Integrimi, Topalli: Ftoj PS-në të bashkëpunojë

Kryetarja e Kuvendit kërkoi dje që opozita të bashkëpunojë, me qëllim integrimin e vendit
TIRANË - Kriza politike në vend nuk ndihmon procesin integrues të Shqipërisë në familjen e madhe të Bashkimit Europian. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në ditën që kryeministri Berisha dorëzoi në Bruksel pyetësorin e plotësuar, ka pranuar se sjellja e opozitës karshi institucioneve të vendit nuk favorizon procesin integrues ndaj i ka bërë thirrje asaj që të japë kontributin e vet në këtë drejtim duke marrë pjesë në realizimin e reformave.
"Padyshim që mungesa e bashkëpunimit të opozitës nuk e ndihmon procesin. Mungesa e bashkëpunimit është jashtë kohës, jashtë vendit, meqenëse shoqëria shqiptare në 96 për qind të saj kërkon integrimin.
Unë shfrytëzoj rastin për ta ftuar Partinë Socialiste, për të qenë bashkëpunuese në çdo ligj, në çdo reformë që ne vazhdojmë të kemi në Parlamentin e Shqipërisë", - tha Topalli për gazetarët gjatë takimit të organizuar nga Bashkëpunimi Italian për Zhvillim, mbi mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Topalli ka theksuar gjithashtu se opozita dhe jo mazhoranca, është nën vëzhgimin e faktorit ndërkombëtarë, i cili, sipas saj, po sheh sesa ajo është e gatshme të kontribuojë në këtë proces përmes pjesëmarrjes së saj në realizimin e reformave. "Jemi në momentin vendimtar kur komuniteti ndërkombëtar dhe Europa po shikojnë sesa opozita po bashkëpunon në Parlament për çuarjen përpara të reformave të tjera.
E përsëris, liberalizimi i vizave do të bëhet. Askush nuk duhet të guxojë që të pengojë këtë proces. Por, do të ishte në nderin e opozitës t'i thoshte shqiptarëve që "edhe unë kam kontributin tim".
Ashtu siç ka pasur kontributin në 20 vjet Partia Socialiste në reformat dhe rrugën e integrimit të Shqipërisë. Ashtu siç ka pasur kontributin e saj në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO", - u shpreh Topalli. Pavarësisht qëndrimit të socialistëve, kryetarja e Kuvendit është shprehur e sigurt se procesi i integrues i vendit, duke filluar që nga liberalizimi i vizave brenda vitit 2010 nuk do të ndalet. "Në këto ditë çdo orë është vendimtare për liberalizimin e vizave.
Natyrisht, ne do të bëjmë çdo gjë për të rikuperuar kërcënimin që i është bërë nga bojkoti dhe kërcënimin që i është bërë nga mospjesëmarrja tërësore në të gjitha punimet parlamentare, si në komisione ashtu edhe në aktivitete të tjera të punës së Parlamentit.
Por, unë e shoh me optimizëm. Liberalizimi i vizave do të bëhet për shqiptarët. Unë jam e bindur. Është punuar fort. Kemi plotësuar të gjitha detyrimet", - tha më tej kryeparlamentarja Jozefina Topalli.