E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Thaçi një qëndrim në OKB

20/09/2011  Delegacioni i Kosovës shtron darkë punë me palën shqiptare për situatën në Veri

“Vendosja e doganierëve në kufi i shërben konsolidimit të mëtejshëm të shtetit”

Shqipëria dhe Kosova do të paraqesin qëndrime të njehsuara në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për sa u takon zhvillimeve më të fundit në Kosovë. Delegacioni kosovar, i kryesuar nga presidentja Antifete Jahjaga, organizoi një darkë pune, në të cilin ishin të pranishëm edhe delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Sali Berisha dhe kongresmeni amerikan Eliot Engel. Gjatë darkës dy delegacionet theksuan në fjalën e tyre

mbështetjen për veprimin më të fundit të qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it për vendosjen e doganierëve në kufirin verior, veprim që sipas të pranishmëve do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës, në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar dhe konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve të Kosovës. Gjithashtu dy delegacionet koordinuan qëndrimet dhe përpjekjet për lobimin për njohjet e mëtejshme të Republikës së Kosovës. Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Nju-Jork për të marrë pjesë në punimet e sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përbëhej edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Edmond Haxhinasto dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi. Ndërsa në atë kosovar ishin të pranishëm edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Bexhet Pacolli dhe ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj. Presidentja Jahjaga, kryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm Hoxhaj u pritën në selinë e OKB-së nga sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mun. Ky i fundit i ka vlerësuar arritjet në Kosovë dhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me misionet ndërkombëtare në vend. Sekretari i Përgjithshëm tha se është i rëndësishëm koordinimi i institucioneve të Kosovës dhe forcave paqeruajtëse KFOR dhe EULEX në vendosjen e qetësisë në Veriun e Kosovës. Gjithashtu ai vlerësoi me rëndësi edhe vendosjen e rendit dhe ruajtjen e stabilitetit në këtë pjesë të Kosovës, duke nënvizuar se çështjet e hapura ndërmjet palëve duhet të zgjidhen me dialog dhe se plani “Ahtisari” ofron mundësitë më të mira për komunitetin serb. Ndërsa presidentja Jahjaga tha se statusi special për Veriun e Kosovës do të rrënonte arritjet e deritanishme dhe nuk do të garantonte integrimin, por do të çonte drejt ndarjes. Ndërkaq kryeministri Thaçi ka theksuar si jetike respektimin nga Serbia të marrëveshjeve të arritura. “Kosova është e përkushtuar ta implementojë pjesën e saj të përgjegjësive që dalin nga marrëveshjet, por të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Serbia”, - ka deklaruar Thaçi.

Situata në Kosovë

Autoritetet e sigurisë në Kosovë thonë se gjendja në Veriun e banuar me shumicë serbe është e qetë, por me tensione të larta. Të gjitha rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë po mbahen të bllokuara nga banorët serbë, që kundërshtojnë vendosjen doganierëve dhe policisë së EULEX-it e të Kosovës në vendkalimet kufitare. Beogradi kërkon bisedime të reja për vendkalimet kufitare, ndërsa Prishtina e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke kërkuar zbatimin e marrëveshjes Kosovë–Serbi për njohjen e vulave doganore, që u arrit me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian më 2 shtator. Beogradi i ka dërguar Bashkimit Evropian një plan për vendkalimet kufitare, në të cilin parashihet që të mos ketë prani të personelit shqiptar atje si dhe ka kërkuar që çështja e vendkalimeve të jetë pjesë e raundit të ri të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Por kërkesa të tilla janë hedhur poshtë nga autoritetet e Kosovës. Shtetet e Bashkuara në reagimin e tyre përshëndesin përpjekjet e KFOR-it e të EULEX-it për të krijuar një mjedis të sigurt dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve në të dyja anët e kufirit të Serbisë me Kosovën. SHBA-të vlerësojnë se çdo bllokim rruge vështirëson jetën e banorëve si në Kosovë, ashtu dhe në Serbi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›