Dritëroi: Pse refuzova të negocioja me studentët në ‘90, byroistët e vjetër donin të merrnin armët
Bisedoi: Aristir Lumezi
Shkrimtari i madh Dritëro Agolli rrëfen për herë të parë në intervistën për gazetën “Panorama” lidhur me rolin e tij në lëvizjen studentore të ‘90. Ai flet gjithashtu për debatet brenda Partisë së Punës në ditët e fundit të regjimit dhe propozimet e disa anëtarëve për të marrë armët kundër ndryshimeve demokratike. Dritëroi tregon si Fatos Nano u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste në Kongresin e 1991 dhe kritikon Edi Ramën që injoroi themeluesit në festimin e ditëlindjes së PS më 12 qershor.
Pati një diskutim të madh për përfshirjen në programin e PS të ish-të përndjekurve dhe pronarëve. Ka ndonjë përplasje me programin e partisë, sepse ndoshta PS nuk ka zgjidhur ende problemet e shtresës që përfaqëson, të varfrit?
Ti si parti e lejon, po të duan le të vijnë. Ata i kanë dyert e hapura dhe kjo tregon se PS është e hapur edhe për këto shtresa, nëse e shohin që kjo parti mund të bëjë diçka për ta. Nuk shoh ndonjë përplasje, ajo është me dëshirën e tyre. PS-ja tani s’ka lidhje fare me Partinë e Punës, nuk janë as nipërit e tyre dhe nuk e dinë fare se ç’është komunizmi. Madje ata kujtojnë se edhe hidrocentralet i ka bërë Kryeministri aktual. është e kotë që PD i thotë ‘bllokqenër’, se atje nuk është asnjë i dalë nga Blloku. Nuk e kishte Edi Rama të atin në Bllok. Madje ata në shtëpinë e tyre, Edi dhe vëllai i tij, flinin në krevate marinari. Kristaqi që u bë deputet u vlerësua si artist, jo se ishte politikan apo edhe unë dhe Ismaili. Ose siç ka pasur në PD regjisorë, piktorë, shkrimtarë. Asnjë nga deputetët e PS nuk e ka pasur të atin anëtar të Byrosë Politike. Hamit Beqa ishte akademik dhe shkruante. Madje u përzu nga nëpunës në Komitetin Qendror. Pas Plenumit të katërt e hoqën dhe u sëmur nga nervat.
Po nga e djathta a ka bllokmenë?
Janë katër përfaqësues nga e djathta të ashtuquajtur bllokmenë. Socialistëve u thonë ‘bllokqenër’ dhe këta duhet t’u japin një përgjigje për shembull ‘bllokzagarë’. Vetëm bijtë e atyre që ishin në Byronë Politike ishin bllokmenë, por jo të tjerët.
A mendoni se do të kishte qenë më mirë që Partia e Punës të ishte shkrirë dhe të krijohej një parti e re?
Kjo që u bë ishte rruga më e mirë, sepse do mbeteshin parti të vogla të gjitha dhe gjithmonë do ndodhte si me Partinë Demokristiane, që sundoi 50 vjet në Itali. Kjo parti grumbulloi edhe të pakënaqurit. Në 1991 ajo ndërroi emrin. Kur po përgatiteshin zgjedhjet e marsit 1992 nuk ishte asnjë nga ata që kishin qenë në Byro. Në 1997 nuk kishte asnjë nga ata që u zgjodhën në 1992. Nuk i mori me vete partia ata. Në 1991 u shkarkuan nga të gjitha funksionet dhe më mbrapa nuk kishte as anëtarë të ish-Komitetit Qendror.
Ideja e transformimit erdhi rrjedhshëm, apo pati debate?
Kishte disa debate të vogla, jo me grupe. Pasi fola unë më tha një miku im që ‘na prishe punë, sepse ne donim që të shkrihej partia dhe pastaj të krijohej nga e para’. Nuk pati grupe, por këtë mendim e hodhën socialdemokratët e Gjinushit. Por pastaj ajo do bëhej si partiza të vogla. Nuk do ishte si PD, që nuk e mohoi bërthamën e studentëve dhe i mori të gjitha shtresat me vete. Edhe nëse ideja e shkrirjes të ngrihej në kongres, nuk do të fitonte.
çfarë roli kishte Ramiz Alia në këto procese, sa i fortë ishte ai?
Ramiz Alia atëherë ishte President dhe dorëzoi edhe teserën.
