E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: S’ka kohë për ndryshime në Kodin Zgjedhor



Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani deklaroi dje se nuk mund të ketë ndryshime thelbësore në Kodin Zgjedhor në një kohë të shpejtë, kur zgjedhjet po afrojnë. Sipas tij, mund të ketë vetëm ndryshime të vogla e cilësore që i shërbejnë administrimit të procesit. Ai tha se për të mirën e zgjedhjeve, duhet të mos ndodhë minutën e fundit. “Ndryshimet thelbësore në rast se do të ndodhin duhet të ndodhin në kohë, shumë shpejt në krahasim me datën e zgjedhjeve. Po unë nuk besoj se do të ketë ndryshime thelbësore pasi në përgjithësi ndryshimet thelbësore, nuk janë të këshillueshme të ndodhin shpesh. Patëm një ndryshim thelbësor në Kodin e ri, i cili ndryshoi totalisht sistemin zgjedhor në Shqipëri. Kështu që, unë pres të ketë ndryshime cilësore për të riparuar ato që praktika ka treguar se mund të jenë më mirë”, tha Ristani për “Alsat”. Në lidhje me mundësinë e riformatimit të KQZ-së, pra të ndryshimit të anëtarëve të KQZ-së sipas formatit të ri politik, dhe pretendimeve të LSI-së për anëtarë në këtë komision, Ristani përgjigjet se duhet të ndryshohet ligji fillimisht. “Nuk mund të ketë ndryshim pa u ndryshuar ligji, kjo është e siguritë. Po nga ana tjetër, unë nuk besoj që ndryshimi ligjor do të futet në këto pjesë. KQZ i përgjigjet një formule të caktuar që është gjithëpërfshirëse dhe mendoj që mund të ecim me këtë rrugë”. Përsa i përket ndryshimeve të domosdoshme në Kodin Zgjedhor, kreu i KQZ-së ka bërë me dije se ky institucion po përgatit një draft me ndryshime ligjore që do t’i serviret Kuvendit. Një nga këto ndryshime pritet të jetë edhe mënyra e emërimit të komisionerëve, që sipas KQZ-së, duhet të jenë njerëz jo politikë, pra të jetë administratorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›