E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga, vodhën 300 m tuba të ujësjellësit të Tiranës

20/09/2011  Katër persona organizonin grabitjen e ujësjellësit me vinç e makina

Sekuestrohen tubat dhe mjetet e punës, akuza për “vjedhje në bashkëpunim”

TIRANË- Katër persona u prangosën dje nga policia e Tiranës, sepse grabisnin tubat e ujit të pijshëm. Kështu, nga burimet zyrtare të policisë mësohet se shërbimet e komisariatit nr.4 bënë të mundur arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve, të cilët dyshohen se kanë vjedhur afro 300 metra linear tuba të ujit të pijshëm, duke shkaktuar kështu dhe anomali në rrjetin e ujit të pijshëm të Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Kanalizimit në Tiranë. Sa më sipër, shtetasit e mëposhtëm do të ndiqen penalisht për konsumim të veprës penale të “vjedhjes në bashkëpunim” dhe të “shkatërrimit të rrjetit të ujitjes”, parashikuar nga nenet 134/2 dhe 157 i Kodit Penal. Më konkretisht u mor masa e arrestit në flagrancë të shtetasve Kujtim Elezi, 47 vjeç, lindur e banues në Tiranë me profesion shofer, Jorgo Alla, 38 vjeç, lindur e banues në fshatin Selitë Mal në komunën Zall-Bastar, Evlat Alla, 38 vjeç, lindur në Selitë Mal e komunës Zall-Bastar dhe Albert Moçka, 39 vjeç, lindur në Vlorë e banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin këta shtetas gjatë natës kanë shkatërruar rrjetin e ujitjes dhe kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme tubash hekuri, tuba të cilat i kanë prerë me gurë freksibël në rezervuarin e Kotreqit komuna Zall-Bastar, duke i transportuar me një kamion vinç. Këto tuba shërbenin për furnizimin e ujit të pijshëm dhe vaditje për të gjitha komunat në Tiranë. Gjithashtu do të ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale “posedim të mallrave dhe sendeve të vjedhura”, parashikuar nga neni 287/b i K.P, shtetasi Bashkim Alla, 40 vjeç, lindur e banues në Tiranë. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automjet tip “Benz”, me karroceri e vinç, me targa TR 5469 L, si dhe 40 copë tuba të ujit vaditës me gjatësi 8m linear secila dhe gjatësia totale e tyre 300 m linear, të cilat ishin të shkatërruara dhe të vjedhura në fshatin Kutreq komuna Zall-Bastar Tiranë. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›