mbetet tek shqiptarët, tek qeveria dhe opozita nëse do t'i referohemi kësaj si një çështje ende e pazgjidhur, e cila më pas sjell edhe pasoja për sa i përket rekomandimeve tona dhe vendimit të shteteve anëtare", - tha më tej Fyle.

Kryetari i Delegacionit për Europën Juglindore tha se ngërçet politike zgjidhen përmes
institucioneve

Vizat, Kukan: Shqipëria ka plotësuar kushtet teknike

BRUKSEL - Eduart Kukan, kryetari i Delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian, ka deklaruar dje se Shqipëria ka plotësuar kushtet teknike për liberalizimin e vizave, por ka kujtuar që politika shqiptare të jetë më e përgjegjshme.


Deklarata (publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë) është bërë në konferencën "Shqipëria drejt Bashkimit Europian, një rrugë mbi meritën", organizuar nga Fondacioni Robert Schuman, ku merrte pjesë edhe kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Bruksel për dorëzimin e pyetësorit të KE-së. Kukan, duke iu referuar vizitës që delegacioni që kryesonte zhvilloi pak kohë më parë në vendin tonë, deklaroi se ka parë nga afër progresin që vendi ka bërë në këto vite.


Për sa i përket procesit për liberalizimin e vizave, Kukan theksoi se Shqipëria ka përmbushur kriteret teknike dhe është gati për liberalizimin e vizave.


"Ne e pamë vetë se të gjitha kriteret teknike janë përmbushur dhe se Shqipëria është gati për liberalizimin e vizave. Ne urojmë që Komisioni Europian të shprehet sa më shpejt, në mënyrë që Parlamenti Europian ta përmbyllë këtë proces, sepse është një çështje shumë e rëndësishme dhe një hap tjetër shumë i rëndësishëm në rrugën drejt BE-së", - tha Kukan.


Ai u ndal edhe në situatën politike në Shqipëri, për të cilën u shpreh se rruga europiane për të zgjidhur konfliktet dhe çështjet politike është vetëm përmes institucioneve demokratike. "Bojkoti i parlamentit nuk është mënyra europiane e zgjidhjes së çështjeve politike. Mendoj se mesazhi që unë dhashë është mjaftueshëm i qartë. Do të jetë vërtet me interes për Shqipërinë që e gjithë politika të kryhet me përgjegjësi", - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›