E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-fermerëve të Divjakës: Taksa progresive shkatërron prodhimet tuaja

DIVJAKË- Partia Demokratike ka zhvilluar sot një miting elektoral në Bashkinë e Divjakës. Nga ky shesh Berisha u shpreh se në 8 vite qeveria e tij ka bërë shumë për të ndryshuar Divjakën, Lushnjen e mbarë Shqipërinë, ndërsa premtoi për 4 vitet që vijnë, hapjen e 250 mijë vendeve të reja të punës, thithjen e 6 milionë dollarëve investime të huaja si dhe 7 milionë turistëve.

“Qytetarët e Divjakës sot mbjellin dhe eksportojnë prodhimet e tyre të mrekullueshme, Divjaka sot është bërë e njohur për potencialin e jashtëzakonshëm turistik. sot gjen një Shqipëri me rrugë të reja në të katër anët e saj. Ndërtuam mbi 360 sisteme ujësjellësash dhe 450 kanalizime, 400 qendra shëndetësore dhe ambulamnca, mbështetëm 45 mijë fermerë”, tha ai.

Kryeministri Berisha ftoi fermerët e Divjakës t’i besojnë alternativës së PD-së dhe taksës së sheshtë, e cila sic tha Berisha është taksa e ndershme e të dhjetës. ‘Kush merr dhjetë paguan 1, kush merr 100 paguan 10, kush merr 1000 paguan 100, kjo është taksa më e ndershme ndërsa taksa progresive është taksa e shkatërrimit të prodhimeve tuaja”, tha kryeministri më tej.

“Në katër vitet që vijnë do të marrim statusin e vendit kandidat, do të hapim negociatat për anëtarësimin në BE, shqiptarët do të përfitojnë miliona euro investime. Do liberalizojmë vizat me SHBA, edhe kur premtova se do heq vizat me BE, Rama i thoshte Brukselit mos i hiqni vizat se 8 milionë shqiptarë do dynden drejt jush. Por ne jemi forca që i kthen premtimet në realitet”, tha Berisha.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›