E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE: Partitë politike në Shqipëri të punojnë së bashku në Parlament



Presidenti i Asamblesë së KiE-së, Mevlut Cavusoglu, mirëpriti rikthimin e opozitës në Parlamentin shqiptar duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm politik. “Ndërkohë unë shpresoj se ky hap pozitiv nuk është vetëm një hap, por ky gjest do të shënojë fillimin e një pune të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare në Parlament. Unë jam akoma dhe më i kënaqur me këtë zhvillim, pasi ky erdhi pas vizitës së fundit të Komitetit Presidencial të KiE-së në Shqipëri, vizitë që kishte si synim të mbështeste procesin e gjetjes së zgjidhjes së situatës politike dhe të mbështeste presidentin Topi në rolin e tij të mediatorit për të rivendosur dialogun politik në Shqipëri”, – është shprehur Presidenti i Asamblesë së KiE-së.
Ai ka inkurajuar dy liderët, atë të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike, që të bëjnë përpjekje të mëtejshme për të forcuar dialogun politik në Shqipëri. “Dialogu parlamentar është shumë i rëndësishëm për funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe përcaktues për ecurinë e reformave që duhet të ndërmerren pa asnjë vonesë”, - ka shtuar Cavusoglu. Me tej ai ka shprehur urimin që delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së të kompletohet së shpejti me praninë e përfaqësuesve të opozitës që do të marrin pjesë në mënyrë aktive në punimet e Asamblesë Parlamentare të KiE-së.

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›