Në fillimet e pluralizmit shqiptar, ishte PPSH që ushqeu me anëtarë të saj të gjitha partitë e tjera që u krijuan, që nga PS, PD, PSD etj.?
Në ato fillime pluraliste PPSH u bë si ajo shega e kuqe, që plasi dhe ushqeu me kokrrat e saj të gjitha partitë e tjera që u krijuan. Ato zhvillime politike nuk do t’i udhëhiqte asnjë kategori tjetër përveç se anëtarëve të PPSH-së, ish-të përndjekurit s’do ta udhëhiqnin dot, se ata sapo kishin dalë nga burgu, e kishin shumë të vështirë të merrnin në dorë zhvillime të tilla politike, madje një pjesë e mirë e tyre ishin dhe shumë të plakur. Nëse do t’i marrim me radhë, Partinë Demokratike e udhëhoqi Sali Berisha, i cili ishte komunist, sekretar partie, PSD u themelua nga Skënder Gjinushi, i cili ishte anëtar i PPSH-së dhe ish-ministër i Arsimit. Edhe në Partinë Republikane, drejtuesit e saj kishin qenë komunistë. Anëtarë të forumeve drejtuese të partive të reja që u krijuan kanë qenë komunistë që vinin nga PPSH-ja. Kështu që nuk pritej që pluralizmin ta bënin kategori apo shtresa të tjera të shoqërisë shqiptare. Edhe studentët nuk mund të bëheshin udhëheqës partish. Ata që u vunë në drejtimin e partive në 1991 ishin komunistë të zhgënjyer nga ai sistem dhe ishin përparimtarë, prandaj dhe udhëhoqën duke sjellë demokracinë, jo duke rikthyer diktaturën. Ky fenomen ndodhi pothuaj në të gjitha vendet ish-komuniste. Fjala vjen në Rusi, Gorbaçovi ishte komunist. Po kështu edhe në vendet e Ballkanit. Po të kalojmë edhe në Revolucionin Francez, ata që ikën nga aristokracia e feudalizmi u bënë udhëheqës të Revolucionit.
Në periudhën e lëvizjeve studentore ju keni pasur një pozitë të rëndësishme në jetën shoqërore të vendit, jeni përfshirë konkretisht në këto procese, ju është kërkuar ndonjë ndërmjetësim me studentët, pasi fjala juaj ishte jokonformiste dhe mirëpritej?
Unë kam qenë në një nga mitingjet e studentëve për të parë se ç’bëhej aty, kisha një kureshtje prej gazetari dhe shkrimtari. Më kishin ftuar disa miq të mi studentë dhe unë vajta për të parë. Në fakt më kanë thirrur në Komitetin e Partisë së Tiranës dhe më kërkuan të shkoja të flisja me studentët, ashtu siç vajti Sali Berisha, Hamit Beqja, Skënder Gjinushi e disa të tjerë. Në fillim studentët kishin kërkesa ekonomike. Më pas kërkuan largimin e disa anëtarëve të Byrosë Politike, si Lenka çuko, Simon Stefani e ndonjë tjetër. Unë pyeta në Komitetin e Partisë që studentët po kërkojnë edhe largimin e disa anëtarëve të Byrosë Politike, mund t’u them unë studentëve se do t’i heqim ata nga Byroja? “Jo, këtë s’mund t’ua thuash, se s’duhet t’i heqim!”, më thanë. Atëherë unë nuk pranova të shkoj për të biseduar apo negociuar me studentët kur i dija kërkesat e tyre. Nuk mund të shkoja tek studentët për të thënë gjëra që nuk lejoheshin të thuheshin. Dhe ata që takuan studentët nuk u thanë se anëtarët e Byrosë do të largoheshin.
Në fakt, diskutimet për pluralizëm dhe pluripartizëm kishte kohë që kishin nisur. Ju keni qenë prezent në këto takime dhe çfarë keni shprehur?
Në Komitetin Qendror të PPSH unë, Muntaz Dhrami dhe Mehmet Elezi kemi thënë se duhet lejuar pluralizmi. Unë u ngrita në fillim dhe thashë se ka ardhur koha të krijohen edhe partitë tjera. Më pas u ngrit dhe Muntaz Dhrami, Mehmet Elezi e Marash Hajati dhe kanë thënë të njëjtën gjë.
Kur ka qenë ky diskutim?
Kjo ka qenë në një nga plenumet e Komitetit Qendror të muajit shkurt para rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Unë nuk kërkova vetëm pluralizëm mendimi, por pluripartizëm. Pas nesh u ngrit dhe Manush Myftiu dhe tha që ‘jam dakord që të ketë një pluralizëm partiak’. Ndërsa të tjerë të vjetër nuk ishin dakord dhe pati reaksion për ta mbajtur partinë të fortë dhe për të marrë armët, nga një kobure që kishin.
