E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Rama duhet të takohen

Me Greqinë tashmë në lëngatë të gjatë ekonomike, e Italinë që mbahet me pompozitetin berluskonian, por të goditur gjithashtu nga kriza, duhet të jemi shumë të kujdesshëm ne shqiptarët. Që gjatë vitit 2009 shumë familje shqiptare që përvit kanë marrë nga të afërmit e tyre ndihma mujore për të mbuluar shpenzimet në Shqipëri, kanë mbetur zbuluar. Herët a vonë, pasojat e drejtëpërdrejta shumë në Shqipëri i kanë ndjerë e do t’i ndjejnë akoma më thellë dhe kjo është e pashmangshme. Nëse deri dje vetëm dëgjonim të moshuar, kryefamiljarë të papunë që deklaronin se e kishin të pamundur të paguanin ujë, drita, ilaçe me të ardhurat e asistencat, nesër, duke mos vazhduar të reagojmë ndaj apelit të tyre për ndihmë, do të jetë tepër vonë. Rritja e çmimeve të energjisë elektrike, ujit e ushqimeve në Shqipëri, shoqërohet me pakësimin e të ardhurave nga emigracioni në shtëpitë në nevojë dhe kjo situatë kërkon shumë vëmendje. Optimizmi i ekzagjeruar i Qeverisë duhet të gjejë domosdoshmërisht një pikë takimi më pesimizmin e Opozitës, ndryshe rrezikojmë seriozisht. E meqë jetë njerëzisht, fëmijësh, të moshuarish do të vijë një ditë që të jenë në kërcënim, nuk ka më justifikim as për kë është në pushtet, as për kë është në opozitë a në shoqëri civile për mosbashkëpunim. Edi Rama nuk duhet t’i falë asgjë Berishës për fjalët e tepërta që ka thënë dhe për këtë me të drejtë i është drejtuar gjykatës. Berisha e ka për detyrë të dëgjojë opozitën, por të paktën publikisht është shprehur se e ka këtë vullnet për bashkëpunim. Ngërçi mbeten kutitë? Pas 30 prillit kjo nuk vlen më. U bënë të gjitha përpjekjet deri më sot, për t’i kërkuar Sali Berishës që “të hapë kutitë”, por pas kësaj, pas protestës që populli opozitar do të realizojë, kjo kërkesë nuk i duhet drejtuar më një njeriu, por institucioneve. Asnjë në Shqipëri nuk duhet të vazhdojë të ketë privilegjin, fuqinë të hapë e të mbyllë kutitë. Berishës iu la një kohë tepër e gjatë ky privilegj. Këtë përgjigje tani duhet ta japë një institucion dhe socialistët, por jo vetëm ata, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të gjithë ne, duhet të mësohemi të mos i drejtohemi më atij e këtij. Rama e Berisha duhet të takohen për të varrosur një epokë unësh e për të nisur epokën e institucioneve të Shqipërisë. Kjo periudhë e vështirë ekonomike që nuk lindi në Shqipëri, por përditë po e përfshin, duhet të shfrytëzohet për një lindje të re.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›