E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha e Topalli takojnë Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s



Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Topalli zhvilluan dje takime të veçanta me Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga Sergio de Gregorio. Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, Presidenti i Nënkomisionit për Marrëdhëniet Transatlantike në NATO, Sergio de Gregorio, duke iu referuar bojkotit të institucioneve demokratike nga ana e opozitës, theksoi se askush në komunitetin euroatlantik nuk ka as më të voglin dyshim për legjitimitetin e këtij parlamenti dhe të qeverisë shqiptare. Parlamentarët e vendeve të NATO-s ndanë të njëjtin mendim me kryeministrin Berisha, se politika nuk mund të ndërhyjë në vendimet e Gjyqësorit.
Gjithashtu, parlamentarët e NATO-s theksuan se debati demokratik zhvillohet në Parlament dhe se bojkoti i institucioneve demokratike është një qëndrim i pakuptimtë.
Në takim, anëtarët e Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s vlerësuan reformat dhe arritjet e qeverise shqiptare edhe në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Në veçanti, rezultatet në luftën kundër krimit e korrupsionit, reformat në fushën fiskale dhe të zhvillimit ekonomik të vendit, në sektorin e mbrojtjes etj.
“Qeveria shqiptare ka arritur rezultate shumë të rëndësishme në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian”, - theksuan parlamentarët e vendeve të NATO-s, duke i shprehur kryeministrit Berisha edhe njëherë mbështetjen e plotë edhe për këtë projekt.
Takimi u mbyll me urimin e parlamentarëve të vendeve të NATO-s për kryeministrin Berisha: “Ju presim së shpejti në Bashkimin Europian!”.
Edhe gjatë takimit me Topalli ata vlerësuan procesin zgjedhor të 28 qershorit në Shqipëri. “Ne jemi dëshmitarë se ky proces u realizua më së miri dhe kjo u theksua nga të gjithë ndërkombëtarët. Nga këto zgjedhje dolën institucionet legjitime, qeveria dhe Parlamenti, dhe jemi të habitur nga disa kundërshtime që vijnë nga opozita. Ne vlerësojmë seriozitetin dhe angazhimin tuaj”, - është shprehur De Gregori.

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›