Policët civil nën hetime

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet intensive ndaj dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët javën e kaluar sulmuan dy të mitur në afërsi të gjimnazit “Eqrem Çabej” në Prishtinë.
Policët civil u përballen me ketë rast duke menduar që kanë gjetur personin në kërkim, që për organet e rendit njihet me nofkën “Bishti”.
Fëmijët D. B. (16-vjeç) dhe D. R. (16-vjeç) teksa po lëviznin në rrugën në afërsi të gjimnazit, kishin parë një veturë të zezë që sipas tyre kishte qenë xhip, e cila ishte ndalur përballë tyre.
Dy të miturit pretendojnë se nuk e kishin ditur se dy personat në atë makinë ishin policë, për çka edhe nuk ishin ndalur, ndërsa kishin vazhduar rrugën e tyre. Vetura me dy policët civil, u ishte vënë në ndjekje ndërsa të miturit nga frika kishin shpejtuar makinën e tyre.
Policia dikur kishte arritur t’i ndaloj fëmijët dhe më pas kishte ardhur deri të rrahja. Fëmijët thonë se janë sulmuar keq nga policia, e derisa këta të fundit me urdhër të prokurorit, rastin e kanë klasifikuar sulm ndaj personit zyrtar.
Prindërit e fëmijëve të rrahur, të cilët kanë edhe shenja të dukshme të dhunës në trup, janë ankuar në Inspektorat Policor, kur këta të fundit se shpejti do të dalin me rekomandimet e tyre.
“Javën e kaluar në IPK është paraqitur një ankues në lidhje me rastin e lartpërmendur dhe ankesa menjëherë është dërguar në Departamentin e Hetimeve në IPK”, ka deklaruar për Indeksonline, Arbër Beka, zëdhënës në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Ai tha se, hetuesit janë në proces të hetimit të këtij rasti, të cilët kanë intervistuar ankuesit si dhe kanë pranuar një dosje të rastit që është raportuar në polici.
“Varësisht nga të gjeturat e këtij procesi hetuesit do të dalin me rekomandimet konkrete përkitazi me rastin”, ka thënë Beka, duke shtuar se deri me tani nuk ka suspendime./Indeksonline/