Berisha e tepron, premton liberalizim vizash me SHBA-të

Kryeministri Sali Berisha në morinë e premtimeve elektorale, ka shtuar edhe një të fundit. Bëhet fjalë për liberalizimin e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë takimit të djeshëm në qytetin e Durrësit, ku PD prezantoi kandidatët për deputetë në këtë qark, Berisha tha se pas liberalizimi të vizave me zonën shengen, tani do të realizohet edhe me SHBA-të.
“Me reforma të thella, ne hoqëm vizat me Europën, me reforma të thella do të heqim vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ju do të lëvizni të lirë në mbarë botën. Ne na besojnë. Ne jemi seriozë. Ne u besojmë juve, mundit, djersës, aspiratave, vlerave e idealeve tuaja. Asgjë nuk do të pengojë rrugën tonë drejt integrimit”, u shpreh kreu i qeverisë.
SHBA-të kanë liberalizuar vizat 90 ditore për turizëm dhe biznes me një pjesë të mirë të vendeve të Bashkimit Evropian, ku bëjnë pjesë Andorra, Austria, Belgjika, Çekia, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtejnë, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Holanda, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanjë, Suedi, Zvicër, Britani etj. Përveç tyre në këtë vend mund të udhëtojnë pa viza qytetarët e Tajvanit, Koresë së Jugut, Zelandës së Re, Norvegjisë, Japonisë, Bruneit dhe Australisë.
Shumica e vendeve janë vende me të ardhura të mëdha dhe që hyjnë në listën e vendeve të zhvilluara. Në listën e vendeve që udhëtojnë pa viza në Amerikë janë 37 vende të ndryshme. Nuk dihet se pse Berisha ka bërë një premtim të tillë (përveç arsyes elektorale) pasi edhe vendet që janë në pritje të dritës jeshile për t’iu bashkuar 37 vendeve të tjera nuk dihet se sa kohë do të presin për këtë. Prej vitit 2005 në listën e pritjes nga vendet Europiane bëjnë pjesë: Bullgaria, Kroacia, Qipro, Polonia dhe Rumania. Gjithashtu në këtë listë janë Turqia dhe Izraeli. Ndërsa nga Amerika Latine janë Argjentina, Brazili, Kili dhe Uruguai./Indeksonline/