Berisha e Thaçi: Kufijtë nuk preken
ADI SHKEMBI
Ndryshimi i kufijve të Ballkanit do të sillte sherre dhe konflikte në rajon. Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi, pas një dreke private në qytetin e Durrësit.Kreu i Qeverisë shqiptare theksoi se e vetmja çështje për të cilën Beogradi dhe Prishtina nuk mund të diskutojnë mes tyre është integriteti territorial i Kosovës. “Këtu, të dy Qeveritë tona kanë bindjen më të thellë se kufijtë aktualë të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Ballkanit në tërësi, janë interesi jetik i të gjithë kombeve dhe shteteve të këtij rajoni dhe se çdo synim për modifikim të tyre do të hapte një cikël të ri sherresh dhe konfliktesh, nga të cilat gadishulli do të donte dekada për të dalë. Ndaj dhe ne konsiderojmë se respektimi me rigorozitet i këtyre kufijve përbën bazën e shkëlqyer për dialog, për bashkëpunim, për kooperim të gjithanshëm”, u shpreh Kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë kreu i ekzekutivit shqiptar tha se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës do t’i japë të drejtë Prishtinës zyrtare, teksa shtoi se ky vendim do të pasohet nga rritja e numrit të shteteve që do të njohin Kosovën. Nga ana e tij Kryeministri Hashim Thaçi u shpreh se “statusi politik është një çështje e përfunduar një herë e përgjithmonë dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet i pranueshëm, i njohur ndërkombëtarisht dhe natyrisht, i paprekshëm”. Dreka private në të cilën merrnin pjesë edhe disa nga ministrat e dy kabineteve qeveritare kishte për qëllim bashkëpunimin e Tiranës dhe Prishtinës në proceset e integrimit si dhe asistencën që do të marrë Kosova nga Qeveria shqiptare. “Ishte një drekë, në të cilën nga alfa tek omega u diskutua vetëm perspektiva europiane të dy vendeve tona, proceset integruese të Shqipërisë dhe Kosovës, bashkëpunimi midis dy vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, liberalizimit të vizave, procese këto të bazuara fund e krye, në performancën, meritën dhe në vendosjen e standardeve europiane në Shqipëri dhe në Kosovë, si interesi jetik i qytetarëve të vendeve tona”, tha Kryeministri Berisha. Ndërsa për homologun e tij, Hashim Thaçi, “dua të besoj plotësisht se përvoja e suksesit të Shqipërisë do të jetë një ndihmesë e madhe për suksesin e sigurt të Kosovës, për t’u integruar sa më parë në strukturat euroatlantike, por kësaj radhe, me axhendën e qartë për dialogun për liberalizimin e vizave, pastaj për marrëdhëniet tregtare dhe procesin e stabilizim asociimit dhe paralelisht me këto, edhe partneritetin për paqe dhe planin e veprimit”. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Kryeministri Berisha replikoi në distancë me kreun e PS-së, Edi Rama, sipas të cilit kryetari i grupit të PPE-së në Parlamentin Europian, Josef Daul, erdhi në Shqipëri për të bërë fushatë për PD-në. “Në dallim nga ç’ndodhi disa javë më parë, Joseph Daul mori takime me të gjithë spektrin politik parlamentar shqiptar dhe dha mesazhet më të shkëlqyera të bashkëpunimit. çdo interpretim tjetër i kësaj vizite është jo realiste dhe shqiptarët e kanë shumë të qartë se cili ishte lajmi që u solli miku i tyre i shquar, Joseph Daul, vetëm një ditë pasi ai ishte edhe arkitekti i heqjes së vizave në Parlamentin Europian”.