E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu Prishtinë-Beograd, pritet marrëveshja për kufirin

 Një përparim i mirë rreth menaxhimit të integruar të kufirit ishte krejt çka në orët e vona të mbrëmjes të mërkurën mund të thoshin burimet e BE-së, duke njoftuar për vazhdimin e këtij raundi edhe të enjten. Sipas burimeve diplomatike, gjasat janë rritur që në vazhdimin e dialogut sot të arrihet edhe marrëveshja menaxhimin e integruar të kufijve, por që Serbia nuk dëshiron të flitet për kufi, por vetëm për linja administrative. Përflitet edhe mundësia e kompromisit për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale.

Këtu si kompromis përmendet mundësia që Kosova të mos paraqitet me elemente shtetërore me emërtimin e plotë si Republika e Kosovës, por krahas emërtimit të Kosovës të vihet një shenjë * e më pas në shpjegim të thuhet se Kjo është pa paragjykuar pozicionet rreth statusit të Kosovës.

Kjo mendohet se do të kënaqte nevojat e Serbisë që Kosova të mos trajtohet si shtet i barabartë si të tjerët, ndërsa Kosova do të duhej, sipas këtyre burimeve, të kënaqej me mosvendosjen e shenjave të UNMIK-ut krahas emërtimit të Kosovës. Në lidhje me këtë nuk ka ende një marrëveshje, megjithëse një e tillë kërkohet me çdo kusht nga BE-ja. / Koha.net

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›