Po në momentin kur u bënë propozimet për heqjen e simboleve komuniste nga institucionet?
Ramizi thirri një takim ku ishte Sabri Godo, unë dhe Sali Berisha. Na tha si mendojmë për këto kërkesa të studentëve dhe profesorët e universiteteve që të ndryshohen emrat me simbolet e komunizmit. U fol se si mendojmë për simbolet, por puna erdhi deri këtu që të hiqen simbolet. Unë thashë që më mirë të hiqen sesa për simbolet të krijojmë tensione, zhurma dhe demonstrata.
është thënë që në vendet e Lindjes ka funksionuar takimi i Katovicës që komunistët të mbajnë pushtetin ekonomik. Në Shqipëri mendoni se ka funksionuar?
Jo, nuk ka funksionuar. Në fund të 1989 dhe në fillim të 1990 ishte gjendja ekonomike shumë e keqe dhe vinin të deleguar në uzina për t’i qetësuar punëtorët. Thoshin që do përmirësohet gjendja, por punëtorët nuk i dëgjonin dhe kishte reaksion edhe ndaj anëtarëve të Byrosë. Pastaj më dërguan mua, pasi kishte qenë Manush Myftiu në uzinën “Enver”. Atje e kishin përzënë Manush Myftiun. Dëgjova pyetjet në fillim. Flisnin kundër politikës së mbylljes dhe kërkonin se çdo bënim tani. Unë nuk kisha si të përgjigjesha dhe u thashë që ‘keni të drejtë dhe s’ka as lëndë të parë. Tani nuk kemi nga t’ia mbajmë. U prishëm me Kinën, vetëm t’u kërkojmë falje atyre. Kjo punë do ketë pasoja të mëdha dhe ju keni të drejtë’. Mua më duartrokitën dhe nuk më përzunë.
Në të gjitha zhvillimet politike ju keni qenë kundër rrymës. Pas fjalës në Kongresin e vitit 1991, si jeni ndjerë?
Kam qëndruar me gazetarët. Në raportin e Kongresit ishin thënë disa të meta për Partinë e Punës dhe Sekretarin e Parë të saj, domethënë Enver Hoxhën, por jo thelbësore. Thuhej që kemi gabuar në luftën e klasave. Për Enver Hoxhën thuheshin disa të meta të sipërfaqshme të marrëdhënieve të anëtarëve të Komitetit Qendror. Por nuk ishte kapur thelbi se si duhej distancuar nga Partia e Punës. Ato kritika humbnin nëpërmjet llafollogjisë me raportin që u bë. Raporti u bë disa herë. Unë kam marrë pjesë edhe në miratimin e raportit, pastaj u thirr një ekip tjetër, por edhe ai nuk bëri gjë. U mbajt ai me disa kritika të përcipta. Pastaj fola unë dhe u ngritën të gjithë kundër. Më të rinjtë duartrokisnin. Unë hyra në grupin e gazetarëve dhe u thashë do rri pranë jush në shkallët e skenës, sepse e di që do më sulmojnë. Më pas kur u bë pushimi, ika. Anëtarët më thoshin ‘ti i poshtër që Partia të ka rritur’, ‘ke marrë grua ruse’, ‘ke marrë dy gra’, ‘ti i ke kënduar Enverit dhe tani flet kështu’.
Sa ndryshoi qëndrimi ndaj teje te seanca e fundit?
Pastaj ndryshoi, më zgjodhën në kryesinë e Partisë. Kryesinë dhe Komitetin Drejtues e zgjidhte Kongresi. Fatos Nano u zgjodh kryetar nga Komiteti Drejtues dhe kryesia.
A ka ndërhyrë Gramoz Ruçi dhe ka thënë që Dritëroin ta fusim në kryesi?
Ma merr mendja që mua Kongresi nuk më ka zgjedhur. Kam pasur vota, por nuk ishin të mjaftueshme për t’u zgjedhur, sepse ata u ngritën të gjithë kundër. Besoj se është bërë manipulim dhe Gramozi me Xhelil Gjonin ngulën këmbë që duhet të jem. Xhelili u bë Sekretar i parë i Partisë së Punës, pasi iku Ramiz Alia. Ndërhyri Xhelili dhe Gramozi për këtë punë dhe u bë.
