E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha e Topalli vlerësojnë lart Gorbaçovin

Gjatë bisedës me kryeministrin Sali Berisha, Gorbaçov dha se kjo vizitë ishte një shlyerje borxhi ndaj shqiptarëve.

“Unë jua kam pasur shqiptarëve borxh këtë vizitë dhe tani e shleva atë”, theksoi zoti Gorbaçov. Ai u shpreh se ndjehej i prekur nga mikpritja që i është rezervuar dhe vlerësimet e Kryeministrit dhe shqiptarëve. Ai e përgëzoi Kryeministrin për arritjet e Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, si dhe i shprehu Kryeministrit vlerësimin për kontributin në jetën politike të vendit dhe transformimin e tij në këto 20 vjet.

 “Ju jeni një politikan real dhe kjo është e rëndësishme për vendin”, u shpreh zoti Gorbaçov. Nga ana e tij, Berisha i shprehu Presidentit Gorbaçov vlerësimin më të lartë të tij personal dhe të popullit shqiptar si një ndër “personalitetet ndërkombëtare më popullore në Shqipëri”, i cili duke udhëhequr një kurs reformash në një kohë të vështirë e të rrezikshme, “hapi një epokë të re lirie jo vetëm për popujt e Bashkimit Sovjetik, por për të gjithë Europën e botën”.

“Ndër vendet e kombet ish komuniste, - tha  Kryeministri - shqiptarët kanë ndjekur me admirim e vëmendje të madhe të gjitha lëvizjet tuaja, të cilat kanë pasur rëndësi historike për nxjerrjen e këtyre popujve nga diktatura.” Duke e konsideruar zotin Gorbaçov “kurajë e shekullit të shkuar”, Kryeministri tha se qëndrimin e tij ndaj murit të Berlinit dhe mesazhin që i dha udhëheqjes së Evropës Lindore, nuk do ta harrojnë kombet e Evropës dhe veçanërisht, Shqipëria, e cila njohu regjimin më të egër komunist diktatorial se çdo vend tjetër. “Midis nomenklaturës dhe popullit, -theksoi Kryeministri - ju zgjodhët popullin.”

Shqiptarët, vijoi Kryeministri, ndjehen krenarë që nga vendi i hiperkolektivizimit total, ekonomisë së rrënuar, investimeve të huaja të ndaluara, me të ardhura për frymë 204 dollarë në vitin 1992 dhe papunësisë 80 për qind, është sot vendi që ka pësuar ndryshime rrënjësore, me të ardhura për frymë 8000 dollarë, me rritje 316 për qind të investimeve të huaja, me një ekonomi reale që i rezistoi recesionit.

Gjithashtu, ish-presidenti i fundit sovjetik, zhvilloi një takim me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Për Shqipërinë dhe shqiptarët, tha Kryetarja e Kuvendit, ju keni qenë një personalitet shumë i rëndësishëm, frymëzues dhe shpresëdhënës për erën e ndryshimeve dhe rënien e Murit të hekurt në Shqipëri.”/Start/

                                                                                             2011-12-01 09:04
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›