E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qëndrimi i shqiptarëve ‘pro’ anëtarësimit në NATO dhe BE”

Berisha pret Kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi
 
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim kryetarin e Partisë Demokratike të shqiptarëve të Maqedonisë, Menduh Thaçi.
Në takim, të dy personalitetet diskutuan për zhvillimet akuale, zgjedhjet e ardhshme dhe proeceset integruese në të dy vendet. 
Kreu i qeverisë Berisha vlerësoi bashkëpunimin e Shqipërisë me Maqedoninë, duke theksuar edhe problematikën e të dy vendeve. “Diskutuam gjerësisht për zgjedhjet në Maqedoni dhe Shqipëri dhe ishim të dy të një mendje që forcave tona politike u takon si detyrë më kryesore të kontribuojnë për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, civilizues, për çka është dhe interesi më i madh i të dy vendeve dhe i shoqërive tona.
Me zotin Thaçi diskutuam mbi problematika të tjera në Shqipëri dhe Maqedoni. Qëndrimet e zotit Thaçi e të partisë që përfaqëson janë të qarta ‘pro’ atlantiste dhe i tillë është në tërësi qëndrimi i shqiptarëve”, tha Berisha.
Temë e diskutimeve ishin edhe procesi i ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, përfundimin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përpjekjet e qeverisë për t’i amortizuar pasojat e krizës globale në ekonominë shqiptare dhe perspektivën e të dy vendeve. 
Kryeministri theksoi si të domosdoshëm bashkëpunimin midis forcave politike shqiptare në Maqedoni, për të konsoliduar stabilitetin dhe prosperitetin e vendit.
“Bashkëpunimi midis forcave politike shqiptare që Maqedoni në çështjet kryesore që janë specifike për shqiptarët e Maqedonisë, të cilat janë konkretizuar në një marrëveshje tashmë historike dhe themelore për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë, është i domosdoshëm. Thaci më informoi se punon në këtë drejtim dhe mbetet i vendosur të bashkëpunojë me forcat e tjera politike si për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, ashtu edhe për konsolidimin e mëtejshëm të lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, u shpreh kryeministri.
Ndërsa kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi vlerësoi takimin e tij me kryeministrin Berisha dhe garantoi se partia që ai drejton është e gatshme për të dhënë kontributin e duhur në zgjedhjet e ardhshme që e presin Maqedoninë.
Thaçi u shperh i kënaqur për lajmet e mira të Shqipërisë në drejtim të integrimit në NATO, proçes që realizohet në muajin prill dhe perspektivën e pashmangshme në Unionin Evropian.
“Lajmet e mira për Shqipërinë, natyrisht, të gjithë shqiptarët i përjetojnë si pozitive, pa marrë parasysh se ku jetojnë”, theksoi kreu i PDSH, Menduh Thaçi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›