E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza / Topalli bllokon propozimet me faturë financiare

Përmes një urdhri të lëshuar nga Topalli, çdo amendament me faturë nga Kuvendi duhet të marrë paraprakisht pëlqimin e Ridvan Bodes



TIRANË - Mungesa e parave për realizimin e buxhetit për vitin 2010 ka detyruar qeverinë që të mos tolerojë më Kuvendin që të miratojë projektligje, që kanë faturë financiare pa marrë më parë mendimin e Ministrisë së Financave.


Pavarësisht se një rregull i tillë është i përcaktuar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka nxjerrë së fundi një urdhër të posaçëm, ku i bën të ditur krerëve të komisioneve parlamentare që të mos kalojnë asnjë lloj ndryshimi ligjor, zbatimi i të cilit në praktikë kërkon shpenzime shtesë nga Buxheti i Shtetit.


Bëhet fjalë për urdhrin Nr. 2 të datës 6 prill 2010 që mban firmën e vet kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe që i drejtohet Ministrisë së Financave, kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve të komisioneve të përhershme, si dhe sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Marlind Myftiu.


Në urdhrin e saj, Topalli, duke iu referuar pikërisht Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, dhe pikërisht dispozitave që i krijojnë asaj mundësinë e drejtimit të veprimtarisë së këtij institucioni dhe të drejtën për të hyrë në marrëdhënie me të tretë, shprehet se gjatë shqyrtimit të nismave ligjore ose amendamenteve, komisionet parlamentare janë të detyruar të marrin mendimin e Këshillit të Ministrave përmes Ministrisë së Financave.


Gjithashtu, ajo në këtë dokument i bën të ditur edhe vet Ministrisë së Financave se mendimi që ajo duhet të japë për çdo projektligj apo amendament, të jetë zyrtar, i dokumentuar përmes formës shkresore, në mënyrë që të krijohet mundësia që përmbajtja të pasqyrohet në raportin e komisionit. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen pikërisht krerët e komisioneve të përhershme, si dhe sekretari i përgjithshëm i Kuvendit.


Megjithëse në vendim nuk bëhen të ditur arsyet që çuan kryeparlamentaren Topalli në nxjerrjen e këtij urdhri për evidentimin e detyrimit të zbatimit të këtij rregulli, nga burime pranë institucionit ligjvënës mësohet se shkak është bërë edhe shqetësimi i shprehur nga ministri i Financave, Ridvan Bode, në seancën plenare të datës 1 prill lidhur me ligjin e miratuar "Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".


Në një debat të zhvilluar pa mikrofon mësohet se Bode ka shprehur pakënaqësinë e vet për vendimin e Komisionit të Medias për të përfshirë në draftin e qeverisë dhe disa amendamente shtesë, zbatimi i të cilave mbarte dhe një faturë financiare shtesë.


Për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla gjatë zhvillimit të seancave plenare, Topalli ka vendosur që ta bëjnë taksative për çdo komision që për çdo amendim që mund t'i bëhet projektligjeve që vijnë nga qeveria të marrin një mendim të shkruar nga Ministria e Financave.


Por, urdhri i Topallit, përveçse tregon situatën e rëndë financiare në të cilën është përfshirë qeveria, duket se nuk është i bazuar në ligj, pasi baza ligjore së cilës referohet në hyrje nuk përcakton qartë nëse një amendim i çfarëdolloj që mund të vijë nga deputetët gjatë shqyrtimit në komision mund të kërkojë me patjetër mendimin e specializuar të Ministrisë së Financave.


Kështu, neni dhe 82, pika 2 e Kushtetutës, së cilës i referohet Topalli në letrën e vet përcakton se, "asnjë projektligj joqeveritar që bën të nevojshme rritjen e shpenzimeve të buxhetit të shtetit ose që pakëson të ardhurat, nuk mund të miratohet pa marrë mendimin e Këshillit të Ministrave, i cili duhet të shprehet brenda 30 ditëve nga data e marrjes së projektligjit".


Pra, ky nen i Kushtetutës bën të detyrueshme marrjen e mendimit të Këshillit të Ministrave vetëm për nisma që vijnë nga deputetë apo zgjedhësit kur ato kanë faturë financiare dhe jo për çdo rast tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›