Flitet shumë për seancën kur u bë kthesa në Byronë Politike?
Atje unë nuk isha, nuk shkova.
Si ka qenë e vërteta e sulmit të Ramizit ndaj byroistëve?
Siç thonë, atje u ngrit dhe foli Gramoz Ruçi dhe propozoi që të ikë Byroja Politike. Ata u mbrojtën. Ramiz Alia në një moment të nxehur tha ‘ja me këta kam pasur të bëj’.
Ishte e vërtetë që Nanos iu bë ftesa për t’u bërë kryetar partie? Ju kishit ftesë për të drejtuar partinë?
Jo, mua nuk më është bërë ndonjë propozim. Në Kongres unë merrja më shumë vota se këta të tjerët, por nuk e shprehu njeri. Edhe unë nuk doja edhe sikur ta shprehte njeri. Unë kam qenë kryetar i Lidhjes dhe mezi drejtohej, jo më partia.
Kush i hidhte propozimet?
Ramizi nuk ishte fare aty. Fatosi mesa duket në fillim nuk kishte biseduar me Ramiz Alinë dhe nuk donte të ishte kryetari i partisë. U propozua Gramozi në fillim. Pastaj u tha që ka qenë ministër i Brendshëm dhe nuk shkon të behet kryetar partie, megjithëse ishte më i zoti nga të tjerët. Njëherë u propozua Servet Pëllumbi.
Pse nuk u pranua?
Nuk donte vetë.
Kandidatura e Gramozit si u rrëzua?
Jo, nuk u hodh në votim. Asnjë nuk u votua nga këta që u propozuan.
Ju e shprehet mendimin që Ruçi të mos jetë kryetar, sepse ka qenë ministër Rendi?
Po, unë e thashë që ai nuk duhet të ketë përgjegjësi të tilla, megjithëse ai është njeri i zoti dhe e njeh mirë partinë. Serveti nuk pranoi, ndonjë tjetër nuk u propozua.
Si shkoi emri i Nanos?
Fatosi ishte atje kur bëheshin propozimet. Kjo ishte mbledhja e parë e Komitetit Drejtues pas Kongresit. Pastaj Fatosi doli dhe duhet të jetë takuar me Ramiz Alinë dhe atje ai u kthye përsëri dhe tha ‘unë e kam të vështirë të jem. Jam ekonomist, më mirë të merrem me këto punë, le të jem në kryesi, por kam frikë se nuk e bëj dot si kryetar’.
Ishte propozuar Fatosi?
Po, ishte propozuar nga ne vetë. Unë ngula këmbë që të jetë Fatosi. Atëherë do të propozoheshin nënkryetarët. Unë propozova Servetin, por ai tha se as nënkryetar nuk kam dëshirë të bëhem. Pastaj Fatosi u ngrit dhe tha që bëhem kryetar, por të kem nënkryetar Servetin dhe Spiro Deden. Edhe këta pranuan. Gramozi u bë Sekretar i Përgjithshëm, ndërsa unë dhe Maqo Lakrori u bëmë anëtarë kryesie. Kështu e pranoi Serveti. Më pas doli e foli Fatosi dhe falënderoi Komitetin Drejtues dhe Kongresin për zgjedhjen. Por ai nuk ka nxjerrë program, siç thotë ndonjëri tani në ndonjë artikull. Premtoi që do punojë, si në çdo rast kur bëhen zgjedhje. Ylli Bufi ka thënë në një artikull të gjatë që Nano shpalosi programin kur u zgjodh. çfarë programi? Ai nuk ishte përgatitur as të bëhej kryetar e jo më të bënte programin.
Sot jemi 19 vjet nga krijimi i partisë. Të vjen keq që në 19- vjetorin e saj nuk ishte prezent asnjë nga drejtuesit e saj?
Mua nuk më vjen keq për këtë, jam mësuar me këto. Unë doja thjesht të më lajmëronin, sepse unë jam 79 vjeç dhe nuk mund të merrja pjesë. Në përvjetorët e partisë thirren në radhë të parë themeluesit. Në të gjithë botën kështu bëhet. Qoftë edhe me një mesazh të ftoheshim. Ata që u mblodhën atje nuk dinë se çfarë është Partia Socialiste. Ata janë deputetë të zgjedhur tani, 30-40 vjeçarë. Asnjë nga themeluesit nuk ishte ftuar. Ata nuk duhet të na kenë frikë ne, se partinë nuk mundemi t’ua marrim dot. Madje edhe themeluesit e vdekur duhet t’i përmendin në fjalimet e tyre.