E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Bajden dhe Klinton më garantuan se Obama do të vizitojë Shqipërinë”

Gjatë një interviste të posaçme për gazetën amerikane “The Washington Times”, kryeministri Sali Berisha flet për marrëdhëniet e ngushta që ka vendosur me administratën amerikane, si gjatë presidencës së tij, edhe tani gjatë tre viteve të mandatit kryeministror.
Ja detajet e bashkëpunimit me CIA-n, për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar

TIRANE - Vizita e suksesshme e kryeministrit Sali Berisha disa ditë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të Mëngjesit të Lutjeve ka gjetur jehonë edhe në mediat më të njohura në SHBA. Kreu i qeverisë shqiptare është intervistuar nga e përditshmja “The Washington Times”, ku ka shprehur përkushtimin e plotë të Shqipërisë për të qenë përkrah Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizimit. Nga ana tjetër, Berisha ka marrë edhe garancitë për një mbështetje të vazhdueshme të SHBA-ve për Shqipërinë. Berisha ka bërë ët ditur se nga zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhe dhe Departamentit të Shtetit, kishte marrë edhe premtimin për një vizitë të Presidentit Barak Obama në Shqipëri.
“Ne kemi pasur dhe vazhdojmë që të kemi një bashkëpunim të ngushtë me CIA-na dhe do ta vazhdojmë më tej këtë bashkëpunim”, shprehet midis të tjerave kryeministri Berisha për gazetën amerikane.
Berisha ka mohuar nga ana tjetër ekzistencën e burgjeve sekret të Shërbimit Inteligjent Amerikan në Shqipëri, ashtu sikurse është spekuluar shpesh nga ana e mediave apo organizmave të ndryshëm ndërkombëtare.
Duke folur për takimet e nivelit të lartë në Uashington,
Berisha tha se gjatë takimeve me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillari Klinton dhe Zëvendëspresidentin Xho Bajden, kishte marrë mbështetje të plotë për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë.
“Sekretarja amerikan e Shtetit Klinton, më tha se ishte vërtetë e impresionuar nga sukseset e reformave në Shqipëri dhe këto fjalë ishin dhe janë për mua një motivim më tepër për ti thelluar ato. Anëtarësimi në NATO është shndërruar në një burim të madh vullneti dhe energjie jo vetëm për mua por për gjithë popullin shqiptar”, shprehet Berisha për “The Washington Times”.
Nga ana e saj, Sekretarja amerikan e Shtetit Klinton, duke iu referuar një zyrtari të lartë pranë saj ka deklaruar se “qeveria dhe populli shqiptar janë për tu përgëzuar për përpjekjet e mëdha për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga NATO, ndërsa inkurajohen për të vazhduar më tej këto përpjekje deri në anëtarësimin e plotë”. Kryeministri Berisha është shprehur gjithashtu për këtë gazetë se Zëvendëspresidenti Bajden dhe Sekretarja amerikan e Shtetit Klinton i kishin dhënë fjalën se Presidenti Obama do të vizitojë Shqipërinë, ndonëse për momentin Shtëpia e Bardhë apo Departamenti Amerikan i Shtetit nuk mund të konfirmojnë me saktësi se kur do të kryhet kjo vizitë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›