E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e Bajramit, politikanët bashkohen në urim

 

Festimet e urimet në ditën e Bajramit të Madh nuk kanë pasur ngjyrime politike. Ndonëse, në vizitat e kryera në Myftinitë e rretheve, pushtetarët janë ndarë në grupe, asnjë prej tyre nuk ka bërë deklarata për çështje aktuale të politikës. Komuniteti Mysliman, jo vetëm në Tiranë, po dhe në rrethe të ndryshme, pas faljes së madhe, ka pritur e përcjellë mijëra besimtarë si dhe përfaqësues të shtetit. Mesditën e djeshme, Komuniteti Mysliman organizoi një pritje me rastin e Fiter Bajramit, në ambientet e hotel “Tirana International”, ku ishin të pranishëm dhe presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha e kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli. Gjatë takimit me kreun e Komunitetit Mysliman, Selim Muça, Topi është shprehur se “kjo është një ditë e madhe për myslimanët. Është kulminacioni i kthjellimit të shpirtit pas një muaji të gjatë agjërimi”. Ai ka bërë apel që kjo ditë të japë sa më shumë harmoni mes njerëzve, më shumë dhembshuri për njerëzit në nevojë dhe më shumë solidaritet. “Fjala solidaritet vlen për të gjithë. Ne duhet të arrijmë në atë lloj solidariteti ku jo vetëm të pastrojmë shpirtin, por edhe të mos prekim nga fryma e debatit strukturën e institucionit shpirtëror. Debati është shumë i nevojshëm dhe i rëndësishëm por deri aty ku të mos preken kufijtë e tolerancës dhe solidaritetit”, u shpreh kreu i shtetit.
Ceremoni festive ka pasur dhe në rrethe të tjera të vendit. Pritja e urimeve nga drejtuesit e Komunitetit Mysliman të Korçës pranë Myftinisë së këtij qyteti, ka bashkuar jo vetëm besimet fetare por edhe politikanët lokalë. Ata kanë shkuar brenda një ore në këtë mjedis dhe kanë uruar jo vetëm myftiun e Korçës Qazim Muçi, por edhe njëri-tjetrin për festën e Fiter Bajramit. Në këtë ditë gëzimi për besimtarët myslimanë nuk u vu re asnjë ndarje fetare apo politike. Të gjithë me fjalë të ngrohta kanë përcjellë urime të shumta. Kështu uroi deputetja e Korçës Ledina Aliolli, prefekti i Korçës Koço Bello, kryetari i Bashkisë Niko Peleshi, kryetari i Këshillit të Qarkut Ilia Milo, por edhe qytetarë të thjeshtë. Kjo harmoni e bëri edhe më të gëzuar festën, gjë që u përcoll natyrshëm edhe tek gjithë të tjerët që merrnin pjesë në këtë festë.
Me qindra besimtarë myslimanë kanë festuar ditën e djeshme Fiter Bajramin në Qarkun e Elbasanit. Rreth 500 besimtarë janë mbledhur në ambientet e pallatit të sportit “Tomorr Sinani” nga ku kryen ritin e faljes së Bajramit dhe më pas uruan njëri- tjetrin. Pjesë e urimeve në këtë ditë të shënuar për besimtarët myslimanë kanë qenë dhe deputeti i këtij qarku, Lulëzim Basha.
Nuk kanë munguar në këtë ditë edhe urimet nga kreu i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini si dhe mjaft personalitet të tjera të qarkut. Ndërkohë që ajo çka ishte për t’u veçuar në këtë ditë të shënuar ka qenë mungesa e energjisë elektrike në qytet, e cila ka munguar nga ora 11:00 deri në orën 14:00. Burime pranë KESH bënë të ditur se ka pasur një avari, e cila ka sjellë dhe mungesën e energjisë elektrike për një pjesë të mirë të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›