Kamza-Elbasani, punë “Dalipësh”
Kamza-Elbasani (2-1), supersfida e javës së 20-të të Kategorisë së Parë, ishte komplet një çështje “vëllezërish Dalipi’, pasi jo vetëm që përballë njëri-tjetrit si kundërshtarë mëdhenj ishin dy djemtë e legjendës së Elbasanit, Kujtim Dalipi, Klevis i Kamzës dhe Endri i Elbasanit, por se dhe të tre golat mbajnë firmat e tyre. Me një profil të qartë sulmues, Kamza e versionit “Musta” (në fakt, Perlati nuk ishte në bankinë mungoi për shkak të një fatkeqësie) befasoi Elbasanin me një gol të shpejtë të realizuar në minutën e 5-të nga 33-vjeçari Klevis Dalipi, golashënuesi më i mirë sezonal i skuadrës, autor edhe i golit të dytë të kamzalinjve në minutën e 24-t. Elbasani i Krenar Alimehmetit kundërreagoi, por goli i nderit i realizuar nga mesfushori Endri Dalipi në minutën e 76-të shërbeu vetëm sa për statistike. Kamza, që nga ana e saj regjistroi fitoren e 10-të sezonale në 20 takime, mori revanshin ndaj humbjes po 2-1 të fazës së parë me Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta” (java e 5-të). Për Elbasanin kjo ishte humbje e 5-të sezonale dhe e dyta në katër ndeshjet e fundit.
Kategoria e Parë
Java 20, 27.02.2010
Kamza-Elbasani 2-1
Klevis Dalipi 5’, 24’/ Endri Dalipi 76’
Përballjet në këtë sezon
Në kampionat
Java 5: Elbasani-Kamza 2-1
Java 20: Kamza-Elbasani 2-1
Në Kupë
Turi i Parë: Kamza-Elbasani 2-1
Turi i Parë: Elbasani-Kamza 0-0
Partizani zbërthen Besëlidhjen në Lezhë
Partizani triumfoi 2-0 në “Brian Filipi” të Lezhës ndaj Besëlidhjes vendase, duke koleksionuar një trepikësh shumë të rëndësishëm në luftën për një rikthim të shpejtë në Kategorinë Superiore. Mbrojtësi Ardit Beqiri realizoi golin e parë në minutën e 25-të pas një asisti të Engert Bakallit, ndërkohë që në minutën e 59-të, mbrojtësi i Besëlidhjes, Sadush Danaj, devijoi në portën e tij një goditje të sulmuesit të Partizanit, Erjon Rizvanolli. Fantazisti Artan Karapici i pati të gjitha mundësitë për të shënuar një gol të tretë, pas disa veprimeve spektakolare individuale, por në momentin e fundit, Danaj ja hoqi kënaqësinë.
Të kuqtë e Skerdi Bejzades realizuan fitoren e tretë rresht më këtë rezultat në katër ndeshjet e zhvilluara në fazën e dytë, pas atyre me Sopotin në Librazhd dhe Adën e Velipojës në kryeqytet. Edhe në fazën e parë, në takimin e luajtur në “Selman Stërmasi”, Partizani kishte fituar po 2-0 me Besëlidhjen.
Bylis, diktatura ballshiote vazhdon
Bylisi, lideri i Kategorisë së Parë, arriti një fitore komode 3-0 me Skraparin e vendit të parafundit, duke u ngjitur në kuotën e 50 pikëve pas përfundimit të javës së 20-të. Kapiteni Amarildo Dimo çeli serinë e golave në minutën e 12-të, ndërkohë që Romeo Hamzaj (73’) dhe Maringlen Kule (81’) kompletuan tripletën e formacionit të Ilir Spahiut. Hamzaj u ngjit në kuotën e 14 golave, dy më shumë se Dorian Bubeqi i Lushnjës (12). Për ballshiotët e presidentit Besnik Kapllanaj kjo ishte fitorja e 16-të në 20 ndeshje, që mesa duket ka mbyllur edhe në Kategorinë e Parë çështjen e titullit kampion. Në takimin e fazës së parë, Bylisi kishte fituar 1-0 në Skrapar. Turbina dhe Memaliaj ndanë nga një pikë në barazimin 1-1 midis tyre në ndeshjen e zhvilluar në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Për ekipin e Sinan Bardhit shënoi Sula (55’), ndërkohë që për Memaliajn goli i barazimit mban firmën e Heklan Jaupit (70’). Në takimin e fazës së parë, Memaliaj kishte fituar 1-0
Luftëtari-Burreli 2-1
Luftëtari fitoi 2-1 me Burrelin në ndeshjen e javës së 20-të të Kategorisë së Parë. Bledar Shalari hapi takimin me golin e tij në minutën e 14-të, ndërsa Gentjan Shkokza dyfishoi rezultatin në të 45’+2, pas asistit të Pustinës. Burreli shkurtoi diferencën me anë të një penalltie te fituar nga Oltion Balluku (faull i Okshtunit) e të realizuar nga Dritan Gjoka (59’). Kola i Burrelit goditi shtyllën horizontale të portës së mbrojtur nga Miraka. Në fazën e parë dy skuadrat ishin ndarë në barazim në Burrel.
Kategoria e Parë
Java 20, 27.02.2010
Kamza-Elbasani 2-1
Dalipi 5’, 24’/ Dalipi 76’
Bylis-Skrapari 3-0
Dimo 12’, Hamzaj 73’, Kule 81’
Besëlidhja-Partizani 0-2
Beqiri 25’, Danaj 59’ (autogol)
Turbina-Memaliaj 1-1
Sula 55’/ Jaupi 70’
Luftëtari-Burreli 2-1
Shalari (14’), Shkoza 45’+2/ Gjoka 59’ (p),
Ada-Gramshi 1-0
Entrit Nika 27’
Sopoti-Bilisht Sport 1-1
Shkëlqim Hajdari 40’ (p) / Eduard Rustemi 4’
02.03.2010
Pogradeci-Lushnja (të martën)
1 Mars 2010