E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dyfishon deficitin tregtar ndaj 2004

Më 2004, viti i fundit i mandatit të qeverisë së kaluar, rezultati i deficitit tregtar ishte 174 miliardë lekë të reja. Kështu, në katër vjet 'Berisha' ka dyfishuar këtë tregues jetik për ekonominë e vendit. Në dhjetor importi në vlerë është gjashtë herë më i madh se sa eksporti 

TIRANE-Sipas statistikave zyrtare, muaji dhjetor rezulton muaji më i dobët ndër vite i tregtisë me jashtë të vendit. Të dhënat, e sapopublikuara dje nga INSTAT, bëjnë të ditur se në muajin dhjetor të vitit 2008 u eksportuan 6,9 mld lekë mallra, me ulje 23.4 për qind në krahasim me muajin nëntor të vitit 2008. Kjo shënon një kthim të tendencës, duke qenë se këtë vit po shënoheshin rezultate pozitive në rritjen e eksporteve. Nga ana tjetër, në të njëjtin muaj, u importuan 43,1 mld lekë mallra, me rritje 11 për qind në krahasim me muajin nëntor 2008 dhe rritje 24.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor të 2007-ës.
Në këtë mënyrë, deficiti tregtar i gjithë vitit 2008 rezulton në masën afro 326 miliardë lekë të reja, ose, e konvertuar në monedhën evropiane, 2,7 miliardë euro. Ky është një rezultat rekord në këtë tregues. Më 2004, viti i fundit i mandatit të qeverisë së kaluar, rezultati i deficitit tregtar ishte 174 miliardë lekë të reja. Kështu, në katër vjet 'Berisha' ka dyfishuar këtë tregues jetik për ekonominë e vendit. Në dhjetor importi në vlerë është gjashtë herë më i madh se sa eksporti. Në dhjetor, krahasuar me nëntorin, thekson INSTAT, eksporti i grupit "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi" u ul 46.4 për qind, "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike", u ul 40.2 për qind, "Materiale ndërtimi dhe metale" u ul 36.4 për qind, "Ushqime, pije, duhan", u ul 35.4 për qind, etj. Kurse importi i grupit "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi" u rrit 26 për qind, "Ushqime, pije, duhan" u rrit 20.4 për qind, "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike", u rrit 13.4 për qind, etj.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›